Ka argumente të forta nga jeta reale që tregojnë se faza e adoleshencës nuk i ngjan asnjërës nga të dy fazat që i paraprijnë dhe vijnë pas saj: fëmijëria në njërën anë dhe mosha e rritur në anën tjetër. Kur i Dërguari a.s. i përmend shtatë lloje të njerëzve që do të jenë nën hijen e Arshit të Allahut në Ditën e Gjykimit, një lloj i tyre do të jetë një i ri, i cili e ka kaluar rininë duke adhuruar Allahun’. Në të vërtetë, kemi edhe disa hadithe të cilat mund t’i përmendim për të mbështetur pikëpamjen tonë për të rinjtë. Në një hadith i Dërguari a.s. ka thënë: “Allahu çuditet me një të ri i cili nuk rrëmbehet nga çmenduria”, dhe një tjetër: “Rinia është çmenduri e pjesshme.”
Më poshtë kam paraqitur disa mendime të përgjithshme:
1. Kur mendojmë për aspekte të ndryshme të telasheve që i kemi në raport me adoleshentët, arrijmë në përfundim se ato nuk janë aq të mëdha sa duken. Ato janë më tepër provokuese dhe shqetësuese. Fëmija i cili dikur ishte i dëgjueshëm dhe gjente prehje në prehrin e nënës, tani po lëviz ngadalë drejt moshës së rritur dhe pavarësisë. Sigurisht se ata do t’i refuzojnë shumë gjëra të mira dhe të arsye- shme, vetëm që t’i vërtetojnë vetvetes dhe të tjerëve se tani janë të rritur, se ata i kanë preferencat dhe pikëpamjet e tyre.
2. Ne shpesh i konsiderojmë problemet e adoleshentëve të mëdha, vetëm për shkak se ndodhemi shumë afër tyre. A shihni se sa shumë prindër i mendojnë adoleshentët e familjeve të tjera si më të sjellshëm sesa fëmijët e tyre? Shkaku është se ata i shohin fëmijët e tyre nga afër, përderisa fëmijët e të tjerëve i shohin nga larg. Sikur t’i shihnin fëmijët e të tjerëve prej së afërmi, ata nuk do të dallonin prej fëmijëve të tyre.
3. Zemërimi i prindërve me fëmijët e tyre shpesh buron nga teprimi në mbrojtjen e fëmijëve të tyre. Ata janë të interesuar t’i shohin fëmijët si më të suksesshmit dhe më të mirët. Ata dëshirojnë t’i ruajnë nga gabimet që vetë i kanë bërë në moshën e tyre. Atëherë, le ta kenë me dije prindërit se kurrë nuk do t’ia dalin t’i ruajnë fëmijët nga rënia në gabime, gjërat do të rrjedhin në mënyrë të natyrshme. Në të vërtetë, fëmijët do t’i përsërisin shumicën e gabimeve që të rriturit i kanë bërë në moshën e njëjtë. Duhet të kemi parasysh se adoleshentët më tepër do të mësojnë nga gabimet e tyre sesa nga udhëzimet dhe këshillat e familjes së tyre dhe këtë na e tregon historia.
4. Duhet të mos harrojmë se ne nuk jemi ideal dhe nuk jemi modeli i përsosur për fëmijët tanë në çdo aspekt, siç e mendojmë veten. Ne shpesh zemërohemi për asnjë arsye. Shpesh dyshojmë pa ndonjë arsye të mirë, shpesh u atribuojmë qëllimet më të këqija sjelljeve të fëmijëve tanë. Nëse sot ka shumë ankesa për tensione dhe fërkime në familje, të rinjtë nuk janë grupi i vetëm për t’u fajësuar për një gjendje të tillë; të rriturit janë të paktën pjesërisht përgjegjës për këtë.
5. Nëse të rriturit duan t’i krijojnë mundësi vetvetes për të pranuar shumicën e sjelljeve të të rinjve ose të paktën t’i tolerojnë ata, ata duhet t’i kenë parasysh dy gjëra:
Së pari, adoleshencën e tyre, e sidomos gabimet e lidhura me këtë fazë. Kjo do t’u ndihmoj të rriturve të kuptojnë atë që sot po ndodh dhe të përgjigjen me tolerancë.
Së dyti, atë që adoleshentët e kryejnë sot nuk do ta kryejnë për një kohë të gjatë. Gjërat do të rregullohen me kalimin e kohës. Më së miri është që të rriturit të kuptojnë si ka qenë sjellja e tyre në moshën e njëjtë. A nuk e shohim se tani e fajësojmë veten për gjërat që i kemi bërë në moshën 17 vjeçare? A nuk turpërohesh me një pjesë të sjelljes tënde që e ke bërë në atë moshë? Atëherë, është e natyrshme për ne, siç është e natyrshme për fëmijët adoleshent, të bëhen më të pjekur me kalimin e kohës.
6. Media luan një rol negativ kur i paraqet adoleshentët si të rebeluar dhe të shfrenuar. Ata të japin përshtypjen se adoleshenti vjen nga një botë tjetër.
Kjo ka tendencë të rrisë dallimet midis adoleshentëve dhe pjesës tjetër të shoqërisë dhe duket se i vë ata në pozitë të kundërshtarit me çdonjërin rreth tyre, brenda familjes dhe brenda shoqërisë në përgjithësi. Mirëpo, kjo nuk është e vërtetë. Adoleshentët janë pjesë e shoqërisë së tyre dhe tek ta gjejmë shumë pafajësi dhe spontanitet. Në të vërtetë, ata bëjnë shumë të mira. E vetmja gjë është se ata kalojnë nëpër një fazë unike që e bën komunikimin me gjeneratën më të vjetër të vështirë.
Do të bëj të pamundurën që në pjesën tjetër të librit të ndaj me lexuesit sa më shumë ide praktike dhe të dobishme. Do të vë në dispozicion të tyre shumë koncepte dhe parime, me një gjuhë sa më të thjeshtë që është e mundur.
Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Adoleshentët” (Vështrime mbi adoleshentët, si t’i kuptojmë, si t’u qasemi dhe si të ndërveprojmë me ta)