Ky është vëllimi i pestë në serinë e librave “Edukimi i Suksesshëm i Familjes”. Në këtë vëllim do të flasim për problemet më të rëndësishme me të cilat përballen vetë fëmijët dhe shumë prindër, me synim që t’i ndihmojmë familjet të kenë njohuri mesatare për edukimin, të cilat do t’i përdorin për t’i njohur problemet dhe për t’i zgjidhur ato në mënyrë të suksesshme. Si fillim do t’i përmend disa pika themelore lidhur me problemet dhe mënyrën si duhet të merremi me to.
1. Zakonisht nuk është lehtë të caktohet kufiri midis fëmijëve normal dhe fëmijës që ka një problem fizik ose mendor. Për shembull, aktiviteti i një fëmije, normalisht është indikacion i shën- detit të mirë dhe gjallërisë. Mirëpo, aktiviteti mund të arrijë një shkallë ku bëhet hiperaktivitet dhe në këtë rast ai klasifikohet si çrregullim që kërkon të shërohet me terapi. Nuk është lehtë që një familje mesatare të përcaktojë deri në çfarë pike një sjellje e caktuar nuk është më e pajtueshme dhe ka kaluar në një çrregullim, i cili duhet të zgjidhet.
Do të na ndihmonte nëse do ta krahasonim një fëmijë, që dyshojmë se ka një çrregullim, me moshatarët e tij brenda familjes ose jashtë saj. Nëpërmjet kësaj mund të dalim me ndonjë konstatim më të qartë. Ndërkohë, duhet të jemi të gatshëm të konsultojmë një psikiatër ose pediatër kur na duket se problemi nuk është normal ose i natyrshëm. Mirëpo, prindërit i shqetëson fakti se nuk e dinë kur do të bëhej i obligueshëm një hap i tillë.
2. Kemi dy mënyra për të zbuluar problemet e fëmijës. Mënyra e parë është kur vërejmë te fëmija një sjellje shumë të pazakontë, për shembull kur një fëmijë dhjetëvjeçar i kafshon veshin vëllait të vogël. Ai vuan nga nervozizmi (anorexia) ose pagjumësia.
Mënyra e dytë është kur sjella bëhet rutinë, si për shembull pavëmendshmëria e përhershme ose mungesa e fokusit, egoizmi ekstrem në raport me të tjerët, shmangia me këmbëngulje e takimit të vizitorëve, nervozizmi (Bulimia).
Mirëpo, kur sjelljes i mungon karakteristika e parë dhe e dytë, pra intensiteti dhe përsëritja, atë duhet ta marrim si një gabim ose devijim, si diçka që ndoshta as të rriturit nuk mund t’i shmangen, e lëre më të rinjtë. Nëpërmjet të lexuarit të vazhdueshëm për problemet e fëmijëve ne mundemi me ndihmën e Allahut, të dimë se cilat raste kërkojnë të vizitojnë psikiatrin, këshilltarin ose një të afërm që ka përvojë në rritjen e fëmijëve.
3. Largimi i çrregullimeve psikologjike të fëmijëve, ndryshimi i sjelljes së tyre dhe ndryshimi i shprehive të tyre janë çështje komple- kse, sepse ekzistojnë dallime të mëdha midis fëmijëve sa i përket përgjigjes së tyre ndaj terapisë së njëjtë. Edhe edukatorët janë të ndryshëm sa i përket kulturës dhe situatave të tyre. Nga ky kënd- vështrim mund të themi se udhëzimet edukative mund të funksio- nojnë në një fëmijë të caktuar, por jo edhe në tjetrin.
Shpesh më konsultojnë për problemet e fëmijëve dhe kur u jap këshillën time befasohen kur dëgjojnë se pyetësi e ka provuar metodën e njëjtë, jo vetëm një herë, por shumë herë. Disa thonë se gjendja e fëmijëve të tyre u përkeqësua në vend që të përmirësohej pas aplikimit të metodës së rekomanduar. Për rrjedhim, është me rëndësi të kemi më tepër se një qasje për zgjidhjen e ndonjë problemi, sepse ndoshta kemi nevojë t’i provojmë të gjitha metodat për t’i ndihmuar fëmijës të heqë qafe problemin e tij ose të saj, prej të cilit vuan ai dhe ndoshta edhe familja e tij.
