Një familje që lexon praktikon aktivitete që lidhen me leximin çdo ditë. Në një atmosferë të tillë, fëmijët ngado që të kthejnë kokën do të shohin babanë me një libër në dorë, vëllanë duke skicuar diçka ose nënën duke u sqaruar fëmijëve diçka që nuk e kuptojnë. Ekspertët deklarojnë se formimi i shprehisë së leximit dhe hyrja e fëmijëve në botën e lavdishme të librave, kërkon jetesën në mesin e një familjeje, e cila në mënyrë aktive është e involvuar me libra dhe lexim dhe preokupohet me disa brenga intelektuale.
Studimet shkencore tregojnë se roli i shtëpisë është më i rëndësishëm dhe ia tejkalon shkollës në ngulitjen e pasionit për lexim te fëmijët. Preokupimi i shkollave është mjaft i kufizuar në dhënien e një mase të caktuar të kulturës së përgjithshme dhe asgjë më tepër. Disa studime shtojnë se ekspozimi i fëmijës ndaj materialeve të printuara dhe librave në shtëpi para se të regjistrohet në shkollë ka një ndikim të madh në rritjen e aftësisë së tij njohëse.
Në anën tjetër, mungesa e një familjeje që përkrah leximin është një faktor shumë vendimtar që fëmija të mos kujdeset për leximin. Liga Amerikane për Këshillat e Prindërve ka bërë një anketë dhe ka dalë me rezultatin se: “82% e fëmijëve të cilët nuk e pëlqejnë leximin nuk kanë marrë ndonjë inkurajim nga prindërit e tyre.”
Individi nuk është lexues i vërtetë nëse nuk e sheh leximin si një aktivitet të natyrshëm në të cilin angazhohet sa herë të ketë shansin. Lexuesin e vërtetë do ta shohësh me librin e preferuar kur të udhëtojë dhe kur të shëtitet në park, kur është në restorant ose piknik. Libri është një shok i dashur për lexuesin e etur dhe ai mban një libër me vete pothuajse në çdo kohë dhe në çdo vend. Të shohim përvojën e një të riu, i cili thotë: “Babai im kishte vetëm një motër, të cilën e donte shumë.
Për të, ai ishte në vend të babait, pasi gjyshi im kishte vdekur kur ajo kishte qenë fëmijë. Ajo u martua në një qytet 300 kilometra larg shtëpisë sonë, kështu babai e vizitonte një herë në muaj. Edhe pse e kishte një veturë lukzose dhe më pëlqente të udhëtoja me të, babai këmbëngulte të udhëtonim me tren, ndonëse nuk e dija pse. Për këtë udhëtim, ai çdo herë pajisej me dy gjëra: ushqim dhe libra. Sa i përket ushqimit, ai sigurohej të merrte atë që më pëlqente dhe gjatë rrugës më jepte të lexoja disa tregime dhe libra të vegjël. Në atë kohë isha dhjetë vjeçar. Ai më sfidonte të garonim me faqet që i lexonim, me kusht që të lexonim për të kuptuar dhe ta shpjegonim atë që e lexonim. Në fund, ai më pyeste mua dhe unë atë.
Ai fliste për gjërat që i pëlqenin dhe unë flisja për gjërat që i pëlqeja. Kjo zgjati tri vjet. Deri në atë kohë, të lexuarit u bë një pjesë e pandashme për lumturinë dhe kënaqësinë tonë. Kjo kishte një efekt pozitiv në mësimet e mia në shkollë. Mësuesit filluan të më konsideronin si nxënësin më të mirë në klasë. Ata madje më merrnin si model të ekselencës, për të treguar cilësinë e mësimdhënies në shkollën e tyre. Vitin e fundit, babai im tha: “Atë e bëra për t’ju dhënë kohë të lexonit dhe të shijonit bukurinë e leximit.
