Ndikimi i përjetimeve të para në formësimin e identitetit psikologjik të fëmijës
Zhvillimi i hershëm, faza nga lindja deri në moshën 6 vjeç, është periudha më përcaktuese për shëndetin mendor, rregullimin emocional dhe ndërtimin e bazës së sigurisë psikologjike të njeriut. Gjatë kësaj kohe, truri i fëmijës zhvillohet me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe krijon strukturat themelore të vetëdijes, besimit dhe lidhjes me të tjerët. Prandaj, mënyra se si prindi sillet me fëmijën gjatë kësaj periudhe, e jo vetëm çfarë i ofron, përcakton mënyrën se si ky fëmijë do ta përjetojë veten, të tjerët dhe botën përgjatë gjithë jetës.
Në kontekstin kulturor të Kosovës, prindërimi shpesh bartet nga brezi në brez si një përzierje e modeleve tradicionale me presione moderne. Ndjenja e nderit, turpit dhe autoritetit në familje janë ende thellësisht të rrënjosura. Kjo shpesh përkthehet në një stil prindërimi që synon “ta formojë” fëmijën sipas normave të sjelljes së pranuara, por pa ndjeshmërinë e mjaftueshme emocionale ndaj nevojave zhvillimore të tij.
Tre faktorë kyç të zhvillimit të hershëm në realitetin tonë kulturor:
1. Siguria emocionale në ambientin shtëpiak
Nëse fëmija gjatë viteve të para përjeton mjedis me stres konstant, qortime të ashpra, shpërfillje emocionale apo dhunë (edhe verbale), ai nuk mëson se bota është vend i sigurt. Kjo nuk e bën vetëm të pasigurt, e bën edhe të ndjeshëm ndaj ankthit, mosbesimit dhe vështirësive në rregullimin e emocioneve në të ardhmen. Në një shoqëri si e jona, ku shpesh ende dëgjohet “mos e ledhato shumë se po të hypë në qafë”, humbet koncepti bazë i lidhjes së sigurtë (secure attachment), themeli i një personaliteti të shëndetshëm.
2. Ndjeshmëria prindërore ndaj ritmit të fëmijës
Shumë prindër në Kosovë e lidhin suksesin prindëror me faktin nëse fëmija është “i sjellshëm”, “i dëgjueshëm” dhe “me nota të mira”. Por zhvillimi nuk është një garë. Fëmijët kanë ritme të ndryshme në të mësuar, në të shprehurit e ndjenjave, në eksplorim e ndarje. Prindërimi i mirë nuk matet me kontrollin që kemi mbi sjelljet e fëmijës, por me kapacitetin tonë për të ndier dhe respektuar botën e brendshme të tij, sidomos kur ajo nuk është e përshtatshme me pritshmëritë tona kulturore.
3. Modelet emocionale që prindi bart vetë
Nëse një prind nuk ka përpunuar përvojat e veta të hershme (si mungesën e përkujdesjes, ndëshkimin, ose ndalimin emocional), ai shpesh pa vetëdije e riprodhon të njëjtat modele në raport me fëmijën. Për shembull, një baba që është rritur me ide se “djemtë nuk qajnë”, mund të ndëshkojë ndjeshmërinë emocionale të djalit të tij, duke e lënduar pa qëllim vetë themelet e ndërtimit të identitetit emocional.
Çfarë është prindërimi i shëndetshëm në këtë kontekst?
Nuk është perfeksioni. Nuk është kontrolli total. Nuk është as sakrifica e përhershme.
Është prania e ndjeshme, kufijtë e shëndetshëm, dhe mbi të gjitha aftësia për t’u lidhur emocionalisht me fëmijën si një qenie e veçantë, jo si një projekt i joni për botën.
Nëse një fëmijë ndjehet i pranuar, i dëgjuar dhe emocionalisht i sigurt në vitet e para të jetës, ai nuk do të ketë nevojë të kërkojë identitetin e vet përmes rebelimit, të ndiejë turp për veten, apo të mbyllet nga bota.
Në të kundërt, mungesa e kësaj sigurie nuk kompensohet as me para, as me arsim të lartë, as me “rregulla”.
Mesazhi për prindërit e rinj në Kosovë:
Edukoje fëmijën tënd jo për botën siç është sot, por për botën që ai ka nevojë të ndërtojë, një botë më e ndjeshme, më e sigurt dhe më humane. Dhe kjo fillon me mënyrën si i përgjigjemi qarjes së tij të parë, frikës së parë, dështimit të parë dhe pyetjeve të para për veten.
Dr. Latif Hoxha PhD
Specialist i Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë