Mite të gabuara dhe fakte për to
Vaksinimi është një nga mundësitë më të mira që kanë prindërit për të mbrojtur foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nga sëmundjet potencialisht të dëmshme. Sëmundjet e parandalueshme nga vaksina mund të jenë shumë serioze, mund të kërkojnë shtrim në spital ose të jenë vdekjeprurëse, veçanërisht në foshnjat dhe fëmijët e vegjël.
Si funksionon sistemi mbrojtës i fëmijës
Fëmija ekspozohet ndaj mijëra mikrobeve çdo ditë në mjedisin e tij. Kjo ndodh nëpërmjet ushqimit, ajrit, apo sendeve që vendos në gojë.
Sistemi imunitar i foshnjave mund të luftojë shumë mikrobe, por ka disa sëmundje vdekjeprurëse të cilat nuk mund t’i përballojë. Kjo është arsyeja përse ata kanë nevojë për vaksina që forcojnë sistemin imunitar.
Vaksinat përmbajnë sasi shumë të vogla të antigjeneve, dhe ndihmojnë sistemin imunitar të fëmijës të njohë dhe të luftojë sëmundjet serioze. Antigjenet janë pjesë e mikrobeve që vetëm nxisin sistemin imunitar për t’u aktivizuar.
Falë përparimeve shkencore, vaksinat e sotme mund të mbrojnë fëmijët nga më shumë sëmundje duke përdorur më pak antigjene. Vaksinat përmbajnë vetëm një pjesë të vogël të antigjeneve, kundrejt atyre me të cilat foshnjat ndeshen çdo ditë në mjedisin e tyre.
Ø Miti i gabuar “Vaksinat dobësojnë ose mbingarkojnë sistemin imunitar”
Fakte
Njerëzit e shëndetshëm kanë aftësinë t’i kundërpërgjigjen çdo mikrobi që mund të hasin. Vaksinat nuk e dobësojnë sistemin imunitar por e forcojnë atë duke stimuluar mekanizmat mbrojtës ndaj sëmundjeve specifike.
Sistemi imunitar fillon të zhvillohet që para lindjes. Në periudhën përreth lindjes, kur funksionet e sistemit imunitar janë akoma në maturim, i porsalinduri është i mbrojtur nga shumë sëmundje nëpërmjet antitrupave të nënës, por jo për të gjitha infeksionet serioze. Kjo mbrojtje zgjat zakonisht deri në katër muaj. Programet Kombëtare të Vaksinimit janë hartuar për të balancuar aftësinë e sistemit imunitar të bebit për t’ju përgjigjur vaksinës ndaj rrezikut të infektimit. Vaksinat përmbajnë vetëm një sasi të vogël antigjenesh në krahasim me atë që fëmijët ndeshin çdo ditë në mjedisin e tyre, gjatë rutinës së ushqyerjes dhe lojërave. Ato (vaksinat) nuk e mbingarkojnë ose “konsumojnë” sistemin imunitar.
Ø Miti i gabuar “Imunizimi është një proces jo i natyrshëm”
Fakte
Vaksinat përdorin aftësinë natyrale të njeriut për t’ju përgjigjur sëmundjes duke stimuluar sistemin imunitar. Kështu që nëse dikush ekspozohet në të ardhmen, nga ai patogjen specifik, sistemi i tij imunitar do “ta kujtojë” dhe do të japë një përgjigje efektive për të ndaluar sëmundjen ose për të reduktuar ashpërsinë e saj.
Disa besojnë se vaksinimi është një proces i panatyrshëm dhe se takimi i drejtpërdrejtë me sëmundjen do të japë një mbrojtje optimale ndaj saj, si dhe përfitime për gjithë shëndetin. Lidhur me këtë është dhe besimi se vaksinimi ndërhyn me proceset natyrore të trupit. Mirëpo, zgjedhja për mosvaksinim, dhe kalimi i sëmundjes në vend që ta parandalosh atë, mund të ketë pasoja serioze. Sëmundje si tetanozi dhe meningokoku mund të çojnë në vdekje dhe në gjymtim të trupit, ndërkohë që vaksinat ndaj këtyre sëmundjeve në përgjithësi tolerohen mirë me situata shëndetësore të padëshiruara të lehta. Vaksinat sigurojnë të njëjtët stimuj te sistemi imunitar ashtu si një infeksion, dhe potencialisht mund të ofrojnë një mbrojtje më efektive kundër disa patogjeneve. Më e rëndësishmja, mbrojtja me anë të vaksinimit shmang komplikimet që lidhen me sëmundjen. Përfitimet e vaksinimit janë shumë më të mëdha sesa ato të infektimit nga një sëmundje e parandalueshme nga vaksina.
