SBASHK ka iniciuar një peticion nëpër shkolla, duke kërkuar nga mësimdhënësit të shprehin qëndrimin e tyre lidhur me përkrahjen e veprimeve sindikale, në rast se Qeveria nuk i përmbush kërkesat e tyre, siç janë nënshkrimi i Kontratës Kolektive dhe negociatat për vlerësimin e koeficientit të pagave për vitin 2025, raporton Prinderimi.com
Suksesi i këtij peticioni i nisur nga SBASHK-u, varet nga disa faktorë kryesorë. Nëse peticioni arrin një mbështetje masive nga mësimdhënësit dhe arrin të mobilizojë një numër të konsiderueshëm nënshkruesish, kjo mund të krijojë presion të konsiderueshëm mbi Qeverinë e Kosovës për të përmbushur kërkesat e tyre.
Gjithsesi, suksesi përfundimtar varet nga gatishmëria e Qeverisë për të negociuar dhe për të përmbushur kërkesat, si dhe nga qëndrueshmëria e veprimeve sindikale.
Më tutje në peticion thuhet:
“Me nënshkrimin tim, vullnetarisht deklaroj se në qoftë se më së largu 10.11.2024 dështojnë përpjekjet që më dialog social në mes të SBASHK dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të arrihet pajtueshmëri, që të realizohen kërkesat tona si anëtarë të SBASHK-ut për:
- Nënshkrimin e Kontratës Kolektive të Arsimit në Kosovë të dorëzuar në MASHTI me datën 02.10.2024
- Negocimin e vlerës së koeficientit të pagave për vitin 2025.
Obligohet Kryetari i SBASHK-ut, që duke u bazuar në Ligjin për organizimin sindikal dhe Ligjin për Grevën, të filloj menjëherë veprimet e përshkallëzuara sindikale, duke mos përashtuar edhe grevën e përgjithshme, ashtu siç thuhet në ligjet e lartcekura deri në realizimin e kërkesave
© Prinderimi.com Të gjitha të drejtat e rezervuara.