KUR DIKUSH SHEH një familje të lumtur që jeton në harmoni, me një ambient shtëpiak paqësor dhe të rehatshëm, dhe (mbi të gjitha) të rregulluar mirë, me fëmijë besimtarë të devotshëm, ky nuk është rezultat rastësie. Ky është rezultat i punës së vështirë dhe përpjekjes për të zhvilluar marrëdhënie të mira prind-fëmijë. Prindërimi i mirë është një investim afatgjatë dhe është çelës për një sukses të madh në zhvillimin emocional, psikologjik dhe fizik të fëmijëve.
Në thelb, prindërimi i mirë siguron një ambient të ngrohtë, të përzemërt, në të cilin fëmijët mund të lulëzojnë. Një ambient i tillë është me rëndësi thelbësore për farkëtimin e marrëdhënieve që e përmirësojnë komunikimin dhe i afrojnë më shumë fëmijët dhe prindërit. Komunikimi i suksesshëm kërkon sjellje pozitive, jo të ashpra dhe gjykuese, që i inkurajojnë fëmijët të përpiqen për përsosmëri.
Prindërimi musliman sot është mjaft problematik. Shumica e prindërve nuk ndjekin kurse prindërimi dhe atyre u mungon dija, përvoja dhe shkathtësitë prindërore. Ata mbështeten vetëm mbi instinktin dhe mendimin praktik, i cili është zakonisht i vjetruar dhe i trashëguar nga stërgjyshërit të cilët janë ose të painformuar, apo për të cilët prindërimi ka domethënie kulturore ndryshe. Ka të tjerë që janë të arsimuar, por që i imitojnë qorrazi kulturat perëndimore. Prindërit munden po ashtu të ndjekin prindër dhe fqinj të tjerë të keq-informuar. Disa prindër përpiqen t’i plotësojnë dëshirat e tyre të paplotësuara nëpërmjet fëmijëve të tyre. Ka disa që i shpërfillin apo i shtyjnë detyrat prindërore. Për shkak të mungesës së të kuptuarit, apo mungesës së kohës ata ia delegojnë prindërimin dadove, mësuesve, kushërinjve, televizionit dhe lojërave kompjuterike. Kjo është në veçanti karakteristikë e disa vendeve të pasura me naftë ku “shpërdorimi” i importit të dadove ka patur ndikim negativ mbi karakteret e fëmijëve.
Ne synojmë t’i ndihmojmë prindërit t’i korrigjojnë të gjitha të sipërpërmendurat dhe t’i eliminojnë apo reduktojnë gabimet e tyre të pafajshme. Në një kuptim, ne ofrojmë një “politikë sigurimi” të mirë kundër shumicës së grackave të përbashkëta në të cilat mund të hasin prindërit.
Fatkeqësisht, prindërimi sot në masë të madhe merret si i mirëqenë me pak vëmendje kushtuar asaj që detyron ky rol i llahtarshëm. Në fakt, sa nga ne prindërit kemi menduar seriozisht ndonjëherë për detyrën që na është besuar? Do të na ndihmonte nëse e bënim këtë, ngaqë do ta kuptonim se prindërimi kërkon strukturën e vet të shkathtësive, strategjive dhe planifikimit..
Merrini parasysh pyetjet në vijim:
Pyetja 1: Cila detyrë kërkon dije për menaxhimin, psikologjinë, sociologjinë, antropologjinë,
kujdesin, artin e kuzhinës dhe komunikimin?
Pyetja 2: Cila detyrë nuk kërkon diplomë, certifikatë apo licencë për ta ushtruar?
Pyetja 3: Cila detyrë është njëra ndër më të keqkuptuarat dhe më të shpërfillurat?
Pyetja 4: Cila detyrë ka pësuar më së shumti abuzim dhe dhunë?
Pyetja 5: Cila detyrë është aq vendimtare që i prek jetët e njerëzve madje edhe si të rritur?
Pyetja 6: Cila detyrë është mësuesi më i rëndësishëm për një fëmijë?
Përgjigjja: Prindërimi.
