A i kritikojmë ne shkrimtarët e famshëm që shkruajnë në biografi dobësitë e mangësitë e tyre pa pasur frikë se “u dëmtohet imazhi”? Apo i admirojmë për shkak të guximit?
Këta njerëz të famshëm, i ndihmojnë njerëzit e i frymëzojnë të dalin nga bataku i sekreteve e dobësive. Asgjë njerëzore nuk mund të përçmohet. Ne e dimë që po përjetojmë një ndjenjë pavarësisht se nuk e bëjmë të dukshme. Përpjekja për ta fshehur na largon nga vetja.
Vetëvlerësimi është dimensioni që mund të zhvillojmë e mund të dallojmë më me lehtësi në krahasim dashurinë dhe vlerësimin për vetveten brenda ndjenjës së vlerësimit. Nëse arrijmë në besimin se nuk jemi të denjë për t’u dashuruar në rastet kur na bie dashuria për vetveten, ne vazhdojmë të jetojmë me këtë besim për sa kohë nuk e ndryshojmë atë. Nuk arrijmë as të duam e as të ndihemi të dashuruar. Kjo gjendje është shumë e lehtë të racionalizohet: fillojmë të besojmë se duhemi aq sa meritojmë dhe mllefin që kemi ndaj vetes e drejtojmë nga partneri apo miqtë.
Në këto kushte nuk arrijmë të dallojmë rënien e vlerësimit për veten, por kjo nuk është pengesë që ne t’ia ndiejmë mungesën. Ne mendojmë se mund të zotërojmë diçka duke e mbyllur këtë boshllëk.
Mund të kuptojmë më me lehtësi në ç’gjendje është respekti për veten; sepse në natyrën e ndjenjave tona e dimë nëse kemi respekt apo jo. Nëse duam të zhvillojmë respektin për veten, fillimisht duhet të paqësohemi me ndjenjat që e kemi të vështirë t’i shprehim apo ia kemi ndaluar vetes qoftë edhe në mënyrë të pandërgjegjshme. Paqja me ndjenjat është një hap që duhet të hedhim në procesin e pashmangshëm të paqes me veten.
Ne mund t’i dallojmë ndjenjat që i kemi ndaluar vetes vetëm duke parë se si reagojmë ndaj atyre që përjetojnë këto ndjenja. Për shembull, një mashkull që i ka ndaluar vetes të qarën, nuk e përballon dot të qarën e një femre. Femrat mund ta manipulojnë atë si të duan me lotët e tyre. Ju mund ta përtypni këtë duke u sjellë me nervozizëm ndaj një femre që ia ka ndaluar vetes nervozizmin. Një femër që i ka ndaluar vetes të qeshurën e plotë, i percepton njerëzit e hareshëm si të lehtë e jo seriozë.
Një pikë e rëndësishme ku duhet të bëjmë kujdes këtu është – të respektojmë ndjenjat e të tjerëve po aq sa respektojmë ndjenjat tona. Gjërat që na bëjnë në të ndihemi mirë, mund të mos i bëjnë edhe të tjerët të ndihen ashtu. Nëse na shpëton nga sytë se çfarë ndiejnë të tjerët, do të thotë se po jetojmë një jetë egoiste. Egoizmi mund të na interesojë, por na ul respektin që kemi për veten.
Sado që mund të jemi përpjekur ta bëjmë të heshtë, të gjithë e kemi një ndërgjegje; kur ajo është e shqetësuar, na shqetëson edhe ne. Për të qenë të qetë, duhet të kemi një ndërgjegje të qetë.
Përgatiti: Perparim Blakaj, Prinderimi.com
Autor: Saim Koç & Nil Gün, ”Vetëvlerësimi”