Ø Miti i gabuar “Sëmundjet infektive nuk janë serioze”
Fakte
Disa mendojnë se infeksionet janë një pjesë normale dhe e shëndetshme e rritjes. Mirëpo, duhet të dimë se sëmundjet infektive mund të jenë serioze, madje dhe vdekjeprurëse. Këto sëmundje kanë qenë të pranishme në Shqipëri ashtu si dhe në vende të tjera të botës përpara vaksinimit, por me futjen e vaksinave dhe në saj të mbulesës së lartë vaksinale në komunitet, numri i rasteve me këto sëmundje ka rënë dhe është pothuajse zero për shumicën e tyre.
Gjenerata e prindërve të sotëm kanë pak, ose aspak, gjasa që të shohin një fëmijë të paralizuar nga poliomieliti dhe që ka nevojë për “mushkëri hekuri” për ta ndihmuar në frymëmarrje, apo një fëmijë me pengesë në frymëmarrje si shkak i difterisë, apo dikë me dëmtim të trurit si pasojë e fruthit. Sëmundje të tjera si varicela (lija e dhenve) zakonisht konsiderohen si sëmundje të lehta të moshës fëmijërore. Megjithatë, varicela mund të jetë serioze dhe fatale, sidomos për fëmijët ose adultët me sistem imun të kompromentuar.
Ndonjëherë, gripi nuk konsiderohet si një sëmundje serioze. Shumë njerëz e konsiderojnë si një ftohje të zakonshme. Mirëpo gripi nuk është e njëjta gjë si një ftohje e zakonshme, por është një infeksion serioz, sidomos për të moshuarit, shtatzënat dhe personat me sëmundje kronike.
Sëmundje të tjera të parandalueshme nga vaksina, si meningiti nga Haemophilus influenza e tipit b (Hib), pneumokoku, etj., edhe pse nuk hasen shpesh, mund të kenë pasoja të rënda shoqërore.
Ø Miti i gabuar “Vaksinat nuk janë të sigurta”
Fakte
Në përgjithësi, asnjë agjent farmaceutik, duke përfshirë edhe vaksinat, nuk mund të konsiderohet 100% i sigurt. Megjithatë, të gjitha vaksinat që përmban kalendari shqiptar i vaksinimit dhe që ofrohen nga Programi Kombëtar i Vaksinimit, janë vaksina të parakualifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe kanë kaluar një sërë testesh laboratorike dhe sigurie.
Shumica e problemeve që mendohet se kanë lidhje me administrimin e vaksinës, nuk kanë lidhje me vetë përbërjen e vaksinës. Shumë prej tyre janë situata shëndetësore që ndodhin në të njëjtën kohë me vaksinimin. Ky është veçanërisht rasti për ngjarjet që ndodhin gjatë vitit të parë të jetës, kur vaksinat jepen rregullisht. Ngjarjet që ndodhin në vitin e parë të jetës së fëmijës mund të përkojnë me kohën që është marrë një vaksinë.
Vaksinat mund të prodhojnë disa situata shëndetësore të padëshirueshme anësore, të tilla si dhimbje dhe skuqje në vendin e injektimit ose ethe, por shumica e reaksioneve janë të lehta dhe zgjidhen shpejt. Zakonisht nuk është e mundur të parashikohet se kush mund të ketë një situatë shëndetësore të lehta dhe kush mund të ketë një reaksion të rrallë dhe serioz ndaj një vaksine. Megjithatë, rreziku i situatave shëndetësore të dëmshme mund të minimizohet duke ndjekur udhëzimet se kur duhen apo nuk duhen përdorur vaksinat.
Ø Miti i gabuar “Vaksinat përmbajnë përbërës toksikë”
Fakte
Të gjitha vaksinat e Programit të Vaksinimit janë të certifikuara dhe të vlerësuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për t’u siguruar se ato janë prodhuar sipas udhëzimeve strikte për sigurinë e vaksinës dhe përpara se të regjistrohen për përdorim. Testimi i rreptë i vaksinës përfshin të gjithë përbërësit e saj siç janë: adjuvantët (ndihmësit), konservantët, shtesat (aditivët), si dhe ndonjë mbetje e prodhimit.
