Prishtinë, 9 Qershor 2025 — Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Rrjeti i Prindërve Edukues ka realizuar një aksion solidar dhe simbolik duke shpërndarë dhurata për fëmijët që po kalojnë situata të vështira për arsye shëndetësore, si dhe për ata që kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme.
Dhuratat janë shpërndarë në Klinikat dhe repartet pediatrike të Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës në Prishtinë, në spitalet rajonale të Pejës dhe Gjakovës, si dhe në qendrat e specializuara për mbështetjen e fëmijëve me diversitet zhvillimor: si Organizatat për Autizëm në Prishtinë dhe Qendra kryesore e Syndrome Down Kosova.
Kjo nismë ka pasur për synim të lehtësojë gjendjen emocionale të fëmijëve që po përballen me sfida shëndetësore apo zhvillimore dhe t’u dhurojë atyre gëzim, ngrohtësi dhe ndjenjën e përfshirjes gjatë festës së Bajramit.
Për Rrjetin e Prindërve Edukues, mbështetja dhe përkujdesja për çdo fëmijë është një vlerë thelbësore.
“Për shumë prej këtyre fëmijëve, festa nuk është si për të tjerët. Ndaj dëshiruam që përmes një dhurate të vogël, të sjellim pak dritë dhe dashuri në përditshmërinë e tyre. Ky është një gjest i vogël, por me zemër të madhe,” — u shpreh një përfaqësues i rrjetit gjatë shpërndarjes së dhuratave.
Ky aktivitet është pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm të Rrjetit për të ndërtuar një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të kujdesshme, ku çdo fëmijë ka mundësi të ndjehet i pranuar dhe i vlerësuar.