Tash po të pyes a është leximi një gjë e bukur?” Oh sigurisht i thashë, Allahu të shpërbleftë për këtë. Në të vërtetë, ai më ka ndryshuar kuptimin e tërë jetës.”
Mund të vërejmë se babai i mençur kurrë nuk i predikoi të birit për meritat e të lexuarit dhe pasojat e mosleximit. Ai këtë e bëri praktikisht, duke i mundësuar të shijojë përvojën e leximit. Ai vërtet është një baba model për të gjithë baballarët.
Të lexuarit për fëmijën nuk është thjesht kalim nëpër disa informata dhe ngjarje. Ai është një instrument për nënën që të shfaqë dashurinë dhe mëshirën e saj ndaj fëmijës. Një fëmijë tre vjeçar, i cili është i përqafuar në prehrin e nënës do të gjejë prehjen tek ajo dhe kur t’i lexojë në atë vend prestigjioz, ai ndien ngrohtësinë e përqafimit të saj.
Në të vërtetë, gjendet një element kimik që lidh kujdestarin dhe atë që kujdeset për të dhe ajo e bën fëmijën të pranojë me kënaqësi atë që i kërkohet. Përkushtimi i nënës së saj për fëmijën me tërë atë që ka mundësi për ta sjellë atë në moshë të pjekurisë do të bëhet një burim i krenarisë dhe lavdisë për fëmijën. Kjo është shprehur për bukuri nga Srtickland Gillian (një poet amerikan, i cili ka vdekur më 1954) në poemën e tij të famshme “Nëna që më lexon”
Ti mund të posedosh pasuri të pakufishme, Sëndukë me xhevahire dhe me argjend, Por më i pasur se unë kurrë nuk do të bëhesh.
Unë kam një nënë që më lexon.
– Një bibliotekë në shtëpi kontribuon shumë për të bërë leximin të dashur për fëmijën. Është fakt që kur fëmija të jetë i rrethuar nga një atmosferë e pasur me libra, ku familja lexon, ka shumë gjasë që në zemrën e tij t’i lind dashuria për lexim. Shtëpia duhet të ketë material për lexim për të rriturit dhe për fëmijë. Pjesa e bibliotekës për të rriturit duhet të ketë tri libra për disiplinën: një të shkurtër, një të mesëm dhe një të gjatë.
Duhet të përmbajë libra për komentimin e Kur’anit, për Sunetin e të Dërguarit, për ligjin islam, për besimin, për biografinë e të Dërguarit a.s., për historinë, gjuhën, edukatën dhe filozofinë, përveç një numri të madh të librave të ndryshëm për reformë dhe kulturë. Duhet të jetë diçka si një pemishte që përmban të gjitha llojet e frutave dhe luleve, në një mënyrë që kënaq të gjitha shijet dhe nevojat.
“Sa u përket librave të fëmijëve, prindërit duhet t’u blejnë disa prej tyre përnjëherë. Secili fëmijë duhet të marrë pjesë në zgjedhjen e librave, tregimeve dhe romaneve, të cilat u pëlqejnë dhe kjo e ka rëndësinë e vet, sepse fëmija tetë vjeçar mund të mos tërhiqet nga ajo që vëllai i tij e ka lexuar para dhjetë vitesh.”
Gjërat vazhdojnë të ndryshojnë dhe fëmijët do të kenë dëgjuar nga shokët e tyre për tregimet dhe librat e reja. Ata do të shfaqin kureshtje për t’i blerë ato libra dhe tregime dhe për t’i lexuar ato. Në anën tjetër, nevojat e fëmijëve nuk kufizohen vetëm në libra dhe tregime. Në bibliotekën e tyre kanë nevojë për shumë lapsa me të gjitha ngjyrat, materiale për art dhe letra që të mund të kënaqen me vizatime dhe punë artistike, të dizajnojnë dhe të bëjnë artefakte.
