Disa javë më parë, ndodhi diçka që më kujtoi pse jam mirënjohëse për trurin tim disleksik.
Unë jam mësuese dhe punoja në klasë me nxënësit e mi. Shkoja nga tavolina në tavolinë, me durim jepja udhëzime dhe shpërndaja shpërblime në letër ndërsa fëmijët më bombarduan me pyetje. Njërin sy e kisha te një nxënës, syrin tjetër te detyra ime e radhës, ndërsa bëhesha gati të ndërroja shpejtësitë në një detyrë matematike për klasën. Një nga prindërit vullnetarë po përpiqej të mbante ritmin me mua.
Pas orës së mësimit, prindi erdhi tek unë dhe më tha, gjysmë i hutuar: “Si i menaxhon të gjithë fëmijët? Unë veçse jam dërmuar.”
“Besoj që kisha fat” thashë. “Truri im e trajton mjaft mirë kaosin.”
Gjithmonë e kam ditur se lulëzoj në situata të padisiplinuara. Por derisa e vuri në dukje ky prind, nuk kisha menduar se si kjo më ndihmoi në punën time si mësuese. Ishte një ndjenjë e mirë. Megjithatë, nuk kam qenë gjithmonë e kënaqur me mënyrën se si funksionon truri im.
Në shkollën e mesme, kam luftuar me bazat e të lexuarit dhe të shkruarit. Pasi nëna ime më pa duke u përpjekur të lexoja një libër të kthyer mrapshtë, më bëri të vlerësoja vetën. Atëherë familja ime mësoi se kisha disleksi. Më vonë morëm vesh se kisha edhe ADHD[1]. Familja ime më siguroi mbështetje në shkollë dhe punonte me mua çdo ditë. Kështu u bëra një student shumë i mirë.
Sidoqoftë, të kisha disleksi ishte ende e vështirë për mua. Për shkak të sfidave të mia, më duhej shumë më shumë kohë për të përfunduar detyrat e shtëpisë sesa fëmijët e tjerë. Në shkollë të mesme, me të vërtetë filloi të kishte ndikim tek unë.
Përderisa shokët e mi dilnin në fundjavë, unë qëndroja në shtëpi duke bërë detyrat e shtëpisë. Prindërit e mi nuk më kanë detyruar kurrë për këtë. Ata ma mundësuan të zgjedh. Unë vendosa të punojë shumë në shkollë dhe të jem mirë – ndoshta sepse ndjeva nevojën t’u tregoja njerëzve se e kishin gabim. Sidoqoftë, unë ende ndihesha e indinjuar që truri im ishte ndryshe.
Kur je e re, është kaq e lehtë të shohësh gjërat në të cilat je i keq, si leximi i një libri. Është shumë më e vështirë të shohësh se në çfarë je i zoti. Dhe një nga pikat e mia më të forta ishte diçka për të cilën as që isha në dijeni. Megjithëse m’u desh një kohë më e gjatë për të kryer punën time, mund ta bëja duke kryer shumë detyra. Unë i bëja detyrat e shtëpisë në matematikës me televizorin ndezur dhe i zgjidhja të gjitha problemet. Mbajtja e televizorit ndezur e shqetësonte babin tim, por truri im ndihej rehat.
Mendoj se nëse do ta kisha kuptuar atëherë se sa ndryshe isha nga njerëzit e tjerë në shkollën e mesme, do të isha shumë më e lumtur. Por kurrë nuk u kushtova vëmendje gjërave që mund të bëja, vetëm atyre që nuk munda. Periudha më e vështirë ishte gjatë vitit të parë të kolegjit. Gjatë atij viti, nuk mora mbështetjen dhe akomodimin që kolegji më premtoi. Isha në Bregun Lindor, larg familjes sime në Kaliforni, dhe gjërat po përkeqësoheshin. Edhe pse po merrja nota të mira, stresi ishte shumë i madh. Pasi bisedova me prindërit e mi, u largova nga shkolla.
U transferova në një kolegj afër San Franciskos, dhe atëherë gjërat filluan të përmirësohen. Shkolla kishte një departament të mrekullueshëm të shërbimeve për aftësi të kufizuar. Kisha mundësi të takohesha me studentë të tjerë me dallime në të mësuar dhe në të menduar. Aty më njoftuan me “Sy-me-Sy”, një organizatë kombëtare për mentorim.
Krejt papritur në “Sy-me-Sy”, fillova të takoj të gjithë këta studentë të tjerë që mendonin ashtu siç mendoja unë, të cilët e shihnin botën si unë. Unë filloja një fjali dhe dikush tjetër e përfundonte. Kuptova që nuk isha vetëm.
Ndërsa universiteti vazhdoi, unë gjithashtu fillova të vë re anën time që i pëlqen shumë të bëj disa veprime njëkohësisht (multi-tasking). Kështu fillova ta praktikoj. Trajtimi i 10 projekteve në të njëjtën kohë është diçka që më pëlqen, edhe nëse herë pas here më duhet një shtytje për të përfunduar gjithçka. Unë marr energji nga aktiviteti.
I njëjti tru që më shkakton vështirësi në leximin më lejon të trajtoj mbi 20 fëmijë, gjashtë orë në ditë, pesë ditë në javë, për nëntë muaj në vit. Kjo është arsyeja pse unë mund të kem një grup fëmijësh në një tryezë, me dy duke bërë mbledhje, dy shumëzim dhe dy zbritje, ndërsa unë jam duke rrotulluar dhe pa më ikur asgjë. Kjo nuk është diçka që të gjithë mund ta bëjnë. Por m’u desh shumë kohë për të kuptuar këtë forcë.
Unë kam aftësi të mëdha në disa fusha, dhe ka fusha të tjera ku kam vështirësi. Është e gjitha pjesë e asaj që jam dhe nuk do ta dëshiroja ndryshe. Kjo është arsyeja pse unë e dua trurin tim disleksik.
[1] Attention-deficit/hyperactivity disorder (Deficit i vëmendjes/çrregullim i hiperaktivitetit)
Nga: Anya Wasko, MA
Përktheu: Bujar Sejdiu, Prinderimi.com