Hollësitë e këtij parimi duhet të kuptohen dhe të kujtohen çdo ditë gjatë çdo përpjekjeje që e bëjmë në emër të edukimit. Nga pikëpamja e Islamit, qëllimi i edukimit të fëmijëve shkon matane dëshirës për të ndërtuar një gjeneratë të individëve të fortë, relevant dhe të suksesshëm. Ai ka për bazë ndërtimin e një gjenerate të besimtarëve të devotshëm, të cilët para së gjithash do të punonin për të përmbushur vullnetin e Allahut në tokë, nëpërmjet të thirrurit në rrugë të Allahut dhe bindjes ndaj urdhrave të Tij. Kjo mund të arrihet vetëm pasi fëmijëve t’u mbillen vlerat dhe parimet e duhura sipas botëkuptimit islam, në pajtim me prioritetet në Islam. Ne dëshirojmë të jetojmë në kohën tonë si njerëz që janë plotësisht të vetëdijshëm për kurthet e saj, të kemi ndikim mbi ngjarjet që na rrethojnë dhe të kontribuojmë për trendet e përgjithshme. Ne u dëshirojmë këtë edhe fëmijëve tanë, por vetëm me një qëllim më të madh dhe më të ndershëm, i cili është të fituarit e kënaqësisë së Allahut. Kjo nuk është e mundur nëse nuk i mësojmë familjet tona që së pari t’i kenë parasysh kufijtë e vendosur nga Allahu, në kohë të lehta dhe në vështirësi.
Ky parim thekson dy gjëra fundamentale. E para, në përpjekjen tonë për edukimin e fëmijëve ne jemi vetëm një pjesë e botës më të madhe rreth nesh, e cila ndikon te ne me trendet dhe zhvillimet e saj. Ne gjithashtu përfitojmë nga bota, mënyrat dhe mjetet e saj në trajnimin e të vegjëlve tanë. Me vëmendje të madhe dhe me mendjegjerësi, ne i dëgjojmë rregullat e saj dhe kërkojmë të përfitojmë nga zbulimet e saj. Ne jemi të sigurt se do të gjejmë shumë material që do të na ndihmoj në misionin tonë në edukimin e fëmijëve. E dyta, përkundër faktit se jemi pjesë e një bote më të madhe, ne dallojmë në dy aspekte të qarta: së pari, kemi të bëjmë me nivelin e identifikimit të problemeve, meqë problemet e fëmijëve në Tunizi, Pakistan dhe Malajzi janë të ndryshme nga ato të fëmijëve në Francë, Australi, Kanada. Këto janë dy botë krejt të ndryshme dhe problemet që lidhen me fëmijët në shtetet e ndryshme janë po ashtu të ndryshme.
Pastaj është niveli i përmbajtjes dhe fokusit në edukim, vlerat, parimet dhe konceptet që ne i konsiderojmë esenciale në rritjen e fëmijëve tanë, me qëllim të nxjerrjes së individëve të përkushtuar dhe të devotshëm.
Kjo veçanti në llojin e lidhjes që ne dëshirojmë të kemi me botën përreth në aspektin e edukimit dhe të tjerë, ka qenë burim i hutisë, inatit dhe përçarjes në mesin tonë. Arsyeja është se kjo e bën të domosdoshme që familjet tona të thellohen në të gjitha gjërat në fushën e edukimit dhe të zgjedhin se cila është e përshtatshme për fëmijët tanë. Kjo gjithashtu kërkon që familjet tona të kenë aftësinë të përcaktojnë çka është e dobishme dhe çka është e dëmshme nga të gjitha vlerat dhe ideologjitë që kanë marrë hov në qarqet e edukimit sot. Kjo është një detyrë e rëndë në situatat e tanishme ku ideologjitë sipërfaqësore po përhapen sikur zjarri në kashtë, mirëpo ne fare nuk kemi alternativa të tjera.
Më lejoni të sqaroj pozicionin tim lidhur me këtë parim
1. Pse e përmenda se jemi pjesë e botës? Kjo është pyetja më e rëndësishme, sepse dështimi i disa njerëzve për të njohur këtë i bën ata të paaftë në të kuptuarit e nevojave për edukimin e fëmijëve të tyre, në dështimin për të kuptuar natyrën e problemeve të tyre ose madje mënyrën si të ballafaqohen me sfida.