Mendoni rreth kësaj: ne nuk angazhojmë mekanikë, hidraulikë, elektricistë apo mjekë po të mos jenë të kualifikuar ata për këtë punë, e megjithatë shumica prej nesh bëhemi prindër pa kurrfarë trajnimi. Ne studiojmë 16 vjet për të fituar një diplomë universitare, e megjithatë mund të bëhemi lehtësisht prindër si adoleshentë, madje as pa u përgatitur për përgjegjësinë e madhe që shtrihet para nesh. Sërish, edhe pse ne e dimë se duhet të kemi patentë për ta ngarë makinën, apo licencë për të gjuajtur kaproj, apo për të ngarë aeroplan, ne nuk e ndjejmë se është e domosdoshme që njerëzit të stërviten për të qenit prind.
Atëherë, çfarë është ajo që shumica prej nesh, natyrisht duke menduar mirë, bëjnë teksa i rrisin fëmijët? Ndonëse prindërit kanë në dispozicion teori prindërimi të shumta dhe këshilla të mira, ato në përgjithësi shpërfillen dhe prindërit lumturisht vazhdojnë me shpresën se gjithçka do të përfundojë më së miri. Ata mbase bëjnë njëfarë përpjekjeje, i ndjekin mbledhjet e Asociacionit Prind-Mësimdhënës (Parent-Teacher Association – PTA) në shkollë, i mbajnë përgjithësisht “nën vëzhgim gjërat”, kujdesen për notat, marrin pjesë në ekskursionet familjare sa për të qenë aty, dhe bëjnë përpjekje të tjera sipërfaqësore. Mirëpo, përveç kësaj, prindërit bëjnë shumë pak.
Ndonëse nuk ka ndonjë model gjithëpërfshirës të shpejtë që mund ta përdorim, ka disa procedura që mund të zbatohen për të na ndihmuar në arritjen e qëllimit tonë. Përgjatë udhës, fillojmë ta kuptojmë se rruga drejt prindërimit të mirë është gjithmonë në ndërtim e sipër, dhe ndonëse ne mund të bëjmë përmirësim, megjithatë nuk mund ta përshpejtojmë procesin. Mos kërkoni “rrugë të shkurtra” për prindërim të suksesshëm, ngaqë ato nuk ekzistojnë.
Para se të martohesha, unë kisha gjashtë teori për rritjen e fëmijëve; tani, kam gjashtë fëmijë dhe asnjë teori”. JOHN WILMONT, KONTI I ROCHESTERIT, (Brown, 1994)
Fazat e zhvillimit të fëmijës
Le të fillojmë duke e kuptuar në radhë të parë se fëmijët kalojnë nëpër etapa të ndryshme zhvillimi. Është në dobi të prindërve që të familjarizohen me këto etapa, ngaqë në çdo fazë nevojat dhe kërkesat e të qenit prindër ndryshojnë. Fazat e zhvillimit të fëmijës mund të ndahen me sa vijon: foshnje, kalamaj (që sapo janë ngritur në këmbë) dhe parashkollorë (mosha 0-7 vjeç); para-adoleshentë (mosha 8-11 vjeç); adoleshentë të rinj (mosha 12-14 vjeç); dhe të rritur të rinj (mosha 15-22). Në çdonjërën nga këto etapa, fëmijët kërkojnë resurse të ndryshme fizike, emocionale, shoqërore dhe psikologjike nga prindërit. Në fund, fëmija rritet nga gjendja e varësisë së plotë në atë të të pavarësisë gati të plotë.
Është me rëndësi që prindërit dhe pinjollët t’i negociojnë me sukses këto kalime. Teoricienët e konfliktit vërejnë se si prindërit dhe të rriturit e rinj garojnë për pushtet dhe për resurset. Secili dëshiron ta kontrollojë tjetrin, dhe ata shpesh kanë ide të ndryshme për atë se si duhen shpërndarë resurset (paraja, hapësira dhe koha). Teksa fëmijët bëhen adoleshentë dhe të rritur, prindërit duhet t’i ridrejtojnë energjitë e tyre larg fëmijëve e drejt jetëve të veta. Pastaj ekuacioni kthehet mbrapsht kur prindërit bëhen pleq dhe ndofta të varur nga fëmijët e tyre. Pavarësia shndërrohet në ndërvarësi, ku do të ketë gjithmonë këshilla të ndërsjella, konsultim dhe pjesëmarrje e kujdes midis fëmijëve dhe prindërve.
Mënyra se si i rrisim fëmijët tanë: Stile të ndryshme prindërimi
Le ta pranojmë po ashtu se ka katërstile të gjera prindërimi që shumë prindër i përvetësojnë (natyrisht, stilet e prindërimit nuk ujdisen gjithmonë në këto kategori).
1) Autoritar/diktatorial: Prindërit kërkojnë bindje dhe e ndëshkojnë ashpër mosbindjen.
2) Me autoritet: Prindërit presin që fëmijët e tyre t’iu përgjigjen kërkesave të tyre, e megjithatë edhe ata u përgjigjen kërkesave të fëmijëve të tyre. Këta prindër i shpjegojnë qartësisht rregullat e tyre dhe ofrojnë arsye të ndryshme të menduara mirë për normat dhe rregullat, në mënyrë që fëmijët ta kuptojnë se kërkesat e prindërve nuk janë kuturu, arbitrare apo të pakuptimta.
3) Lejues: Prindërit iu lejojnë fëmijëve të tyre të bëjnë si t’iu dojë qejfi. Ka pak konflikt, ngaqë prindërit lejues lëshojnë pe para dëshirave të fëmijëve të tyre.
4) Demokratikë: Prindërit përpiqen të negociojnë me fëmijët e tyre, dhe i përfshijnë fëmijët në vendimmarrje.
Në përgjithësi sociologët e parapëlqejnë prindërimin me autoritet. Shqyrtoheni stilin tuaj të prindërimit dhe vendosni se nën cilin prej katër kategorive të gjera do të mund të vendoseshit ju. Pyetni veten se përse keni zgjedhur ta përvetësoni një stil të caktuar, ose përse keni rënë brenda një “stili të veçantë”. Vetë-analiza e këtij lloji do t’ju mundësojë t’i rimendoni metodat tuaja duke u përqendruar mbi fushat pozitive, dhe t’i përmirësoni ato që janë të mangëta.
Një shënim mbi prindërimin Autoritar/dominues: Kulturë detyrimi dhe frike
Ekziston një besim i përhapur, veçanërisht ndër prindërit muslimanë dhe disa minoritete, se stili Autoritar i prindërimit është një mënyrë e efektshme me të cilën mund të parandalohet sjellja devijante te fëmijët e tyre. Është interesante se ai bazohet te një mendësi që me sa duket përqendrohet mbi parandalimin e sjelljes së keqe, në vend të inkurajimit të qëndrimeve mendore pozitive dhe sjelljes së mirë. Kontrolli dhe frika kanë përparësi ndaj marrëdhënieve familjare harmonike, ndërsa rezultati mund të jetë fëmijë të keq përshtatur me pasoja të gjera për shoqërinë në përgjithësi. Për këtë arsye, dhe për shkak të popullaritetit të këtij stili, ne kemi vendosur të përqendrohemi pak më thellë në këtë çështje.
Sjellja mbizotëruese e prindërve muslimanë është ajo e zbatimit të paepur të rregullave dhe dominimit, dhe mungesa e dialogut, pjesëmarrjes dhe konsultimit. Farat e praktikave autoritare mbillen brenda familjes që në foshnjëri, dhe më pas përhapen jashtë shtëpisë për t’i pushtuar shkollat, institucionet shoqërore dhe në fund qeverinë dhe sistemet politike.
Brenda familjes, babai e ka autoritetin e fortë mbi fëmijët, vëllezërit më të mëdhenj mbi më të vegjlit, dhe djemtë mbi vajzat. Meshkujt janë në përgjithësi “bosët” dominues dhe tërë atmosferës i mungojnë konceptet e partneritetit dhe përgjegjësisë. Në kontrast me këtë, Profeti a.s., e ka inkurajuar konceptin e pastorisë (nga latinishtja për barì):
“Që të gjithë ju jeni barinj (pastorë) dhe të gjithë ju jeni përgjegjës për atë për çka jeni caktuar.” (el-buhari)
Praktika e përgjithshme është se prindërit u lëshojnë urdhra dhe udhëzime të pashpjeguara fëmijëve me një listë arbitrare të “bëj” dhe “mos bëj”-ave. Kur fëmijët kërkojnë shpjegime, përgjigjja rutine është “bëj si të thuhet”, “kështu duhet të jetë”, “bëj si të them unë, jo siç bëj unë”, ose “mos polemizo shumë”. Nganjëherë fëmijët kureshtarë mund të qortohen apo të akuzohen si të pasjellshëm, mosrespektues, apo të pabindur. Për t’i heshtur fëmijët kureshtarë, disa prindër mund t’iu japin përgjigje jo të sakta pyetjeve, në vend që të thonë se nuk e dinë përgjigjen.
Kjo nuk do të thotë se këta prindër nuk kujdesen për fëmijët e tyre; përkundrazi, ata i duan dhe kujdesen shumë për familjet e tyre. Megjithatë, duke u përpjekur për të qenë të rreptë dhe të kenë kontroll, ajo që ata për pasojë janë duke e bërë është autoritarizëm. Për më tepër, autoritarizmi nuk është e njëjtë si stërvitja, me të cilën disa herë ngatërrohet. Kjo praktikë e autoritarizmit nuk ndihmon të rriten fëmijë të cilët janë emocionalisht, psikologjikisht dhe mendërisht të shëndoshë. Për të rritur fëmijë të fortë, prindërit duhet t’i angazhojnë fëmijët në konsultim pjesëmarrës. Kur’ani thotë:
“…ata që konsultohen mes vete për punë të përbashkëta.” (Kur’an, 42:38).
“Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu tek Allahu, se Allahu i do ata që mbështeten.” (Kur’an, 3:159)
Ndonëse qasja detyruese mund të rezultojë në atë që fëmijët në dukje t’iu shprehin respekt prindërve të tyre, ai do të jetë një respekt i rremë i bazuar mbi frikë, më tepër sesa bindje dhe dashuri. Frika, si ajo e mësuar ashtu edhe instinktive, është diskutuar në më shumë detaje në Kapitullin 15. Kjo qasje autoritare shtrihet në sistemin arsimor, ku respekti i nxënësve për mësuesit nuk ndërtohet mbi dashurinë për të mësuar, por më tepër mbi frikën nga pakënaqësia e mësuesit dhe/ose ndëshkimi. Rezultat i kësaj është se fëmijët mund të mos ia dalin mirë në shkollë. Qasja detyruese është e përforcuar nga sistemi arsimor në disa vende, ku pjesa më e madhe e mësimdhënies bazohet në të mësuarit përmendësh, në vend se përmes të kuptuarit dhe pjesëmarrjes. Bazuar mbi këtë sistem, prindërit dhe shkollat kanë pak çka për t’ia uruar vetes. E gjithë ajo që ata kanë bërë është se kanë ndihmuar në kontributin për të “fabrikuar” individë, sjellja shoqërore e të cilëve është e lidhur me institucione diktatoriale dhe autoritare. Ky është një qëndrim prej skllavi që e gjejmë nëpër administratat qeveritare, partitë politike, lëvizjet shoqërore, departamentet e policisë, ushtritë kombëtare, korporatat dhe fabrikat. Ata individë të paktë që i shpëtojnë këtijsistemi arsimor dhe që nuk i dorëzohen tiranisë së shoqërisë, kanë pak mbështetje. Ata sillen me hipokrizi dhe e ndjekin turmën, apo bëhen njerëz të papërshtatshëm dhe gjembaçë në anën e një sistemit thellësisht me të meta, me vuajtje dhe zhgënjim pasues.
