Rregullat e përshkruara në këtë artikull do të sqarojnë se si të menaxhoni me belbëzimin tuaj duke futur në përdorim ushtrime shëruese të caktuara bazë. Këto përbëhen prej dymbëdhjetë rregullave shumë të rëndësishme, të cilat shkurtimisht përmbledhin këtë program. Në mënyrë të përgjithshme, ato përshkruajnë se si të menaxhoni vështirësinë tuaj duke përvetësuar përparësitë e dy qasjeve.
Së pari, përmes modifikimit të ndjenjave tuaja dhe qëndrimit rreth belbëzimit tuaj duke zvogluar frikën ndaj të folurit dhe sjelljeve të shmangies. Së dyti, përmes modifikimit të sjelljeve të parregullta të shoqëruara me belbëzimin tuaj duke përdorur teknika të caktuara të cilat do të ndryshojnë formën e belbëzimit tuaj ashtu që ju të mund të flisni pa këto abnormalitete.
Janë dymbëdhjetë rregulla. Do të dëshironim të rekomandojmë një program më të thjeshtë, por për fat të keq, siç është cekur, belbëzimi është një çrregullim i komplikuar. Prandaj, këshillohet të përvetësohen përparësitë e të gjitha qasjeve të mundshme të cilat mund të kenë rezultat drejt zgjidhjes së problemit tuaj. Këshillohet që së pari të lexoni dhe të studioni me kujdes secilën rregull që është përshkruar në faqet vijuese. Për të përparuar, është e nevojshme që të bëni më të mirën për të përmbushur secilën prej tyre – duke punuar në to një nga një. Është e dëshirueshme që atyre t’u qaset me renditjen sipas të cilës janë dhënë, edhe pse kjo është qështje e zgjedhjes suaj të lirë.
Ashtu siç janë dhënë sipas renditjes, rregullat janë të orientuara së pari në redukimin e ndjeshmërisë suaj ndaj belbëzimit dhe ndaljen e shprehive të shmangies. Mandej ju do të koncentroheni në përmirësimin e asaj se çfarë bëni gabimisht gjatë belbëzimit. Lidhur me këtë qëllim të fundit, një rregull e rëndësishme do t’ju ftoj që të bëni një studim të detajizuar të asaj se çfarë bëni në mënyrë jo të natyrshme me mekanizmin e të folurit gjatë belbëzimit. Mandej ky informacion do të përdoret për të mundësuar që të eliminoni këto gjëra që i bëni në mënyrë të panevojshme dhe të përmirësoni atë që e bëni gabimisht.
Për të korigjuar sjelljen e gabueshme të mekanizmit të të folurit, do të udhëzoheni që të përdorni korigjimet pas bllokimit, gjatëbllokimit dhe para-bllokimit. Këto terma kanë të bëjnë me metodat e disenjuara që të ju ndihmojnë të kaloni me lehtësi nëpër fjalët për të cilat keni frikë në një mënyrë të parapërcaktuar ashtu që të zhvilloni një ndjenjë të kontrollit. Puna për përmbushjen e qëllimeve të këtyre rregullave nuk do të jetë e lehtë – në fakt, mund të jetë një proces shumë i gjatë dhe shqetësues. Në mënyrë të qartë, kjo kërkon kohë dhe përcaktim jo vetëm për të punuar në redukimin e frikës suaj ndaj vështirësive por gjithashtu edhe për modifikimin e mostrës së sjelljes suaj gjatë të folurit.
