Motivimi është shumë i rëndësishëm. Nëse e përdorim si duhet, rezultatet në Procesin Mesimor Edukativ nuk kanë për të munguar. Ja çfarë sugjeron konkretisht mësuesi Luan Stafasani.
Motivimi është një element shumë i rëndësishëm në jetën e veprimtarinë e përditshme të njeriut në të gjitha fushat e jetës.
Me motivimin kuptohet arsenali i të dhënave e arsyeve për të realizuar një veprim a një mendim.Edhe në përmbushjen e objektivave e standardeve të PME në shkollë është i rëndësishëm motivimi. Madje deri para pak vitesh motivimi ishte një nga rubrikat e përgatitjes ditore të mësuesit që tani çuditërisht ka dalë nga skema e sugjerimeve që jepen nga strategët e përgatitjes së ditarit të mësuesit.
Megjithëkëtë, motivimi mbetet një nga armët e forta në dorë të mësuesit për të ndërgjegjësuar nxënësit në arritjen e rezultateve sa më të larta në PME.
Në bashkëbisedim me kolegë të tjerë rreth këtij problemi të rëndësishëm kupton e dallon se format e motivimit ngjasojnë shumë mes tyre por unë do të ndalem më poshtë në disa prej mënyrave të motivimit që kam vënë re se kanë efikasitet kur përdoren.
• Në këndin e klasës gjithmonë e kudo ku kam punuar kam kuadratuar një rubrikë të titulluar “Motivi im udhëheqës”, në të cilin vendos poezinë “Në mundsh” të Kiplingut e ku nënvizoj vargjet “Në mundsh të mbushësh minutat aq të rënda/me vepra që vlejnë/atëherë, dije biri im/e jotja është bota e ti burrë do jesh biri im”. Gjithmonë ua tërheq vëmendjen drejt këtij motivi.
• Sjell në vëmendje histori e modele suksesi nga vendi e bota që falë motivimit e ndërgjegjësimit nga mësuesit kanë shënuar arritje në fusha të ndryshme. Rasti i Alber Kamysë që i drejtoi një letër falënderimi mësuesit të tij,pa motivimin e të cilit nuk do ishte ai që do të fitonte çmimin “Nobel” në letërsi.
• Motivimi nxit dhe zhvillon mendimin krijues të nxënësit. Një krijim artistik të nxënësit ose një detyrë të realizuar bukur e paraqes edhe në klasat e tjera dhe vë re se ndiqet me shumë interes e vëmendje të shtuar krahasuar me atë të një nxënësi të klasës. E jo rrallë kjo teknikë më duket se i motivon nxënësit dëgjues që edhe ata ta mendojnë veten si shkrues potencialë.
• Mësimin e një pjese përmendësh e të interpretuar bukur,e shoqëroj me një “shpërblim” të mirë në notë. Kam eksperimentuar edhe me dopjo notë (fjala vjen me dy dhjeta) ose sipas performancës që tregon nxënësi. Kam konstatuar se kjo teknikë e thjeshtë i motivon shumë nxënësit. Po ashtu i mëshoj faktit se mësimi i poezive përmendësh, sidomos ato me karakter patriotik, ka dhe të mirën tjetër që ndihmon në zhvillimin e memories së nxënësit.
• Në lidhje me librin artistik kam vënë re se nxënësit janë motivuar shumë për të lexuar kur atyre iu kam dhuruar libra të shkruar nga dy mësues të tyre, libra të cilët i kanë “përpirë”menjëherë, ndoshta dhe nga dëshira për të njohur si krijues mësuesit e tyre. Në këtë drejtim synoj ti motivoj me thënie të shkurtra të tipit “Sytë më të bukur janë sytë e njerëzve që lexojnë” apo “Kush lexon di sa për dy” dhe “Prej letërsisë kam gjithçka, edhe dëshirën për me jetue”-M.Camaj.
• Sjellja qytetare përkthehet në shpërblime të tipit vizita nëpër vende historike apo aktivitete të ndryshme argëtuese e kur kompetenca qytetare me të cilën synojmë të pajisim nxënësit nuk është në lartësinë e kërkuar ju kujtoj se mund të privohen prej tyre dhe vë re se motivohen më shumë për të arritur pritshmëritë sa herë ju tërheq vëmendjen.
• Motivimi ka shërbyer si nxitje për të krijuar edhe në rastet kur krijimet e nxënësve i kam ekspozuar në “Këndin e krijuesit” apo kur ato i kemi dërguar për botim në shtypin lokal.
• Me djemtë, duke ditur dhe pasionin e tyre për futbollin, synoj t’i motivoj me rastin e Kristiano Ronaldos që megjithëse vinte nga shtresa e varfër shoqërore falë punës e përkushtimit ka arritur aty ku është sot e për të ruajtur shkëlqimin e tij i duhet të stërvitet 10-12 orë në ditë.
Si përfundim ajo që mund të thuhet është se motivimi është shumë i rëndësishëm. Nëse e përdorim si duhet, rezultatet në PME nuk kanë për të munguar.
Nga Luan Stafasani