KOMUNIKATË PËR MEDIA
Nga: Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës
Data: 30 Maj 2025
Rasti i British School of Kosova: Rrjeti i Prindërve kërkon më shumë përfshirje për fëmijët me Sindromën Down, Inspektorati i Arsimit heton çështjen
Prishtinë – Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim rastin e refuzimit të supozuar të regjistrimit të vajzës Nisa, e cila ka Sindromën Down, në shkollën private “British School of Kosova”. Ky rast, i ngritur publikisht nga ne dhe prindi Burim Sopa, ka sjellë në pah sfida të rëndësishme lidhur me përfshirjen e fëmijëve me aftësi të ndryshme në sistemin arsimor.
Si Rrjet i Prindërve Edukues të Kosovës, ne besojmë fuqishëm se çdo fëmijë meriton një mundësi të barabartë për edukim dhe zhvillim, pa asnjë lloj diskriminimi. Qasja gjithëpërfshirëse është thelbësore për ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme dhe të drejtë. Rasti i Nisës, ashtu siç është paraqitur nga prindi, ka prekur thellë komunitetin dhe ka nxjerrë në pah nevojën për më shumë ndërgjegjësim dhe veprim konkret nga të gjithë aktorët përgjegjës.
Pas denoncimit tonë, Inspektorati i Arsimit në Prishtinë ka vepruar me shpejtësi duke nisur një hetim. Kemi marrë përgjigjen zyrtare (Nr. prot: 188/05, datë 30.05.2025) nga Inspektorati, e cila informon se gjatë inspektimit tematik në British School of Kosova, “nuk u gjet asnjë dëshmi se prindi Burim Sopa ka aplikuar zyrtarisht për regjistrimin e vajzës Nisa”.
Në këtë pikë, është e rëndësishme të theksohet se prindi Burim Sopa ka insistuar dhe ka dhënë dëshmi se komunikimin dhe aplikimin fillestar e ka bërë përmes telefonit. Ky aspekt, ndonëse mund të mos jetë dokumentuar si “aplikim zyrtar” në kuptimin formal të inspektimit, është një dëshmi e përpjekjes së prindit për të regjistruar fëmijën e tij. Kur mediat kanë pyetur British School of Kosova rreth komunikimit telefonik, shkolla nuk ka ofruar ndonjë përgjigje, gjë që mund të interpretohet si një mungesë transparence, pavarësisht deklaratës shfajësuese se prindi në fjalë nuk ka aplikuar fizikisht apo në mënyrë elektronike.
Megjithatë, ne e vlerësojmë veprimin e shpejtë të Inspektoratit të Arsimit. Madje IA kanë kërkuar nga drejtori i shkollës informacion mbi planin e veprimit dhe ndjekjen e mësimdhënies për nxënësit me Sindromën Down dhe nevojat e tyre të veçanta. Nga ky proces rezulton se shkolla në fjalë ka 11 nxënës me nevoja të veçanta përfshijë fëmijë me Sindromën Down. Ky është një hap pozitiv drejt rritjes së ndërgjegjësimit dhe nxitjes së përfshirjes.
Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës shpreson që ky rast të shërbejë si një thirrje për të gjitha institucionet arsimore, private dhe publike, për të rishikuar dhe përmirësuar politikat e tyre të pranimit. Ne kërkojmë:
- Të gjitha shkollat të forcojnë angazhimin e tyre për përfshirjen e fëmijëve me aftësi të ndryshme, duke siguruar një mjedis arsimor mikpritës dhe mbështetës për të gjithë.
- Ministria e Arsimit dhe institucionet përkatëse të vazhdojnë monitorimin dhe të sigurojnë zbatimin e plotë të ligjeve për të drejtat e fëmijëve dhe përfshirjen e tyre në arsim, duke adresuar çështjet e komunikimit joformal dhe aplikimit.
Fëmijët si Nisa meritojnë mundësi të barabarta. Ne do të vazhdojmë të avokojmë për një sistem arsimor ku çdo fëmijë, pavarësisht aftësive, të ketë të drejtën për edukim cilësor dhe një jetë me dinjitet.
Me shpresë dhe angazhim,
Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës