Një baba, që nuk arrin të ndërtojë këto mënyra të sjelluri dhe të menduari, tregon se nuk është i rritur si person. Ky njeri nuk është i rritur vetë në njerëzore dhe nuk arrin të njohë veten e tij. Kështu fshihet pas paragjykimeve apo faktit që është babai dhe mund të bëjë ç’të dojë me fëmijët e tij, apo me familjen e tij dhe, se ata duhet t’i nështrohen. Ky baba sillet e vepron nëpërmjet pushtetit mbi tjetrin, që nuk ka asnjë lidhje me dashurinë prindërore.
Babai, që justifikon sjelljen e tij konfuze dhe të ashpër duke u fshehur pas akuzës për të bijën, pasi ajo mund të marrë rrugë të keqe apo sillet keq, është vetëm një njeri i paaftë për të qenë konstant me detyrën e tij si prind. Ai është i paaftë të përdorë fjalën dhe nuk e njeh fuqinë e saj. Ai nuk di të ndërtojë dialog, që është dhe një nga detyrat e tij. Për fat të keq, te ky njeri mbizotëron instiktivja dhe ai është i paaftë ta menaxhojë gjendjen. Kështu, ose shpërthen në dhunë ose hesht dhe bëhet jo prezent edhe pse është aty fizikisht.
Nëse raporti baba-vajzë nuk bazohet në respektin e njeriut ndaj njeriut, ku të dy dëgjojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë mundësi të flasin dhe të shpreh mendimin e vet secili, pa u paragjykuar apo duke humbur durimin, nuk ndërtohet marrëdhënie! Mbizotëron frika, e cila nuk lejon të flitet me kurajo. Të dy i shmangen njëri-tjetrit, ose flasin në kulm të nervozizmit, kur situata precipiton në dhunë verbale dhe fizike. Pra këta dy njerëz, baba dhe vajzë, dashur pa dashur bëhen të huaj me njëri-tjetrin.
Një baba duhet të dijë ta ndërtojë dhe udhëheqë një proces të tillë, madje kjo është detyra e tij si i rritur. Është e vërtetë, që të bërit prind është detyra më e vështirë, që njeriu përballet, por jo e pa realizueshme. Natyrisht që kërkohet shumë vullnet dhe përgjegjsi, por njeriu i ka potencialët, mjafton t’i verë në veprim.
Mendoj se, kur shikon vajzën që është rritur dhe është e integruar mirë në njerëzore, edhe babai ndihet i përkëdhelur në veten e tij pasi e ka udhëhequr mirë në këtë proces. Ai ka qënë prezent pa zënë vend, duke e lënë atë protagoniste të jetës së saj.
Nga Lira Gjika