Ekziston një krizë në mendjen muslimane dhe në edukimin psikologjik dhe emocional të fëmijëve muslimanë. Mungesa e një qasjeje metodologjike koherente dhe fragmentimi dhe këmbimi i diturisë janë përgjegjëse për shtrembërimin e kulturës dhe mendimit musliman. Mungesa e vëmendjes kushtuar prindërimit të kualifikuar është njësoj përgjegjëse për privimin serioz emocional dhe psikologjik të fëmijëve të rinj. Qasja e tashme e shumë muslimanëve ndaj prindërimit nuk e përmban vizionin kur’anor të imran-it (krijimi dhe zhvillimi i një qytetërimi), itkan-it (perfeksioni) dhe tefekkur-it (eksplorimit); më tepër ai është i fjalëpërfjalshëm, i skllavëruar dhe imitues. Në vend që të jenë shkencorë, objektivë dhe metodologjikë, muslimanët janë paragjykues. Ata janë të pushtuar nga ideja e xhinëve dhe magjisë, dhe i humbasin frutat e një mendësie shkencore.
Është një perceptim i gjerë se përgjegjësia për zgjidhjen e ngecjes intelektuale dhe krizës së
mendjes që thuajse e ka paralizuar Ummetin, bie drejtpërsëdrejti mbi supat e mendimtarëve dhe edukatorëve. Megjithatë, ndonëse ata kanë një rol të rëndësishëm për ta luajtur, përfundimisht ne duhet të kërkojmë zgjidhje te prindërit. Pasi të binden, prindërit gjithsesi do ta bëjnë maksimumin e tyre për të rritur fëmijë të shëndoshë, të lirë dhe mirë të përshtatur, të aftë për ta marrë mbi vete mantelin e udhëheqjes, dhe për të sjellë një ndryshim pozitiv në shoqëri, duke e ndryshuar përfundimisht paralizën e Ummetit.
Gjendja e sotme e zymtë e prindërimit mund të karakterizohet me sa vijon:
- Analfabetizmi dërrmues ndër prindërit, që është një pengesë për kërkimin e diturisë dhe
mësimin e shkathtësive;
- Kultura e frikës që ngjall “mendësinë e skllavit” të privuar nga kreativiteti dhe iniciativa;
- Imitimi dhe bindja e verbër ndaj të tjerëve (“mendësia e kopesë”), pa analizë kritike; dhe
- Qasja autoritare dhe detyruese në shtëpi dhe në sferën publike.
Prindërimi mund të bëjë apo të zhbëjë një familje, një shoqëri dhe një qytetërim. Ndërtimi
i qytetërimit nuk përfundon kurrë dhe nuk është punë e çastit; më tepër, ai është një mënyrë e jetës dhe një proces dinamik i vazhdueshëm. Ai ka fillim, por nuk ka fund. Qytetërimi vazhdon të rritet, përmirësohet dhe zhvillohet. Ai është një çështje eksplorimi, zbulimi dhe përmirësimi (ihsan) të vazhdueshëm. Ne i inkurajojmë prindërit të mendojnë për tablonë e madhe, si dhe të mendojnë për pasojat e praktikave të tyre të prindërimit mbi shoqërinë në përgjithësi.
Kur fëmijët rriten në një gjendje frike dhe shtypjeje, ata kanë frikë të ndërmarrin rreziqe dhe
kanë frikë të marrin vendime. Në fund, ata përfundojnë me mungesë ndjenje për përgjegjësi dhe nuk janë në gjendje të marrin vendime. Fëmijët e frikësuar po ashtu pranojnë qëndrime vetë-tolerante që shpien në mungesë pjesëmarrjeje në punët publike, dhe kjo i frenon ata nga vënia në dyshim e autoritetit të prijësit, që rezulton me regjime autoritare dhe diktatoriale. Fëmijët e rritur kësisoj do të përfundojnë duke e toleruar korrupsionin dhe duke u larguar me turp nga përmbushja e detyrave të tyre ndajshoqërisë. Fryma ekipore humbet në proces e sipër, duke e penguar themelimin e atyre institucioneve që janë të domosdoshme për ndërtimin e shoqërive. Shikimi prapa dhe kultura e ngurtë e besëtytnisë dhe iracionalitetit e rrënjosur në mendjet e freskëta të të rinjve, garanton mungesën e zhvillimit në shkencë dhe teknologji. Epoka e artë e qytetërimit islam lulëzoi për shkak se gjithë këta faktorë mbaheshin në mend teksa rriteshin fëmijët. Për shembull, praktika e gjidhënies shihej si një aspekt integral i rritjes së fëmijëve, ku vëmendja i kushtohej zhvillimit të domosdoshëm emocional e psikologjik të fëmijës.
