ARSIMI
IV
Më sipër theksuam se fëmija hyn në një botë të re përmes shkollës. Kjo botë është unversi i temave abstrakte, është bota e qytetërimeve të kaluara. Është një botë në të cilën fëmija, me kalimin e kohës, ballafaqohet me qytetërimin e vjetër të Mesopotamisë, të Egjiptit, të Greqisë, me atë romak, me qytetërimin e mesjetar të krishterë, me qytetërimin islam dhe me atë osman si version i qytetërimit islam; me Rilindjen dhe me qytetërimin perëndimor të periudhave vijuese. Sistemi arsimor dhe arsimtarët tanë të së kaluarës e shpërfillnin një pjesë të këtyre qytetërimeve. Qytetërimi ynë u shpjegohej dhe bëhej i dashur për nxënësit me një metodë direkte, paksa të vjetruar dhe të papërpunuar siç duhet.
Mësohej Sadiu, Mulla Xhamiu, vepra Mesnevi etj. Nëpër shkollat tona sot nuk mësohet një vepër klasike, siç është Baharistan-i i Xhamiut, një vepër kjo ku të rinjve u jepet mësim për sunduesit, për frymën e tyre, për domethënien e pushtetit; ku dijetarët, poetët, drejtësia, poezia dhe tema të ngjashme shpjegohen përmes rrëfimeve të gjalla. Sistemi ynë arsimor i vjetër përfshinte mësimin dhe përvetësimin e klasikëve. Ndoshta këtij fakti i duhen shtuar edhe klasikët e qytetërimit perëndimor. Kjo ishte reforma që duhej bërë nga osmanët. Në të vërtetë, mendimi grek, në një mënyrë të tërthortë ishte pjesë e sistemit tonë arsimor klasik. Por, më vonë, Perëndimi ishte përjashtuar tërësisht nga ky rrjet. Si reaksion ndaj këtij fakti, pas Tanzimatit, me një shpejtësi gjithnjë e më të madhe, filluam të përjashtonim edhe klasikët tanë.
Sot rrjeti ynë edukativ dhe arsimor nuk përfshin as klasikët e Lindjes, as tanët dhe as ata të Perëndimit. Ndosh ta nëpër librat mësimorë edhe mund të gjenden njohuri të thata e të vdekura nga letërsia, historia dhe arti, por kjo nuk përbën edukatën dhe arsimin klasik. Nxënësi i shkollave tona sot mbetet shumë larg dhe i huaj ndaj këtyre botëve të së kaluarës.
Ministrisë sonë të Arsimit, aq shumë i janë shtuar har- xhimet për personelin, për ndërtesat dhe punën, saqë nuk gjen rast e as kohë që të mendojë për një program të llojit për të cilin po flasim. Ky institucion duhet t’i botojë patjetër klasikët. Për fat të keq, as botuesit privatë nuk merren me botimin serioz dhe sistematik të veprave klasike. Kjo ndër- marrje, që njëfarësoj nisi nga ana e shtetit, mbeti e ftohtë, artificiale dhe gjysmake. Më pas kjo nismë u bë një temë politike dhe ra sërish në heshtje. Por, sot ajo duhet ringja- llur medoemos. Dhe meqë nuk e bën dot sektori privat, duhet ta bëjë shteti; ose, përndryshe duhet inkurajuar sektori privat që t’i dalë në krye kësaj pune. Ky sektor duhet ndih- muar, i duhen ofruar ekspertë dhe puna e institucioneve që do të merren me këtë nismë duhet mbajtur nën vëzhgim. Shteti dhe sektori privat, dorë për dore, duhet t’i botojnë të gjithë klasikët tanë nga e para, me një sistem dhe program të caktuar; kurse poetët arabë dhe persianë duhen përkthy- er nga poetë ose individë që janë të aftë të merren me botën e poezizë. Nëse Ministria e Arsimit s’i del për zot kësaj pune, atëherë duhet ta marrë përsipër Ministria e Kulturës.
Në këtë drejtim dua të prek edhe një çështje: atë të Ministrisë së Kulturës, lidhur me të cilën është shkruar shu- mëçka. Mendoj se çështjes nuk i është rënë në të. Kjo minis- tri, një herë u themelua e më pas u abrogua. Më në fund u bashkua me Ministrinë e Turizmit. Kjo tregon se ne nuk e kemi kuptuar akoma funksionin e kësaj ministrie. Në vendet perëndimore, detyra e Ministrisë së Kulturës është ruajtja e monumenteve kulturore të së kaluarës, kurse misioni i kësaj ministrie është të vendosë në shërbim të të huajve vizitorë pasuritë natyrore dhe kulturore të vendit. Botimin e klasikëve e bëjnë shtëpitë e mëdha botuese, e jo shteti. Ministria e Arsimit u jep nxënësve kulturën klasike. Kështu që, detyra e Ministrisë së Kulturës është mbrojtja dhe konservimi i veprave artistike, i veprave dhe monu- menteve me vlerë historike.
Te ne qëndron akoma pezull çështja e kulturës së gjallë që duhet mbjellë te qytetari, pra e kulturës klasike që for- mon personalitetin. Kush do e kryejë këtë detyrë? Ministria e Arsimit, derisa të nisë arsimi klasik, këtë detyrë duhet t’ia kalojë Ministrisë së Kulturës. Në Turqi, ndryshe nga vendet e tjera, Ministria e Kulturës duhet të marrë përsipër edhe detyrën e formësimit të kulturës klasike dhe të mbjelljes së saj te njerëzit. Ky segment përfshin botimin e klasikëve, kontributin për ndërtimin e shprehisë për bibliotekë famil- jare, për realizimin e programeve kulturore në TV etj.
Tema e Ministrisë së Turizmit do zbërthehet në këtë libër si një temë e veçantë. Ministria e Kulturës është një subjekt i posaçëm. Në këtë pjesë u ndalëm pak te raporti i saj me arsimin. Detyrat e Ministrisë së Kulturës nuk duhet t’i kufizojmë te mbrojtja e monumenteve artistike, historike dhe kulturore të së shkuarës, siç ndodh në Perëndim. Nëse njerëzit e rritur nuk kanë arritur që t’i bëjnë pjesë të perso- nalitetit të tyre artin dhe kulturën, kjo do të thotë se nuk do të arrijnë t’i shfrytëzojnë sa duhet shërbimet e kësaj ministrie.
Sezai Karakoç, ‘’Mendime dhe koncepte’’
Përgatiti: Prinderimi.com