Adjuvantët (ndihmësit) kryesisht janë kripëra të aluminit të cilat i shtohen disa vaksinave për të rritur përgjigjen imunitare ndaj vaksinës. Sasia e aluminit në vaksina është më e vogël se sasia ditore e marrë nga dieta ushqimore ose mjekimet, siç janë anatacidet, dhe është shumë më e ulët se nivelet e rekomanduara nga Agjencitë për Substancat Toksike. Nga rishikimi i gjithë studimeve të ofruara mbi vaksinat që përmbajnë alumin, si difteria, tetanozi dhe pertusi (të kombinuara ose jo me njëra-tjetrën) u gjet se nuk ka evidenca që kripërat e aluminit në vaksina të shkaktojnë ndonjë situatë shëndetësore serioze të pakëndshme. Te vaksinat që përmbajnë alumin, vihet re më shumë skuqje dhe ëntje në vendin e injektimit sesa te vaksinat që nuk përmbajnë alumin, por ky është një efekt i lehtë që kalon shpejt.
Konservantët përdoren në disa vaksina për të parandaluar rritjen e baktereve dhe të kërpudhave. Konservantët janë të pranishëm te vaksinat me flakon shumëdozësh, kurse vaksinat me flakon njëdozësh nuk përmbajnë konservantë. Një lloj konservanti i përdorur është tiomersali (ose timerosal). Tiomersali është përdorur në vaksina në sasi shumë të vogla, për më shumë se 80 vjet, pa evidenca për rrezikshmërinë e tij. Tiomersali përmban një komponim organik të mërkurit të quajtur etil-mërkur i cili nuk shkakton asnjë efekt toksik në organizëm krahasuar me përbërësin metil-mërkuri, i cili nuk gjendet në vaksina por mund të merret lehtësisht nga ushqimet dhe që njihet si neurotoksinë e fuqishme.
Antibiotikët, siç janë neomicina dhe polimizina B, përdoren në disa vaksina për të parandaluar ndotjen bakterore gjatë prodhimit. Shqetësimet lidhur me vaksinat që përmbajnë antibiotikë, kanë të bëjnë me reaksionet alergjike që mund të ndodhin te njerëzit kur trajtohen me antibiotikë (kryesisht nga penicilina dhe sulfonamidet). Megjithatë, reaksionet e lëkurës të shkaktuara nga neomicina nuk janë kundërindikim për mosvaksinimin me vaksinat që përmbajnë neomicinë.
Ø Miti i gabuar “Vaksina e Fruthit-Rubeolës-Shytave (FRP) në moshën 1 vjeç shkakton autizëm”
Fakte
Nuk ka prova shkencore që vaksina FRP shkakton autizëm. Shqetësimi për një lidhje të mundshme ndërmjet vaksinës FRP dhe autizmit është shqyrtuar gjerësisht nga grupe të pavarura ekspertësh në insitucione prestigjioze në botë. Këto rishikime kanë arritur në përfundimin se provat epidemiologjike në dispozicion nuk mbështesin një lidhje shkakësore ndërmjet vaksinës FRP dhe autizmit.
Sugjerimi se vaksina FRP mund të çojë në autizëm e ka origjinën në hulumtimin e gastroenterologjisë nga Andrew Wakefield në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 1998, Wakefield dhe kolegët botuan një artikull në “The Lancet” duke pretenduar se virusi i vaksinës së fruthit në MMR shkakton sëmundje inflamatore të zorrëve, duke lejuar që proteinat e dëmshme të hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe të dëmtojnë trurin.
Vlefshmëria e këtij konstatimi më vonë u vu në dyshim kur studiues të tjerë nuk arritën të provonin të njëjtën lidhje. Përveç kësaj, gjetjet u diskredituan më tej kur një hetim zbuloi se Wakefield ishte duke u financuar për kërkimin e tij nga avokatët që kërkonin prova për t’u përdorur kundër prodhuesve të vaksinave. Si rezultat, Wakefield u ndalua përgjithmonë nga praktika e mjekësisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe “The Lancet” tërhoqi artikullin origjinal në vitin 2010.
Studime të mëtejshme, duke marrë në shqyrtim një numër shumë të madh fëmijësh, kanë vërtetuar se nuk ka lidhje midis vaksinës FRP dhe autizmit.
Në një ndër studimet më të mëdha të këtij lloji, hulumtuesit vërtetuan përsëri se vaksina FRP nuk rrit rrezikun për çrregullimin e spektrit të autizmit (ASD). Kjo rezultoi e vërtetë madje edhe te fëmijët që konsideroheshin me rrezik të lartë për këtë çrregullim, duke qenë se kishin në familje një anëtar me çrregullime të spektrit autik.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik – Shqipëri