Disa rregulla mund të redukojnë sasinë e belbëzimit dhe mund të kenë më shumë rëndësi për ju se sa rregullat tjera, për shkak se ato godasin pikat tuaja të dobëta. Si rezultat, ju mund të vlerësoni se arritja e qëllimeve të disa rregullave mund të kontriboj më shumë në rastin tuaj. Për fat të keq, nuk ekziston një mënyrë për ne që të dijmë cilat janë pikat e juaja të veçanta të dobëta, prandaj ju sugjerojmë që
të kaloni nëpër të gjitha rekomandimet. Mbani mend, ju jeni terapeut i vetvetes dhe ju mund të mos keni
asnjë njeri për t’ju mbikqyrur nëse kaloni apo jo nëpër të gjitha rregullat. Përmbushja perfekte nuk është e mundshme dhe nuk pritet, por rezultatet janë ato se çfarë dëshironi dhe ju nevojitet.
Puna në këto ushtrime të dobishme dhe modifikimi i belbëzimit tuaj duhet të jetë çelës për arritjen e progresit. Më së miri është që të punohet duke tentuar që të përmbushet vetëm një rregull njëkohësisht. Kur të ndjeni se keni arritur rezultatet e dëshiruara të asaj detyre, edhe pse kjo mund të zgjas, atëherë kaloni në rregullën tjetër. Planifikoni sesionet ushtruese që të përkojnë me rutinën e aktiviteteve ditore siç janë koha e ushqimit, pauzat, ose shkuarja/kthimi nga puna ose shkolla. Ushtrimet e paplanifikuara në përgjithësi janë të destinuara për pak apo aspak ushtrim. Bëni përpjekje të vërteta që të përmbushni me sinqeritet secilën prej këtyre udhëzimeve sipas aftësive tuaja maksimale. Kjo do t’ia vlej. Jepni vetes një dozë të fortë të fuqisë së dëshirës dhe keni besim në vetvete në aftësitë e juaja që të keni përparim. Kapitujt në vazhdim do t’ju shpjegojnë më hollësisht se si të punoni në arritjen e qëllimeve për secilën rregull. Ato janë këtu – tani le të fillojmë të punojmë. (Disa persona që belbëzojnë ndjejnë pak apo aspak turp apo anksiozitet lidhur me belbëzimin e tyre. Ata nuk duhet të shqetësohen lidhur me këto rregulla të drejtuara për redukimin e turpit dhe anksiozitetit siç duhet të bëjnë të tjerët.)
(1) Bëni shprehi që të flisni gjithmonë ngadalë dhe me maturi pa marrë parasysh a belbëzoni apo jo. Më mirë është të shkoni shumë ngadalë se sa shumë shpejt.1 Është më lehtë të kontrollohet një breshkë e ngadalshme sesa një lepur i shpejtë, prandaj ngadalsoni. Ky udhëzim i parë ju fton të krijoni një shprehi për të folur gjithmonë ngadalë dhe me maturi. Kjo shkakton një mënyrë të të folurit që është përgjithësisht e respektuar. Por kjo rekomandohet kryesisht për shkak se me këtë do të rezultoj një mënyrë më e ndryshueshme dhe më e relaksuar e të folurit që reagon më lehtë në procedurat e terapisë.
(2) Kur të filloni të flisni, bëni atë në mënyrë të lehtë, të butë dhe lëmueshëm pa sforcim dhe zgjatni tingujt e parë të fjalëve për të cilat keni frikë. Kjo do të thotë të folurit me vendosmëri me zërin tuaj duke rrjedhur butësisht nëpër tingujt e fjalëve me një lëvizje të çliruar dhe të lehtë të buzëve, gjuhës dhe nofullës.1 Ky udhëzim shumë i rëndësishëm na sugjeron që kur të belbëzoni, rrëshqitni lëmueshëm dhe me butësi në fjalët në mënyrë sa më të lehtë dhe sa më të qetë të mundshme. Nëse e përmbushni këtë rregull dhe i’a lejoni vetes të belbëzoni me lehtësi, intensiteti i belbëzimit tuaj do të zvoglohet ashtu si edhe frekuenca e belbëzimit tuaj.
