Kush mund të na e japë dashurinë që nuk arrijmë të marrim nga prindërit, nga ata që duhet të na duan më shumë? Kush mund ta dojë, atë që ne nuk kemi dashur mjaftueshëm? Dashuria e pakët ndaj vetvetes na pengon të ndiejmë dashurinë që vjen drejt nesh, perceptimet tona verbohen, ne bëhemi të pandjeshëm. Nuk mund të besojmë se mund të na dojë dikush njësoj si ne që nuk e shohim veten të denjë për t’u dashur (nëse do të ishim të denjë, do të na kishin dashur prindërit).
Kjo nuk mjaftohet vetëm me mungesën e besimit ndaj dashurisë së të tjerëve, por edhe ne e kemi të vështirë të duam. Nuk mund të tregojmë dashuri për të tjerët, kur këtë dashuri nuk mund t’ia japim as vetes. Kjo nuk ka të bëjë me fatin. Kur rritemi, ne mund t’ia japim vetë vetes dashurinë që na ka munguar në fëmijëri. Si? Duke u përqendruar fillimisht të dashuria që kemi ndaj vetes. Sepse çfarëdo që të bëjmë, nuk e kemi aftësinë të duam të tjerët më shumë se veten. Dashuria për vetveten nuk zhvillohet duke bërë diçka apo duke fituar diçka. Gjithkush duhet të zhvillohet i denjë për t’u dashur. Pra, nuk duhet të zotërojmë diçka, por të jemi të dinjitozë.
Për të shpjeguar më mirë këto që dua të them, ju sugjeroj të vëzhgoni njerëzit që doni e veçoritë e tyre. Çfarë doni më shumë tek ata? Cilat janë veçoritë që ju tërheqin drejt tyre? Fakti që janë zemërbutë? Ngrohtësia? Sinqeriteti? Cilat veçori?
Nuk do ta kishit edhe për veten këtë dashuri, nëse do të kishit këto veçori? Ne nuk duam askënd sepse ka sy apo vetulla të bukura. Mund të na pëlqejnë bukuritë fizike, por ndjenja e dashurisë është e prirur drejt veçorive të brendshme (emocionale). E në fakt shumë mirë që është e këtillë, sepse dhënia dhe marrja e dashurisë do t’u përkiste vetëm njerëzve më pamje të bukur, ndërsa njerëzit që nuk kanë bukuri fizike, do të ishin të përjashtuar nga këto ndjenja.
Për fat të keq jeta nuk është e drejtë në të gjitha gjërat, por për sa i përket ndjenjave mund të themi se ka një drejtësi të plotë. Dashuria shikon veçoritë e brendshme; ajo nuk fshihet nëse ka diçka për ta dashuruar; nëse nuk tërhiqet sa duhet, ajo nuk troket në portën tonë.
Sa tërhiqemi drejt vetes? Ne nuk kemi asnjë mundësi t’u japim të tjerëve dashurinë që nuk kemi mundur ta marrim sa duhet nga prindërit. Dashuria e të tjerëve nuk është e mjaftueshme që të duam veten. Gjithçka që mbetet pas është një njeri qe do vetveten në sy të vetes.
Përvetësimi i veçorive që meritojnë dashurinë, na bën të shtojmë dashurinë për vetveten.
Në këtë mënyrë mund ta bëjmë veten transmetues të energjisë së dashurisë. Ekzistenca jonë na përmbush ne dhe të dashurit tanë. Jeta nuk mbetet më një proces konsumi, por shndërrohet nën një kënaqësi që shijojmë në çdo moment.
Përgatiti: Perparim Blakaj, Prinderimi.com
Autor: Saim Koç & Nil Gün, ”Vetëvlerësimi”