Që nga mosha shumë e hershme, fëmijët përjetojnë dhe shprehin emocione të ndryshme, dhe sjelljet prindërore janë konstrukte rrjedhimisht të rëndësishme të zhvillimit të aftësive të rregullimit të emocioneve të tyre (Kiel, 2015). Rregullimi i emocioneve përfshin aftësinë për të njohur dhe shprehur emocionet e një personi në mënyrë të përshtatshme. Kjo paraqet një proces i cili përfshin menaxhimin, kontrollin dhe modifikimin e emocioneve në mënyrë që të përshtaten me situatën e dhënë. Kjo aftësi është e shumë rëndësishme për një zhvillim shoqëror dhe emocional të shëndetshëm, që përfshin mirëqenien e shëndetit mendor, aftësinë për të ruajtur lidhjet e suksesshme me rrethin dhe familjen, si dhe për të arritur sukses akademik.
Në raport me aftësinë për rregullim emocional, studime të ndryshme tregojnë se faktorë të ndryshëm, në faza të ndryshme, luajnë role të ndryshme për zhvillim adekuat emocional. Në rastin e grupmoshave më të reja, krahas faktorëve të ndryshëm, të dhëna të ndryshme tregojnë se mbështetja emocionale nga prindërit, duke demonstruar ndjenja pozitive dhe strategji bashkëpunuese, ka ndikim pozitiv në një rregullim efektiv të emocioneve tek fëmijët (Kliewer et al., 2004; Morris & Age, 2009). Përkundër kësaj, nëse fëmijët përballen me një lloj kontrolli psikologjik të dëmshëm, shprehje të zemërimit dhe të kritikave jo të mirë formuluara dhe adresuara, ata mund të hasin në vështirësi në rregullimin e emocioneve të tyre (Lee et al., 2015; Morris, Cui & Steinberg, 2013). Gjithashtu, vetë adoloshentët shprehin se ata ndjejnë më shumë ndjenja pozitive kur janë me prindërit e tyre, sesa kur janë vetëm (Morris, 2017).
Sipas Morris dhe kolegëve (2007), prindërit ndikojnë në rregullimin e emocioneve të fëmijëve përmes tre mekanizmave: 1) vëzhgimini i emocioneve të prindërve nga fëmijët (fëmija sheh menyrën se si vetë prindi i menaxhon emocionet dhe atë e merr si model), 2) praktikat prindërore lidhur me emocionet (mënyra se si prindërit flasin dhe reagojnë ndaj emocioneve të fëmijës), dhe 3) atmosfera emocionale e familjes (në përgjithsi raporti i tërë familjes lidhur me emocionet dhe lidhja mes antarëve të familjes). Pra, vetë-rregullimi dhe menaxhimi i emocioneve të prindërve ndikojnë drejtpërdrejt në rregullimin emocional të fëmijës përmes mësimit vëzhgues, dhe indirekt përmes formimit të mjedisit familjar. Ky ndikim fillon që nga foshnjëria dhe ndikon në rregullimin emocional të individit edhe në fazat e tjera të zhvillimit.
Kur flitet për këto mekanizma, në rastin e mekanizmit të parë, Ilirjana Totaj Basha, psikologe, nënvizon se vëzhgimi i emocioneve të prindërve nga fëmijët ofron një shembull konkret. Për shembull, nëse një fëmijë është ekspozuar ndaj dhunës psikologjike nga një prind, i cili përdor fjalë ofenduese dhe ngrit zërin pa kontrolluar emocionet, ndoshta fëmija do të përdorë të njëjtat shprehje ofenduese dhe do të ngritë zërin në raste të ngjashme. Tek mekanizmi i dytë, praktikat prindërore lidhur me emocionet, psikologia na jep shembull që nëse fëmija ka shfaqur emocione si zemrimi, mërzia ose faji, dhe prindi e ka mbështetur duke i thënë shprehje si: “Është në rregull të ndihesh në këtë mënyrë”, “Gjithqka që ndjen tani është normale”, “Nëse të vjen për të qajtur, thjeshtë qajë”, atëherë këto shprehje kanë reflektuar te fëmija, i cili në të ardhmen ka inkurajuar veten e tij me këto shpehje. Tek mekanizmi i tretë, atmosfera emocionale e familjes, psikologia thekson se fëmijët që rriten në atmosferë emocionale përgjithësisht pozitive, do të mësohen se është në rregull të ketë emocione dhe se ekzistojnë mënyra të shëndetshme për t’i shprehur dhe rregulluar ato. Ata fëmijë ndihen të sigurtë, të mbështëtur dhe kanë vetëbesim në aftësitë e tyre.
Me këto gjetje të prezantuara, është e rëndësishme të theksohet se roli i prindit ka një ndikim thelbësor në zhvillimin emocional të fëmijës. Kjo na inkurajon të përqendrohemi në tre mënyrat kryesore se si prindërit ndikojnë në rregullimin e emocioneve të fëmijës: duke i shfaqur si shembuj (modelimi/vëzhgimi), duke përdorur praktika të veçanta lidhur me trajtimin e emocioneve dhe duke krijuar një atmosferë emocionale të ngrohtë brenda familjes. Kështu, një fokuis i veçantë duhet t’i kushtohet përmirësimit të aftësive të prindërve për të rregulluar emocionet e tyre dhe për të reflektuar këto teknika te fëmijët. Këta hapa përmirësojnë atmosferën emocionale të tërë familjes, ndërtojnë marrëdhënie më të forta prind-fëmijë dhe mund të çojë potencialisht në një rregullim emocional më efikas të fëmijës (Morris, 2017).
Autore: Rrita Basha
…
Ky artikull është pjesë e botimit digjital “Rinia në Mendje”. Për ta eksploruar botimin e plotë dhe bibliografinë e shkrimeve, klikoni këtu.