(3) Belbëzoni në mënyrë të hapur dhe mos u mundoni ta fshehni faktin se ju belbëzoni. Paraqituni në mënyrë të hapur sepse nuk ka ndonjë dobi nëse pretendoni se jeni një folës normal. Duke u munduar që të fshehni belbëzimin tuaj vetëm i ndihmoni që ai të përjetësohet edhe më shumë. Tregoni njerëzve me të cilët flisni se ju belbëzoni dhe përvetësoni një qëndrim që të belbëzoni me qëllim. Nëse ju përvetësoni një qëndrim të çiltër dhe të hapur, kjo ju ndihmon që të redukoni turpin dhe anksiozitetin që mund ta keni lidhur me vështirësinë tuaj.
(4) Identifikoni dhe eliminoni çdo gjest të pazakonshëm, shtrembërim të fytyrës, ose lëvizje të trupit që ndoshta e shfaqni kur belbëzoni apo kur tentoni të shmangni vështirësinë. Kjo nuk ka të bëjë me atë se çka bëni në mënyrë jo të drejtë me muskujt e aparatit të të folurit, të cilët do të shqyrtohen me kujdes më vonë. Rregulla e lartëpërmendur ka të bëjë me mënyrën e veçantë të panevojshme ose lëvizjet e dukshme që mund të karakterizojnë sjelljen e veçantë të mënyrës se si belbëzoni, që quhen “simptome sekondare”.
(5) Përpiquni që të ndaloni të gjitha shprehitë e shmangies, shtyerjes ose të zëvendësimit që mund t’i keni mësuar për të larguar, fshehur apo minimizuar belbëzimin. Është shumë e rëndësishme që të ushtroni për të mos përdorur shmangiet, shtyerjet apo zëvendësimet. Shumica e vështirësive të personave që belbëzojnë mund të kenë lënë gjurmë në shprehitë e shmangies. Ndonëse përkohësisht ajo jep lehtësim, shprehia e tillë në të vërtetë e rrit frikën dhe shkakton më shumë vështirësi në planin afatgjatë. Për shembull, nëse telefoni cingërron dhe ju refuzoni të lajmëroheni, për arsye se ju frikësoheni se nuk do të jeni në gjendje të flisni mirë, akti i shmangies së kësaj situate vetëm do të tentoj të shkaktoj frikë ndaj telefonit.
(6) Mbani kontaktin me sy me bashkëbiseduesin. Ndoshta ju tashmë e bëni këtë, por nëse jo, filloni ta shikoni dëgjuesin në sy pak a shumë vazhdimisht në mënyrë të natyrshme. Është veçanërisht me rëndësi për ju të mos e largoni shikimin kur belbëzoni apo pritni se do të belbëzoni. Ndoshta nga arsyeja që janë të turpëruar nga vështirësitë me të folurit e tyre, shumica e personave që belbëzojnë kanë tendencë të shmangin shikimin nga dëgjuesit e vet gjatë belbëzimit. Mbajtja e vazhdueshme e kontaktit me sy ndihmon në reduktimin e ndjenjës së turpit dhe anksiozitetit. Nëse nuk jeni duke mbajtur kontakt normal të shëndetshëm me sy, koncentrohuni që ta bëni këtë.
(7) Analizoni dhe identifikoni se çfarë bëjnë në mënyrë të parregulltë muskujt e apartatit të të folurit gjatë belbëzimit. Është pjesë thelbësore dhe shumë me rëndësi e këtij programi që të jeni në gjendje për të përcaktuar veçanërisht se çfarë bëjnë në mënyrë të parregulltë muskujt e aparatit të të folurit kur belbëzoni. Kjo përfshin të kuptuarit se çfarë bëni gabimisht ose në mënyrë të panevojshme që duhet të modifikohet ose korigjohet. Të përsërisim, pasi ju jeni duke shfrytëzuar në mënyrë jo të rregulltë muskujt e aparatit të të folurit, është me rëndësi të zbuloni se çfarë bëni në mënyrë të parregulltë ashtu që të mund të punoni në korigjimin e kësaj.
