“Të jesh i zoti në shkollë nuk do përkthehet detyrimisht me të qenurit i zoti ne jetë, por thjesht në të qenurit i zoti në programin që një institucion ka përzgjedhur. Shkolla shpesh nuk arrin dot të prekë apo zhvillojë shumë talente, sidomos ato më specifiket. Prandaj lejojini fëmijët të eksplorojnë…”
Me nisjen e shkollës, sidomos të klasës së parë, është e vështirë mos të të rikrijohet ne mendje dita ime e parë. Brezi im është rritur me një refren që përmbante kryesisht këto fjalë “të-tëra-dhjeta, i/e-shkëlqyer-në-mësime, mëso-që-të-jesh-i-pari…” e të tjera të ngjashme.
Në një botë të hiperkomunikuar, me akses të pamasë në informacion, kupton që dijet që merr në shkollë janë vetëm një pjesë e vogël e oqeanit të madh. Shpesh këto njohuri janë të cunguara, me grimca interpretimi (në varësi të shkollës apo shtetit ku je) apo edhe pa aplikim në jetën e përditshme.
Të jesh i zoti në shkollë nuk do përkthehet detyrimisht me të qenurit i zoti ne jetë, por thjesht në të qenurit i zoti në programin që një institucion ka përzgjedhur. Shkolla shpesh nuk arrin dot të prekë apo zhvillojë shumë talente, sidomos ato më specifiket. Prandaj lejojini fëmijët të eksplorojnë, të kuptojnë çfarë u pëlqen, të marrin më të mirën e kujtimeve të shkollës, pa presion dhe pa frikë.
Ata janë më shumë se sa etiketa “nxënës i mirë“ apo “nxënës jo i mirë”. Janë qenie që duhen mbështetur dhe shtyrë të guxojnë, të marrin iniciativën dhe të mësojnë të ringrihen nëse dështojnë, sepse ky është suksesi i vërtetë.
Shkolla ama e ka një detyrë, e cila është akoma më e lartë se sa të japë njohuri: atë të formuarit qytetarë. Të japë parimet e organizimit, sjelljes dhe bashkëjetesës në komunitet, disiplinës dhe, mbi të gjitha, respektit për të tjetrin dhe për të përbashkëtën.
Unë nuk dua që fëmija të jetë gjenial, dua vetëm të jetë i lumtur.