Shkolla duhet të jetë një mjedis miqësor, i sigurt, i pa-dhunshëm dhe jo diskriminues për të gjithë nxënësit.
Mjedisi miqësor, i sigurt, i pa-dhunshëm dhe jo diskriminues nënkupton krijimin e klimës pozitive në shkollë që kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin fizik, social, emocional për të gjithë fëmijët. Për më tepër klima pozitive shkollore mund të çojë në ulje të mungesave, të shërbejë si një metodë e parandalimit të dukurive negative dhe të zvogëlojë efektet e pabarazive socio-ekonomike. Shkollat me mjedis të tillë, minimizojnë rastet e dhunës, ka më pak ngacmim dhe arrijnë rezultate më të mëdha akademike.
Sipas Rregullores QRK 21/2013, institucionet të cilat merren me parandalimin dhe reagimin ndaj veprimeve të dhunshme në institucionet e arsimit para-universitar, klasifikohen në nivelet si vijon: Rrjeti i brendshëm mbrojtës: Edukimi parashkollor – (Drejtori i Institucionit, Këshilli i Prindërve) dhe Shkollat (Drejtori i shkollës, Këshilli i Prindërve, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Nxënësve); Rrjeti i jashtëm mbrojtës: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – MASHT- (Sektorët e Inspektimit të Arsimit në Rajon), Këshilli i Prindërve të Kosovës, Këshilli i Nxënësve në nivel nacional), Drejtoria Komunale e Arsimit – DKA – (Këshilli i Nxënësve dhe Këshilli i Prindërve në nivel komunal, Zyrtari përkatës për të Drejtat e Fëmijës), Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale – (Qendra për Punë Sociale – QPS), Qendrat e Mjekësisë – QMF, Ministria e Drejtësisë – Shërbimi Sprovues i Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Policia e Kosovës si dhe Mekanizmat tjerë ndihmës – Mediat, Institucioni i Avokatit të Popullit, organizatat joqeveritare që punojnë për të drejtat e fëmijëve dhe çështjet e dhunës në shkollë.
Pra, në mënyrë që shkollat të jenë mjedise miqësore, të sigurta, të pa-dhunshme, jo abuzive dhe jo diskriminuese për të gjithë nxënësit, nevojitet një mobilizim i gjithë atyre që janë pjesë e rrjetit të brendshëm dhe atij të jashtëm mbrojtës. .
Shkolla duhet të jetë një mjedis miqësor, i sigurt, i pa-dhunshëm dhe jo diskriminues për të gjithë nxënësit. Zbatimi i udhëzimeve dhe sugjerimeve të ofruara në kuadër të këtij udhëzuesi të shkurtër, do të ndihmojnë shkollat për t’i shndërruar në mjedise miqësore për fëmijët.