4. Kemi mjaft dëshmi për të vërtetuar se është normale që një fëmijë pesë ose gjashtëvjeçar të ketë katër ose pesë probleme, probleme si: kryeneçësia, nervozizmi ose refuzimi për t’i ngrënë disa ushqime. Numri i problemeve do të pakësohet duke u rritur, sepse ndërgjegjja e integruar e fëmijës është duke u zhvilluar dhe ata mësojnë më tepër fjalë që lidhen me atë që është e pranueshme ose e papranueshme në sjelljen shoqërore. Kjo do të thotë se në shumë raste tërë ajo që nevojitet është durimi i prindërve.
Shumë ekspertë kanë thënë se problemet e sjelljes te vajzat janë më të pakta sesa ato të meshkujve, për rrjedhim, rritja e vajzave është shpesh më e lehtë sesa rritja e djemve. Edhe në moshën e adoleshencës, djali i shkakton më shumë vështirësi familjes sesa vajza.
5. Njerëzit në përgjithësi e kanë të mbjellë thellë besimin se të gjitha problemet e fëmijëve do të zhduken kur të rriten. Ata e besojnë këtë, sepse problemet e fëmijëve i marrin si të natyrshme dhe besojnë se nuk kërkojnë trajtim. Kjo nuk është e vërtetë për të gjitha problemet ose për të gjithë fëmijët që janë të përfshirë në ato probleme. Disa probleme mbesin edhe kur fëmija rritet dhe disa përkeqësohen dhe bëhen më të rënda. Disa mbarojnë, por jo para se të lënë një traumë dhe plagë psikologjike. Më kujtohet rasti i një adoleshenti, familja e të cilit e neglizhoi urinimin e tij në shtrat. Ai ndihej i përbuzur dhe i mjerë, sepse jetonte me shokë në një konvikt të një universiteti dhe ata e kuptuan problemin e tij. Andaj ne kurrë nuk bën të mos i kushtojmë rëndësi ndonjë problemi të familjes, sidomos nëse arrin një nivel të lartë të intensitetit.
6. Problemet e shumë fëmijëve përkeqësohen nga ata që i rrisin fëmijët. Për shembull, një fëmijë agresiv do të shtojë të këqijat e tij dhe do t’i lëndojë vëllezërit dhe motrat edhe më tepër nëse nuk e gjen një baba të vendostë, i cili e mbush vendin e një lideri në shtëpi dhe u kërkon të gjithë atyre që jetojnë në shtëpi t’u nënshtrohen rregullave të jetesës së përbashkët. Është jetike që fëmija të ndjejë praninë e dikujt në shtëpi, i cili thotë “jo”, në momentin e duhur dhe i cili monitoron gjithçka, ndëshkon kur ndëshkimi kërkohet dhe e privon fëmijën nga gjërat që i pëlqen.
7. Cilësi e një lideri të suksesshëm është se ai ose ajo përdor gjuhë të qartë dhe precize dhe me një ton të vendostë të zërit. Kjo duhet të zbatohet nga prindi në raport me fëmijët. Kemi një baba i cili u thotë fëmijëve: “Fëmijë, a nuk është koha për gjumë?” Njëri thotë: “Edhe një orë ka mbetur, baba”. I dyti thotë: “Sot është e premte, ndërsa nesër kemi pushim. Rregulli për të shkuar në shtrat në orën 21:00 nuk vlen për sot.” I treti thotë: “Fëmijët e fqinjëve nuk flenë deri në ora 22:00, atëherë pse ne duhet të flemë në ora 21:00?” Ajo që solli të gjitha këto kundërshtime ishte se babai e përdori një tonë të pavendostë kur iu drejtuar fëmijëve; ai do të duhej të thoshte: “Brenda 10 minutash do të jetë koha për gjumë, kështu ju lutem të shkon tani në dhomat tuaja!”
8. Edhe në këtë vëllim do të përdor qasjen e njëjtë që e kam përdorur në vëllimet paraprake. Në këtë libër synoj të përdor stilin më të thjeshtë, pa dëmtuar saktësinë e koncepteve; ky do të jetë në libër praktik. Termat teknikë do të evitohen përsëri pa e neglizhuar saktësinë shkencore të asaj që e shkruaj. Sa herë që e diskutoj një problem, do të jem i kujdesshëm të përmend shkaqet që kanë çuar në të. Kur e përmendi kujdestarin ose prindin, nënkuptoj të dy prindërit. Kur përmendi fëmijën, nënkuptoj të dy gjinitë. Do të përpiqem ta përcaktoj tërë atë që nevojitet të përcaktohet për kujdestarin dhe fëmijën, edukatorin dhe atë që edukohet.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Problemet e fëmijëve”