Njeriu rritet gjithmonë bashkë me lojërat. Ajo që mund të ndryshojë, është lloji i lojës që luan, por, në të vërtetë, fëmija nuk mund të rrijë pa luajtur dhe pa u argëtuar. Prandaj, t’i ndalosh fëmijët dhe t’i provosh ata nga lojërat dhe argëtimi, do të thotë të shkatërrosh mjetin, me anë të të cilit bëhet i mundur kreativiteti, e më pas edhe kthimi i tyre në një yll të vërtetë.
Doktori i famshëm i fëmijëve, doktor Spok, thotë: “Të çahet zemra nga mërzia, sidomos zemra e një doktori pediatër ose një psikologu që punon me fëmijët, kur shikon lodrat e shumta të fëmijëve, ndërsa prindërit nuk i lejojnë ata që të luajnë me to, nga frika se mos i thyejnë apo se mos i shkatërrojnë!
Sytë e fëmijës janë në mëdyshje se kë duhet të urrejnë: A të urrejë lojën, apo ta urrejë mamanë, që nuk e lejon atë të luajë me lodrat e tij? Një pozicion i tillë është shumë i ashpër ndaj ndjenjave të fëmijës, prandaj duhet të bëjmë çdo gjë për ta shmangur atë”.
Në një vend tjetër, për shkakun e sjelljes së fëmijëve me lodrat e tyre, dr. Spok thotë: “E vërteta më e rëndësishme për lojërat e fëmijëve është, se fëmija asnjëherë nuk dëshiron që t’u përmbahet udhëzimeve të projektuesve të lodrave ose mendimit të prodhuesve të tyre. Fëmija përpiqet gjithmonë që t’i përdorë lodrat e tij në një formë të re dhe në një mënyrë të re të shpi- kur prej vetë atij dhe që e përzgjedh vetë. Kjo mënyrë e tij e përdorimit, ndoshta mund ta shpjegojë edhe vetë lodrën”.
(Shiko librin “Fjalë drejtuar nënave”, dr. Spok, f. 104)
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Abdulhamid Bilali, ”Si ta bësh fëmijën tënd yll”