Kurrë nuk ka qenë më e fortë lidhja jonë me botën. Kufijtë tradicional midis vendit tonë dhe botës moderne janë fshirë nga komunikimi satelitor, interneti dhe instrumentet e tjera të globalizmit. Globalizimi qarkullon në tërë botën atë që ndryshe do të ishte ideologji lokale; ai përhap aspirata, shije dhe kritere për gjykimin e gjërave që pa globalizmin do të kufizoheshin vetëm për vendin ku ekzistojnë. Ai gjithashtu përhap probleme dhe sëmundje poshtëruese që përndryshe do të kishin qenë probleme lokale të një vendi.Dikur fëmijët tanë i rrisnim në një mjedis relativisht të mbyllur, mirëpo sot ne e bëjmë këtë me dyer dhe dritare të hapura të shtëpisë sonë që e tërë bota të shohë. Kjo i ka përparësitë si dhe të metat e saj, ndërsa të metat mund të jenë më të shumta.
Ne jemi gjithashtu pjesë e botës duke pasur parasysh natyrën në të cilën na ka krijuar Allahu, duke filluar nga karakteri deri te nevojat dhe aspiratat. Mund të jenë gjërat e njëjta që i bëjnë njëqind njerëz të lumtur, pa marrë parasysh a janë kinezë, libanezë ose amerikanë. Po ashtu, ajo që i zemëron njëqind njerëz në Holandë mund të jetë e njëjtë me atë që i hidhëron njëqind njerëz në Sudan dhe Filipine. Natyrisht se kjo vlen kur flasim për gjërat në përgjithësi, sepse kur flasim për gjërat në hollësi, edhe anëtarët e së njëjtës familje janë të prirë të dallojnë e lëre më njerëzit që janë të të njëjtit nacionalitet.
Me fjalë të tjera, njerëzit në përgjithësi e duan lavdërimin, paratë, pronën, pushtetin dhe ndikimin. Ata gjithashtu kërkojnë rehati, e çmojnë bukurinë dhe argëtimin dhe butësinë. Shumica e njerëzve e urrejnë varfërinë, sëmundjen, shtrëngimin dhe qortimin. Ata të gjithë neveriten nga pamjet e papastërtisë dhe shëmtisë. Ndoshta na mjafton të lexojmë fjalët e Allahut:
“Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu.” Ali Imran, 14
Meqë natyra njerëzore është e ngjashme, nëse jo e njëjtë për njerëzit kudo, nevojat e fëmijëve tanë do të jenë të ngjashme me ato të fëmijëve në vende të tjera, të cilat janë larg nesh, në edukimin dhe mitjen e tyre. Në fazat e ndryshme të rritjes së tyre, ata do të ballafaqohen me sfida të ngjashme.
Ne jemi pjesë e botës, ndërsa Perëndimi posedon shumë sa u përket shkathtësive të edukimit. Ai ka hulumtime, studime dhe statistika të mëdha, të cilat janë shpërndarë në glob dhe të cilat janë ngulitur në modelet e edukimit të shumicës së kombeve të civi lizuara, si dhe kombet që dëshirojnë të modernizohen. Kjo ka marrë përmasa aq të mëdha saqë është e pamundur të injorohet.
2. Sa i përket lidhjes me pjesën tjetër të botës, duke mbajtur një identitet të ndarë, duhet të kuptojmë se kemi nevojë për botën aq sa i frikësohemi ndikimit negativ të saj te ne. Të gjithë njerëzit e mençur duhet të kenë parasysh këtë.
Ne nuk frikësohemi nga civilizimi i huaj dhe pasojat e një fërkimi me të në sferën e edukimit. Fare nuk frikësohemi nga ajo që i takon metodave dhe mënyrave të edukimit, ose hulumtimit të metodave të edukimit të fëmijëve dhe analizimit të sjelljes së tyre. Përkundrazi, ne kemi nevojë të madhe për të arriturat e studimeve dhe përvojave në këto fusha. Në fakt, unë shënoj shumë ide inteligjente dhe mendime të shprehura nga librat e autorëve të huaj prej të cilëve mund të përfitojmë mjaft shumë.
3. Nëse dëshirojmë të flasim për veçantitë tona në fushën e edukimit të fëmijëve, ekzistojnë dy prej tyre:
Parimet dhe vlerat që dalin nga besimi ynë, pikëpamja për jetën, si dhe rregullat ligjore islame që na informojnë për edukatën tonë dhe të fëmijëve tanë. Para se të përmendim ndonjë shembull prej tyre, dëshiroj të them se ekziston një faktor i përbashkët në edukim për të gjitha kombet dhe ky faktor përbën më tepër se 80% të vlerave dhe etikës në edukimin e fëmijëve. Shembuj të kësaj janë mëshira, mirësia, drejtësia, falja, fqinjësia e mirë, bindja ndaj prin- dërve, besnikëria, ndershmëria, guximi etj., edhe pse format që këto i marrim mund të dallojnë në bazë të mjedisit. Kurrë nuk do të gjeni një nënë që e mëson fëmijën e saj të gënjejë. Vjedhja, tradhtia, padrejtësia dhe poshtërimi i prindërve janë cilësi të urryera për çdo prind.
