Pyeteni veten se si reagoni përballë vështirësive të fëmijës suaj, ose të paktën ndaj atyre që ju mendoni se ndien vështirësi.
Unë…
1. A bëj sikur nuk vë re (iki nga dhoma, e lë të qajë, bëj sikur nuk e dëgjoj)?
2. A bërtas dhe qortoj (duhet të më lesh rehat, lëviz që aty)?
3. A hyj në diskutime (të kam thënë të mos e prekësh lulen, nuk dua që ti…)?
4. A e theksoj diçka (ankohem përherë, përsëri nuk iu binde fjalës sime…)?
5. A e përshkruaj atë që ndodh (e marr vesh se ti qan sa herë unë dal nga dhoma, e kuptoj që kjo të mërzit…)?
6. A e akuzoj (je i keq me mua, asnjë gjë s’e bën ashtu siç duhet)?
7. A reagoj duke bërë apo duke thënë çfarëdolloj gjëje që më kalon nëpër mend në ato çaste (e marr fëmijën dhe e çoj në një dhomë tjetër, sugjeroj një lojë…)?
8. A i pasqyroj ndjenjat e tij (dukesh shumë i mërzitur me vëllanë e vogël, më duket sikur mërzitesh kur mami ikën pa ty…)?
9. A e kthej me të qeshur (dukesh si një maçok i inatosur)?
10. A i shpjegoj gjërat (e di që karamelet nuk bëjnë mirë për dhëmbët…)?
Të gjitha këto mënyra për t’u kundërpërgjigjur ndaj një vështirësie, e ndihmojnë fëmijën ta njohë më mirë veten e tij, por nuk kanë të gjitha të njëjtin rezultat. Disa e ndihmojnë vetëvlerësimin e fëmijës (5, 7 dhe 8), ca të tjera nuk ndikojnë dhe aq (1, 3, 9 dhe 10), ndërsa mbetja dëmton rëndë ndërtimin e një imazhi pozitiv të vetes (2, 4 dhe 6).
Fëmijët e vegjël nuk i kuptojnë shpjegimet e gjata. Nuk e kapin lehtë humorin dhe madje mund edhe ta interpretojnë si një kritikë negative. Fëmijët perceptojnë çka u bëhet apo u thuhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa e kaluar nëpër filtra censure apo autokritike.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Danielle Laporte, “Vetëvlerësimi i fëmijëve 0-6 vjeç”