Eleganca në të folur është shpeshherë indikator i një mendje elegante, përderisa mungesa e elegancës në të folur dhe vrazhdësia te njerëzit tregon se ata nuk janë mjaft të sjellshëm. Në kohën tonë, të rinjtë dhe të vjetrit presin më tepër butësi, transparencë dhe humor të lehtë gjatë bisedës me ta dhe kjo është për shkak të avancimeve kulturore dhe teknologjike të kohës sonë. Prandaj, më lejoni ti përmend disa gjëra në këtë aspekt.
1. Qetësia e dialogut mbështetet kryesisht në elegancën në të folur, e cila është shtylla e saj. Ajo e bën të mundur të diskutohen çështjet më komplekse dhe çështjet më delikate pa shkaktuar ndonjë dëm për askënd. Përshkimi i fjalëve me bukuri, virtyt dhe gjuhë figurative është mënyrë shumë e njohur për Kur’anin dhe të Dërguarin a.s. Çka mund të jetë më i butë dhe më i këndshëm sesa fjalët e ajetit vijues:
“Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato.” El-Bekare, 187
Në një martesë, bashkëshorti dhe bashkëshortja janë për njëri- tjetrin petk që vishet për të mbrojtur veten, për të mbuluar trupin e tyre dhe për të gëzuar afërsi me trupin e tyre. Dhe në asnjë marrëdhënie tjetër njerëzore nuk mund të gjenden këto atribute të lidhjes martesore. Prandaj, ajo shprehje është aq adekuate për të shprehur këtë fakt me veçanti dhe stil. Duke i ftuar muslimanët në elegancën e të folurit, i Dërguari a.s. transmetohet se ka thënë:
“Fjala e mirë është vepër e bamirësisë.” (Buhariu)
Kjo nënkupton një fjalë që nuk lëndon dhe e cila kënaq veshin. Ai gjithashtu na ndaloi të përdorim fjalë të caktuara për shkak të kuptimeve të këqija që bartin ose për shkak se ato i atribuojnë një personi karakter të ulët. Ai ka thënë:
“Asnjëri prej jush të mos thotë kurrë shpirti im është bërë i keq. Ai duhet të thotë ‘shpirti im është në gjendje të keqe.” (Buhariu dhe Muslimi).
Edhe pse të dy shprehjet, ‘është i keq’ dhe ‘është në gjendje të keqe’, përcjellin kuptim të ngjashëm. Ai nuk e pëlqeu të parën, sepse e fundit ishte më e butë. Në një hadith tjetër, ai ka thënë: “Asnjëri të mos thotë ‘robi im’ ose ‘robëresha ime’, ju të gjithë jeni robër të Allahut dhe të gjitha gratë tuaja janë robëresha të Allahut. Në vend të kësaj thoni ‘djali im’ dhe ‘vajza ime.” (Muslimi)
Sigurisht se atë që i Dërguari a.s. kërkon të bëjë është të ngrehë ndjeshmërinë e muslimanëve ndaj vullgaritetit në të folur dhe shprehjeve që tingëllojnë të këqija për veshët. Tërë kjo është një përpjekje për të ngritur standardin e përgjithshëm të bisedës së muslimanëve.
2. Në një dialog, niveli i qytetërimit të dikujt njihet nga komentet dhe fjalët e tij. Një nënë në një familje qorton degjenerimin e përhapur te të rinjtë dhe thotë se nuk ka qenë kështu në të kaluarën. Pastaj njëri prej djemve të saj ndërhyn: “Po nënë, ka pasur shumë sjellje skandaloze në të kaluarën, por ata i mbanin të fshehura, sepse shoqëria në atë kohë i qortonte.”
Ajo i përgjigjet: “E njoh të drejtën tënde për të mbrojtur të rinjtë e gjeneratës tënde, mirëpo unë mendoj se është më mirë t’i lejohet secilit mundësia për të shprehur plotësisht mendimin e tij, para se ne të përgjigjemi.”
Një baba bisedon për rëndësinë e këmbënguljes për të arritur sukses në jetë. Ai e kupton më pastaj se fëmijët e vegjël në mesin e fëmijëve të tij nuk e kanë kuptuar atë mjaft mirë, kështu ndonëse mund të thotë: “Jam mjaft i sigurt se disa prej jush nuk më kanë kuptuar”, ai thotë: “Para se të mbarojmë këtë takim ndjej se nuk kam qenë mjaft i qartë në sqarimin tim, prandaj dëshiroj të dëgjoj prej jush se çfarë mendoni për atë që e kam thënë?”
Një djalë eksplodon me zemërim ndaj çdo anëtari të familjes, sepse mendon se të gjithë janë bashkuar kundër shokut që e ka zgjedhur. Çdonjëri që është i pranishëm e ndien se djaloshi ka humbur vetëkontrollin dhe e shikojnë babanë në pritje që të intervenojë, nga shprehja në fytyrën e babait, ata e dinë se ai do të bëjë diçka, por çfarë?
– Ai e dëgjon djalin derisa thotë fjalët e tij varg, sikur për t’i dhënë shansin të çlirojë veten nga nervoza, mirëpo kur fillon të përsërisë atë që e kishte thënë me zemërim, pak më parë, babai e ndërpret dhe i thotë: “Mendoj se mesazhi yt është përcjell plotësisht.”