Në mesin e veçantive tona në fushën e vlerave janë aktet e ndryshme të adhurimit si namazi, zekati, haxhi, dhe agjërimi i Ramazanit, të gjitha këto janë shtylla të Islamit. Disa prej tyre janë obligime ditore, si namazi, i cili zë vend kryesor me rëndësi në listën e prioriteteve të edukimit. Ngjashëm, në fushën e veshjeve, pastërtisë, komunikimit dhe miqësisë me gjininë e kundërt, ne kemi gjëra të veçanta që nuk i ndajmë me fetë e tjera. E njëjta vlen për çështjen e ushqimit, pijeve, relaksimit dhe argëtimit, për të cilat ne kemi rregulla dhe të cilat asnjë kujdestar nuk duhet t’i injorojë në edukimin e fëmijëve,
Ndoshta veçantia më e rëndësishme prej veçantive tona është pikëpamja jonë për këtë jetë, të cilën e konsiderojmë si pararendëse të jetës në botën tjetër. Gjithashtu, pikëpamja jonë në lidhjen me Allahun e Lartësuar sipas së cilës nuk duhet vetëm të njihet ekzistenca e Tij, por duhet të kemi një lidhje dashurie, adhurimi, bindjeje ndaj Tij dhe ruajtje të kufijve të vendosur prej Tij. Tërë këtë e bëjmë me shpresë të fitimit të kënaqësisë së Allahut në tërë kohën. Allahu thotë në Kuran:
Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrobem Atij”. El-En’am, 162-163
Shkalla e vlerave dhe kushtimi i rëndësisë së duhur secilës prej tyre, ashtu siç i përshtatet. Kjo përbën faktorin kryesor që i dallon kombet në botën e sotme. Ligji natyror që dikton shkallën e vlerave përcakton që sa herë të lindë një konflikt midis dy vlerave, ajo që është më pak e rëndësishme sakrifikohet për tjetrën. Sigurisht se suksesi i fëmijëve tonë është një vlerë. Ajo vlerë nganjëherë kërkon që ata të qëndrojnë të zgjuar deri vonë natën, sidomos në kohën e provimeve. Në anën tjetër, falja e sabahut në kohën e vet është një vlerë më e lartë. Për rrjedhim, çdo vepër që të mban zgjuar deri vonë duhet të kryhet brenda kufijve që nuk do të shkakton mosfaljen e sabahut në kohën e tij.
Të jetuarit në një lagje të bukur është një vlerë, mirëpo të kërkuant e kënaqësisë së prindërve është një vlerë më e madhe. Për rrjedhim, nëse prindërit nuk pajtohen në zgjedhjen e fëmijëve për vendin ku do të jetojnë, ai ose ajo duhet të jenë të gatshëm ta sakrifikojë dëshirën e tyre.
Mbulimi i pjesëve të trupit që duhet të mbulohen është një vlerë. Ashtu është edhe dukja elegante, mirëpo mbulimi i pjesëve të trupit është në pozitë më të lartë. Prandaj çdo lloj dukje elegante duhet të jetë brenda asaj, që garanton mbulimin e pjesëve që duhet të mbulohen. Udhëtimi për të kërkuar dituri është vlerë, mirëpo qëndrue- shmëria në fe është vlerë më e madhe. Kështu nëse ka mundësi të madhe që udhëtimi larg shtëpisë nga ndonjëri prej fëmijëve tanë të ndikojë negativisht në qëndrueshmërinë e tij në fe, ne nuk duhet ta dërgojmë.
4. Teoria e edukimit nga pikëpamja e muslimanëve dallon nga ajo e shumicës së kombeve të tjera.
Të bindurit e të rinjve për të dëshiruar të jenë të mirë dhe të ndershëm do t’i mungonte forca, nëse ajo që u premtojmë si shpërblim nuk pajtohet me aspiratat e tyre të thella. Arsyeja është se të jesh njeri i mirë kërkohet shmangie nga shumë kënaqësi. Imagjino sa vështirë do të ishte të bindej një person i cili po përjetonte etje të madhe për të mos pirë ujin e ftohtë që është vendosur përpara tij. Natyrisht se kemi nevojë për një arsye shumë të fuqishme dhe detyruese për ta bindur atë.
