Mbrojtja e adoleshentëve nga shokët e këqij
Kjo është një pikë shumë e rëndësishme, sepse siç e kam për- mendur më lartë, adoleshentët e tërheqin njëri-tjetrin në mënyrën më të çuditshme. Kemi një rregull të përgjithshëm: sa më të dobëta të jenë marrëdhëniet e adoleshentit me familjen, aq më të forta do të jenë lidhjet e tyre me shokët dhe sa më të forta të jenë lidhjet me familjen, aq më i dobët do të jetë ndikimi negativ i shokëve dhe aq më i kontrollueshëm do të jetë ai ndikim. Në të vërtetë, ndikimet negative të djemve të këqij janë të panumërta.
Të shohim në vijim disa prej atyre ndikimeve: 1. Djemtë e këqij i keqparaqesin disa gjëra, që pamja e tyre të jetë e mjegullt për adoleshentët dhe kjo keqparaqitje do të jetë graduale dhe do të rritet. Njëri thotë: “Babai yt është fanatik.” Tjetri thotë: “Babai im më beson më tepër sesa babai yt.” Një tjetër thotë: “Nëna jote të kontrollon për çdo gjë që e vepron sikur të ishe një fëmijë i vogël.” Ndërsa i katërti thotë: “Neve si adoleshentë po na bëhen padrejtësi; kur baballarët tanë ishin në moshën tonë, ata kanë vepruar shumë gjëra të këqija.” Me kalimin kohës ideja e adole- shentit për njerëzit ndryshon, ndërsa hendeku midisi tyre dhe familjes bëhet më i gjerë. Kjo do të shpie në një gjendje të re të kryeneçësisë dhe mendjemadhësisë, derisa atë që familja e konsideron të keqe, adoleshenti e sheh si të mirë dhe e kundërta.
2. Në një studim që është kryer para 25 vitesh mbi banorët e një institucioni korrektues ka gjetur se 73% e adoleshentëve i kanë kryer veprat e tyre të shthurura në bashkëpunim me të tjerët. Unë kam përshtypjen se përqindja është edhe më e lartë. Një i ri thotë lidhur me këtë:
“Kur të shikoj mbrapa sjelljen time dhe gjendjen time gjatë shkollës së mesme dhe kolegjit, gjej se tërë sjellja ime e keqe ishte inspiruar nga djem të këqij që për fat të keq janë ndodhur rreth meje. Isha budalla që nuk e dëgjova paralajmërimin e vëllait tim më të madh.”
3. Një efekt tjetër i djemve të këqij është progresi i ulët në mësime ose madje lënia e shkollës. Kemi raste të panumërta të uljes së notës mesatare të nxënësve pasi kanë filluar të shoqërohen me nxënës përtacë. Kemi raste të panumërta të nxënësve që e kanë lënë shkollën nga ndikimi i shokëve, të cilët kishin vendosur ta linin shkollën dhe të kërkonin një punë, e cila do t’u sillte para menjëherë. Këtë ata e bëjnë më tepër në shkollën e mesme sesa në studime. Mirëpo, kjo është vërtet një kurth i madh në të cilin kanë rënë një numër i adoleshentëve. E vërteta është se një person përtac dëshiron që sa më tepër të rinj të ndjekin rrugën e tij. Një person që e ka lënë shkollën u ka xhelozi studentëve të rregullt dhe i digjet zemra që ti shohë se e kanë humbur këtë përparësi ndaj tij. Natyrisht se për aq kohë sa vazhdojnë shkollimin, ata nuk do ta vlerësojnë.
“Gjithashtu për shkak të djemve të këqij, shumë adoleshentë fillojnë të pinë duhan dhe të marrin drogë. Kjo zakonisht shoqërohet me një neglizhim të përgjithshëm të obligimeve fetare. Ti i sheh djemtë e këqij duke i ofruar një cigare një adoleshenti. Ai refuzon, ndërsa ata insistojnë. I thonë: “Vetëm provoje, dhe nëse nuk të bën të ndihesh mirë, kurrë mos pi duhan përsëri.” Nëse ai përsëri refuzon, ata e akuzojnë se po i mungon burrëria, ose se është njeri i dobët që u frikësohet gjërave prej të cilave askush nuk frikësohet. Shumë studime kanë treguar se shumica e atyre që fillojnë të pinë duhan ose të marrin drogë, e bëjnë këtë për shkak të shokëve të këqij. Për rrjedhim, nga ajo që e thamë kuptojmë se është me rëndësi që çdo prind t’i mbrojë adoleshentët e tyre nga djemtë e këqij.
Prinderimi.com
Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Adoleshentët”
(Vështrime mbi adoleshentët, si t’i kuptojmë, si t’u qasemi dhe si të ndërveprojmë me ta)