Kjo do ta zgjerojë lidhjen e tyre me botën e kulturës, diturisë dhe kreativitetit. Disa prindër e shndërrojnë bibliotekën e familjes në muze në të cilin fëmijët nuk mund të hyjnë, se mos u shkaktojnë ndonjë dëm librave, duke i grisur etj. Në këtë rast, biblioteka është më mirë të mos ekzistojë, ajo mund të shikohet nga prindërit si pjesë e zbukurimit të shtëpisë, ose thjesht për dukje. Është gabim i madh nëse biblioteka shihet në këtë mënyrë. Librat janë aty, por jo për t’i përdorur dhe për t’i thithur thesaret e tyre.
Një grua e re tregon: “Kur isha vajzë e vogël, nuk lejohesha të prekja librat e babait tim. Ai kishte qindra libra. Vërtet unë nuk i bindesha asaj ndalese dhe shpesh përvidhesha në bibliotekë dhe kontrolloja librat, mirëpo fatkeqësisht nuk gjeja ndonjë libër që më përshtatej, sepse librat ishin klasike, nga shekujt e shkuar. Mirëpo, axha im e kishte një bibliotekë të mirë dhe moderne, e cila përmbante libra, të cilët ia jepnin dhuratë dhe libra që i huazonte, e që as nuk i kishte lexuar e as nuk ua kishte kthyer pronarëve të tyre. Prej asaj librarie kam përfituar shumë, edhe pse njëri prej librave që e hasa ishte për xhindosjen e njeriut nga xhindët. Ai libër më futi frikën në palcë.”
Biblioteka e familjes nuk duhet të izolohet në një kënd të largët të shtëpisë ose në një dhomë që përdoret pak.
Librat duhet të shpërndahen në disa vende rreth shtëpisë. Kjo është vetë ideja e posedimit të librave, për të mbjellë në vetëdijen e fëmijëve një lidhje me leximin. Kjo nuk do të ndodh nëse fëmija nuk has shpesh në libra që janë rreth shtëpisë. Kjo do të ndodhë nëse familja pajtohet të caktojë 5% të buxhetit të saj për librat, tregimet dhe revistat e mira. Në këtë mënyrë librat do të grumbullohen, sepse ato nuk janë ushqime që konsumohen! Nëse për shembull hyn në një shtëpi amerikane, do të gjesh libra në rafte dhe në shtretër, në kuzhinë dhe në vende të tjera.
Kjo është e kërkuar, mirëpo në të njëjtën kohë fëmija duhet të ketë bibliotekën e vet, edhe nëse është e vogël dhe zë vetëm dy rafte në dhomën e tij ose në ndonjë vend tjetër të shtëpisë. Ideja në tërë këtë është të gjenerohet një lidhje emocionale midis fëmijëve dhe disa librave, meqë ato i takojnë atij dhe janë zgjedhja e tij.
Nuk mjafton në tërheqjen e fëmijëve për të lexuar vetëm posedimi i librave në shtëpi. Shpërqëndruesit e vëmendjes janë gjithmonë prezent dhe të shumtë. Për rrjedhim, është e domos- doshme të caktohen disa gjëra që i nxisin të lexojnë. Disa familje kanë dalë me një zgjidhje të mirë, ata kanë ndarë një vend të caktuar në shtëpi për të lexuar. Ai është ndriçuar mirë, i ka disa rafte të bukura dhe të rregulluar mirë, e ka një karrige të rehatshme dhe një vend për vendosjen e këmbëve.
Pranë llambës së tavolinës gjendet një orar në të cilin babai ose nëna regjistrojnë kohët e uljes në karrigen e leximit. Pastaj i ndahet një çmim atij i cili ulet më së shumit në atë karrige gjatë një muaji. Ideja për tërë këtë është të sigurohet vendi dhe të gjitha gjërat që nevojiten për të bërë leximin atraktiv. Shumë familje i kanë korrur frytet e kësaj përvoje.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Fëmija lexon”