Në të vërtetë, ndjejë dhimbje dhe simpati kur e shoh një pedagog perëndimorë, që bisedon për botën dhe vlerat shpirtërore, si dhe për shpërblimet e mëdha që njeriu i ndien përbrenda kur të arrijë mirësi. Ai është sikur një zog, i cili vazhdimisht i rrah krahët, mirëpo brenda një kafazi të bukur.
Biseda e tij është e ëmbël, fjalët janë të bukura, mirëpo ato nuk bartin shumë bindje, sepse u mungon kënaqësia e brendshme. Kjo sqaron pse familjet në botën perëndimore po përjetojnë shpërbërje të shpejtë, njësoj edhe jeta në bashkësi. Nuk ka shpresë në horizont për ndonjë ideologji reformuese për të mbajtur nën kontroll këtë trend. Imagjino shkencëtarin e njohur, Volta, duke shprehur një bindje të fortë për ekzistencën e Zotit. Urtësinë e Tij dhe dështimin e shqisave njerëzore për të përfshirë Atë. Por, Volta nuk ishte i aftë të gjente një përgjigje për pyetjen pse e keqja dhe padrejtësia janë të përhapura te njerëzit. Ai habitej pse Zoti lejonte, që ato të ekzistonin sepse mendimtarët e lirë të kohës sonë kishin pyetur: “Ku është drejtësia dhe mirësia në këtë univers?” Kur mendoi për këtë ai u ballafaqua me dy mundësi: ose Zoti mund të parandalojë të keqen, por nuk dëshiron ta bëjë atë, ose Ai është përpjekur, por nuk ka pasur mundësi ta ndalë. Nëse e para është e vërtetë, a do të ishte e saktë të thuhet se Ai është i Drejtë dhe nëse e dyta është vërtetë, a do të ishte e saktë të thuhet se Ai ka Fuqi mbi çdo gjë? Volta ishte në lajthitje, mirëpo muslimanët gjithmonë e kanë pasur përgjigjen dhe për ta është e qartë sikur drita e diellit.
Përmbledhja e përgjigjes së muslimanëve është se kjo botë është vend i sprovave. Çdo gjë që ndodh këtu është sikur pjesa e parë e një romani dy pjesësh, ku bota tjetër është vendi i llogaridhënies dhe shpërblimit, ku të drejtat do t’i kthehen të shtypurit. Në këtë mënyrë bota tjetër është pjesë e dytë e romanit. Prandaj ekzistenca e të keqes është e natyrshme, sikurse edhe afati që u jepet keqbërësve. Kjo është e qartë nga ajetet vijuese:
“Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” El-Enbija, 35
Në të vërtetë, përqafimi i ateizmit dhe të qenurit larg udhëzimit që ka ardhur me shpallje, do të bëjë që hulumtuesit e edukimit të përqendrohen vetëm në kapacitetet mendore dhe fizike të një femije, duke neglizhuar anën shpirtërore. Në këtë mënyrë, ata janë të prirë t’i drejtojnë përpjekjet e tyre në sjelljen e suksesit material te fëmija nëpërmjet kriterit materialist, përderisa e neglizhojnë mirësinë shpirtërore që garanton lumturi në botën tjetër.
Kjo e bën teorinë tonë të edukimit plotësisht të ndryshme. Kur një pedagog musliman flet për një model të edukimit të fëmijëve, ai flet për një person, i cili është i ndershëm sipas pikëpamjes së sheriatit (ligjit islam). Kur flet për metodologjinë e edukimit ose qëllimet e edukimit, ai nënkupton ato gjëra që do të ndihmojnë në rritjen e një gjenerate të individëve të devotshëm sipas standardeve të Islamit dhe brenda rregullave të moralit dhe edukatës islame.
Për rrjedhim, veçantitë tona edukative si muslimanë, mani- festohen në përgjithësi si qëllime, parime, vlera morale dhe në mënyrën e rangimit të tyre në shkallën e vlerave. Ndërkohë, tiparet e edukimit që janë të përbashkëta midis nesh dhe njerëzve të tjerë manifestohen në formë të stileve, metodave dhe procedurave të dhënies së edukimit. Ne kemi detyrë si njerëz të ngarkuar me përgjegjësinë e edukimit të të rinjve, të jemi në dijeni për të dyja.
Autor: Prof. Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Edukimi i fëmijëve”
Prinderimi.com