Ankthi i ndarjes është një pjesë e natyrshme e zhvillimit të fëmijëve dhe shfaqet zakonisht gjatë periudhës kur ata fillojnë të kuptojnë se janë individë të pavarur nga prindërit e tyre. Megjithatë, kur ky ankth bëhet i zgjatur ose i tepruar, ai mund të krijojë sfida për fëmijën dhe prindërit.
Për të mbështetur fëmijët në përballimin e këtij ankthi, prindërit dhe kujdestarët mund të ndjekin disa strategji të thjeshta, por efektive:
1. Filloni me hapa të vegjël
Në vend që ta largoni papritur fëmijën nga prania juaj, krijoni situata ku ai mëson të qëndrojë për periudha të shkurtra larg jush. Për shembull, lejojeni të luajë me një mik ose të kalojë pak kohë me një kujdestar të besuar, ndërsa ju qëndroni pranë në fillim dhe gradualisht distancoheni.
2. Siguroni fëmijën që do të ktheheni
Kuptimi i kohës është ende i paqartë për fëmijët e vegjël, prandaj mund të jetë e dobishme t’i thoni një kohë të caktuar për kthimin tuaj duke përdorur referenca konkrete, si: “Do të kthehem pasi të mbarosh ushqimin” ose “Do të jem këtu para se të përfundojë filmi.”
3. Krijoni një rutinë të qetë largimi
Përgatitja e një rutine të qëndrueshme dhe të qetë për ndarjen, si përshëndetje të shkurtër, përqafim dhe një mesazh pozitiv, ndihmon që largimi të bëhet më i lehtë dhe të reduktohet ankthi. Kujdesuni të mos zgjasni momentin e largimit, pasi kjo mund ta rrisë pasigurinë e fëmijës.
4. Mos shmangni ndarjet e nevojshme
Ndonjëherë, prindërit shmangin largimin nga fëmija për të mos e shqetësuar atë. Megjithatë, është e rëndësishme të mos e ushqeni frikën e ndarjes duke i treguar fëmijës se largimet janë normale dhe të përkohshme.
5. Flisni hapur për emocionet e tyre
Inkurajoni fëmijën të shprehë atë që ndjen dhe tregoni mirëkuptim për frikën e tij. Përdorni fjali si: “E di që ndihesh i shqetësuar kur largohem, por gjithmonë kthehem.” Kjo e ndihmon fëmijën të kuptojë që emocionet e tij janë të pranueshme dhe të përballueshme.
6. Mbështetuni te kujdestarët e besuar
Sigurohuni që fëmija të qëndrojë me njerëz që i njeh dhe i beson. Prezantoni kujdestarët e rinj gradualisht dhe kaloni pak kohë së bashku me ta derisa fëmija të ndihet rehat.
7. Kërkoni ndihmë profesionale kur është e nevojshme
Nëse ankthi i ndarjes zgjat për një periudhë të gjatë ose ndikon ndjeshëm në aktivitetet e përditshme të fëmijës, mund të jetë e nevojshme të konsultoheni me një psikolog ose specialist të zhvillimit të fëmijëve.
Mbështetja e një mjedisi të sigurt dhe të dashur është kyç për tejkalimin e ankthit të ndarjes. Me durim dhe mirëkuptim, fëmijët mësojnë të ndërtojnë ndjenja sigurie dhe pavarësie, duke u përgatitur për sfida të reja në të ardhmen.
Burimi: The Therapist Parent
Përktheu dhe përshtati: Perparim Blakaj