(8) Përfitoni nga procedurat e korigjimit të bllokimeve të disenjuara për të modifikuar ose eliminuar sjelljet belbëzuese jonormale të muskujve të aparatit të të folurit. Të kuptuarit dhe zbatimi efikas i këtyre procedurave mund të jenë çelës për të bërë përparim thelbësor. Këto procedura të dobishme përfshijnë:
(1) korigjimin pas bllokimit që përshkruan se çfarë të bëni lidhur me bllokimet e belbëzimit pasi të kenë ndodhur ato,
(2) korigjimin gjatë bllokimit që përshkruajnë se çfarë të bëni lidhur me bllokimet kur ato janë duke ndodhur, dhe (3) korigjimet para bllokimit që ju ftojnë të planifikoni dhe të përgaditeni për të, ashtu që bllokimi të mos ndodh.
(9) Gjithmonë vazhdoni përpara derisa flisni, përveç nëse përsëritni me qëllim për të theksuar një fjalë ose një mendim. Nëse belbëzoni, planifikoni të belbëzoni pa turp pa u ndalur apo përsëritur asnjë tingull. Disa persona që belbëzojnë kanë shprehinë e përsëritjes së tingujve që janë të vështira për ta, kur tentojnë të nxjerrin një fjalë (d-d-d-djalë, etj). Kur të filloni dhe artikuloni një tingull ose fjalë, nuk ka dobi nëse e mbani atë ose e përsëritni atë. Vazhdimi i rrjedhjes së zërit tuaj do të punoj kundër çdo tendence për të mbajtur një bllokim, zgjatje ose përsëritje të tingujve ose fjalëve në të cilat parashikohet vështirësia.
(10) Tentoni që flisni me modulim (lakueshmëri) dhe melodi me një zë të sigurt pa tingëlluar fals ose artificial. Shmangni të folurit në mënyrë monotone dhe vazhdoni ta ndryshoni shpejtësinë e të folurit dhelartësinë e të folurit. Flisni në një mënyrë melodike pa tingëlluar artificialisht. Përdorimi i shprehjeve natyrale me variacione në ton dhe shpejtësi do ta bëjë të folurin tuaj më të relaksuar dhe më të këndshëm.
(11) Kushtoni kujdes rrjedhshmërisë së të folurit që keni. Ndjeni lëvizjet dhe pozitës gjatë të folurit të rrjedhshëm. Mos jeni i vetëdijshëm vetëm për belbëzimin tuaj. Dëgjoni veten edhe kur jeni i rrjedhshëm. Ju duhet të dalloni dhe mbani mend përvojat e suksesshme dhe të këndshme të të folurit. Mentalisht përsëritni situatat e suksesshme folëse dhe ndjeni rrjedhshmërinë tuaj për të formuar vetëbesimin.
(12) Derisa punoni në këtë program tentoni të flisni sa më shumë që mundeni pasi juve ju nevojitet çdo rast për të punuar në procedurat e rekomanduara. Kjo nuk do të thotë se ju duhet të bëheni i bezdisshëm por të flisni sa më shumë – me siguri ju keni qenë i heshtur një kohë të gjatë. Flisni kur dëshironi të flisni. Nëse nuk ekzistojnë rastet për të folur, ju duhet të bëni më të mirën për të krijuar ato. Le të dëgjojnë të tjerët idetë tuaja. Nëse nuk mund të gjeni një dëgjues, atëherë gjithmonë ekziston telefoni. Telefononi ndonjë supermarket dhe bëni disa pyetje.
Këto janë rregullat më të rëndësishme themelore të cilat duhet të sundojnë sjelljen e të folurit tuaj. Këto shkurtimisht paraqesin praktikat që ju mundësojnë të menaxhoni çrregullimin tuaj.
Autor: Malcolm Fraster, ”Vetë-terapia për belbëzim’‘
Përgatitur nga: Prinderimi.com