Në të vërtetë, përgjigjja ndaj pyetjes “përse një qytetërim i tillë madhështor u gremis për t’u bërë më i ulëti nga të ulëtit?” qëndron në një aspekt të rëndësishëm: mënyra se si i rrisim fëmijët tanë, duke filluar që nga lindja. Mungesa e përqendrimit mbi prindërimin e mirë është përmasa kyçe që mungon në përpjekjet reformuese të mëdha dhe të shumta në historinë muslimane.
Çfarë mund ta parashohë stilin e prindërimit?
A ka ndonjë lidhje midis bashkëveprimeve tona me prindërit tanë dhe mënyrës se si bashkëveprojmë ne me fëmijët tanë? Prindërit që i abuzojnë fëmijët e tyre shpesh thonë se edhe ata vetë janë abuzuar si fëmijë. A është e mundur që përvojat pozitive të fëmijërisë së një personi me prindërit e tij/saj ta parashikojnë zhvillimin e mundshëm të një stili prindërimi të ngrohtë, të ndjeshëm dhe stimulues? A ka ndonjë bartje ndërbreznore e stilit të prindërimit?
Historiku i rritjes së fëmijës nga një prind jep një kontribut të shtuar për stilin e tij/saj të mundshëm të prindërimit. Në përgjithësi, prindërit që kanë përjetuar një rritje të tyre më përkrahëse në cilëndo periudhë të fëmijërisë, bëhen prindër të ngrohtë, të ndjeshëm dhe stimulues për fëmijët e tyre. Prindërimi përkrahës është i shoqëruar me zhvillim njohës të përmirësuar që nga mosha trevjeçare. (Baumrind 2008)
Baballarët kanë prirje të bashkëveprojnë ndryshe nga nënat me foshnjat dhe të vegjlit e tyre. Derisa shumica e baballarëve dhe nënave janë të ngjashëm në reagimin, stimulimin, përzemërsinë dhe mësimin e tyre, baballarët tentojnë të futen në lojë më shumë fizike sesa nënat. Megjithatë, që të dy prindërit lozin më shumë fizikisht me bijtë sesa me bijat. Niveli arsimor i nënave dhe baballarëve po ashtu është i ndërlidhur me performacën eventuale të fëmijëve në shkollë dhe në fusha të tjera. Është interesante se sa më shumë vite arsimimi të ketë babai, aq më përkrahëse tenton të bëhet nëna me fëmijët e tyre. (Ricks 1985)
Përveç pasqyrimit të stilit të prindërve tanë në rritjen e fëmijëve, ne nganjëherë e kundërshtojmë stilin e prindërve tanë në rritjen e fëmijëve. Mund të ketë disa dallime në praktikat e rritjes së fëmijëve nga brezi në brez. Gati gjysma e gjyshërve/gjysheve mendojnë se nipërit/mbesat e tyre janë duke u rritur ndryshe nga mënyra në të cilën ata i kanë rritur fëmijët e tyre. Gjysma e atij grupi thonë se pasardhësit e tyre janë më shpirtbutë me nipërit/mbesat e tyre, sesa kanë qenë ata si prindër. Më pak se gjysma thonë se fëmijët e tyre u japin nipërve/ mbesave të tyre më pak përgjegjësi shtëpiake nga ato që u janë dhënë fëmijëve të tyre, dhe se nipërit/mbesat e tyre kanë më shumë mundësi se ato që ata ua kanë siguruar fëmijëve të tyre (Zogby International 2006).
Pavarësisht nga fëmijëria, “familja e origjinës”, arsimimi apo të ardhurat e prindërve, prindërit e shëndoshë zbulojnë se fakti që kanë fëmijë të vet është një mundësi që ata t’i rimendojnë mënyrat në të cilat ata janë rritur. Ata mund ta përsërisin apo ta përmirësojnë metodën e prindërve të tyre me fëmijët e vet teksa këta janë duke u rritur.
Autor: Hisham A., Abdulhamid E., Omar A., ‘’Marrëdhëniet prind-fëmijë’’ (Udhëzues për rritjen e fëmijëve)