– Babai i thotë më pas: “Natyrisht se ne mendojmë që ti nuk je në mospajtim me tërë atë që e kemi thënë këtu. Prandaj shpresoj se do të na tregosh pikat me të cilat pajtohesh dhe ato me të cilat nuk pajtohesh.” Djali nuk kishte zgjidhje tjetër përveç se të sillej mirë.
– Ai shtoi: “Ti thua se shoku yt është njeri i mirë. A mund ta sqarosh këtë më mirë, kështu që të na bindësh?”
Pas sqarimit të djalit, babai i thotë: “Mendoj se ka nevojë për një takim të veçantë me ty për të shpjeguar disa gjëra që mendoj se nuk mund t’i përmendi këtu.” Djali u pajtua dhe të gjithë darkuan së bashku.”
3. Në një dialog të shtruar, ai i cili ka oratori përdor shumë fjalë të buta dhe shprehje që justifikojnë të tjerët dhe shmangin nevojën për kritika të ashpra. Për shembull, një vajzë nuk e kontakton dhe madje nuk pyet për tezën e saj, e cila ka qenë e sëmurë rëndë. Ajo kriti- kohet nga vëllezërit dhe motrat për neglizhencën e saj, por çfarë thotë nëna e saj?
“Ne të gjithë e dimë se sa e rëndësishme është të vizitohet í sëmuri dhe të përgëzohet për një shërim të shpejtë, sidomos nëse është një i afërm si tezja, e cila është sikur nëna. Unë mendoj se arsyeja që nuk e ka vizituar është preokupimi i saj me provime. Përveç kësaj, nuk jam e sigurt nëse ia ka përmendur dikush këtë. Tani është e qartë se ajo, jo vetëm që do ta thërras, por do të shkojë për ta vizituar dhe për t’i ndihmuar, në disa gjëra. A nuk është ashtu bija ime?”
Ajo përgjigjet: “Po. Në fakt, e dija se ishte e sëmurë, por mendova se ishte diçka joserioze, përndryshe po ta dija se ishte e sëmurë kaq shumë, asgjë nuk do të më ndalte nga vizita e saj.”
Në një familje tjetër, një vajzë e akuzon vëllanë se po gënjente kur tha se babai i kishte blerë një orë të shtrenjtë për suksesin saj në provime. Kur çështja u soll te babai, ai tha: “Nuk dëshiroj të pohojë ose mohojë se i kam dhënë dhuratë, por më lejoni t’ju bëj këtë pyetje: A ka ndonjë shprehje tjetër që do të mund të përdorej në vend të “gënjen”, “po trillon”, “gënjeshtar”, etj.?” Pas një kohe të mendimit të thellë për këtë çështje, ata u pajtuan se shprehjet vijuese do të ishin më mirë të përdoreshin:
– Kjo kundërshton realitetin.
– Kjo është kontradiktore me të vërtetën.
Pretendimi yt ka nevojë për verifikim të mëtejmë. Nëse mendon pak më thellë, mendoj se do të kuptosh se jo kurrë nuk ka ndodhur.
– Ajo që e di është e ndryshme prej asaj që e thua.”
-Ndoshta ti di diçka që ne nuk e dimë.
“Eleganca në të folur mbështetet në parimin: Ajo që e thua çon më shumë peshë se mënyra si e thua. Ne duhet t’i shprehim mendimet tona, por duhet të përdorim butësinë në fjalët që i themi dhe t’i mbrojmë ndjenjat. Për më tepër, askush nuk do të kremtojë fitoren e babait ndaj fëmijëve të tij në shtyrjen e tij me fjalë.”
Mbaje në mend:
- Kur të flasim në një dialog, ne shprehim qartë konceptet, vlerat, etikën dhe elegancën që e kemi.
- Koncepti i vazhdueshëm nën të cilin duhet të mbahen të gjitha dialogjet dhe negociatat është nevoja për të forcuar lidhjen familjare.
- Kur të rinjtë u ankohen të rriturve, ata ndoshta nuk kanë domosdoshmërisht nevojë për zgjidhje të problemeve të tyre, sa kanë nevojë për ngushëllime dhe mbështetje të sinqertë.
- Ndërveprimi me partnerin tonë në dialog është një lloj i një vepre bujarie, sepse kjo e inkurajon atë të na zbulojë atë që e preokupon mendjen e tij.
- Adoleshentët ankohen se shumica e dialogjeve me prindërit e tyre u ngjajnë më tepër sesioneve të qortimit dhe udhëzimeve.
- Gjithmonë është me rëndësi të gjallërohet shpirti i takimeve familjare.
- Elementet kryesore mbi të cilat varet një dialog i qetë janë eleganca, brenga për ndjenjat e të tjerëve dhe butësia.
- Një sjellje e hijshme dhe e mirë formon boshtin e një dialogu të qetë.
- Mjaft shpesh, nuk ka aq rëndësi ajo që e themi, por mënyra se si e themi.
Autor: Prof. Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Ndërveprimet në familje”
Përgatiti: Prinderimi.com