Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, morën pjesë në lansimin e sistemit të hallkave për mbikëqyrje elektronike.
Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se pasi pa nga afër demonstrimin që u prezantua, mënyrën se si funksionojnë hallkat për monitorim elektronik, kryeministri Kurti tha se hallkat apo byzylykët, të cilët do të vendosen në dorën ose këmbën e dhunuesit apo të dyshuarit, do të luftojmë suksesshëm si asnjëherë më parë dhunën në familje.
“Kështu, në rastet kur kryesi i dhunës i afrohet viktimës përkundër urdhrit mbrojtës, menjëherë do të lajmërohen niveli mbikëqyrës lokal dhe ai qendror i Policisë, duke u mundësuar atyre reagimin efikas dhe në kohë”, ka thënë Kurti.
Ai më tej tha se ky sistem qenë kërkesë e kamotshme e policisë sonë në mënyrë që të ketë parandalime më efikase dhe hetime më të mira, duke theksuar se problemet më të mëdha janë shkaktuar për shkak të mosrespektimit të urdhrave mbrojtës.
Kryeministri Kurti përgëzoi drejtorin e Policisë, dy ministrat dhe gjithë Policinë e Kosovës për këtë të arritur domethënëse, e cila pa dyshim do ta reduktojë jashtëzakonisht shumë dhunën në familje.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se në momentin që do të kemi një urdhër mbrojtës nga gjykata tashmë do të funksionojë sistemi për mbikëqyrjen elektronike.
“Ju e dini që ne në vazhdimësi kemi thënë që do të ndërmarrim secilin veprim për të mbrojtur jetën e vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës. Kemi ndërmarrë shumë veprime gjatë këtyre 16 ditëve kemi pasur shumë takime sensibilizuese gjithandej komunave të Republikës së Kosovës. Por mendoj që sot me këtë lansim kjo është ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës”, tha ministrja Haxhiu.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ky është edhe një sukses i policisë por edhe sistemit të drejtësisë drejt asaj që të parandalohet përsëritja e dhunës ndaj vajzave dhe grave tona por jo vetëm. Ai shtoi se ky sistem do të shfrytëzohet edhe për raste të tjera në parandalimin e veprave të ndryshme penale, por roli primar është parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave. /Telegrafi/