Vetëvlerësimi është siguria që vjen së brendshmi bazuar mbi vlerat që i njohim vetes e mbi ndërgjegjen se jemi individë të pashoq dhe se çdonjëri prej nesh është një njeri me pika të forta, por edhe me kufij përtej të cilëve nuk mund të kapërcejë.
Vetëvlerësimi lidhet me perceptimin që ka secili prej nesh për veten, kur vendoset në rrethanat e ndryshme të jetës. Me pak fjalë: gjykimi që i bëjmë vetes lidhet me perceptimin e roleve të ndryshme që duhet të luajmë gjatë jetës sonë. Në qoftë se një burrë mendon se një baba i mirë duhet të fitojë shumë para, ta stërvitë sa më mirë të birin për të luajtur futboll dhe t’ia tërheqë veshin kur e meriton, vetëvlerësimi i tij si baba do të varet nga aftësia e tij për t’i përmbushur sa më mirë këto detyra.
Nëse ky baba e humbet vendin e punës, nëse i biri e urren futbollin dhe nëse tregohet zemërlëshuar në ato raste kur duhet ta dënonte, do të thotë se do të ketë një vetëvlerësim fort të ulët në raport me imazhin e babait që ka krijuar.
Fëmijët e krijojnë idenë rreth vetes së tyre duke vërejtur prindërit dhe duke dëgjuar se ç’thonë ata. Por një pikë akoma më e fortë se këto për të krijuar imazhin e vetes është krenaria apo zhgënjimi që pasqyrojnë prindërit në lidhje me fëmijët e tyre. Vetëvlerësimi është ajo flakëz që regëtin thellë në sytë e një vogëlushi, kur e ëma ose i ati e lëvdojnë ose i tregojnë se i ka kënaqur pa masë.
Për një fëmijë të vogël, një vetëvlerësim i mirë përbëhet thelbësisht nga fakti që:
– ndihet mirë me veten e tij;
– shijon ndjenjën e thellë që të tjerët e duan;
– ka bindjen se është i aftë të bëjë;
– është krenar pse është mashkull ose femër;
– ndihet rehat me njerëzit e tjerë;
– shpreson dhe beson se nevojat e tij do të plotësohen, ndërsa dëshirat, edhe në mos iu plotësofshin, do t’i merren parasysh në të ardhmen.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Danielle Laporte, “Vetëvlerësimi i fëmijëve 0-6 vjeç”