Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet paraprake të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024).
Drejtori ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati në konferencën që u mbajt sot deklaroi se regjistrimi ishte paraparë të realizohej për gjashtë javë, por që ishte shtyrë edhe për një javë pas kërkesës së disa komunave.
Ai bëri të ditur se procesi i regjistrimit ka qenë në mënyrë digjitale dhe poashtu njoftoi se regjistrimi i diasporës po vazhdon, derisa bëri thirrje për regjistrim.
“Të dhënat paraprake publikohen disa muaj pas regjistrimit të popullsisë, ne jemi shumë shpejt me këto të dhëna. Rezultatet përfundimtare do t’i shpallim në fund të vitit. Numri i popullsisë i regjistruar në Kosovë, ku nuk përfshihet diaspora është 1,586,659 banorë rezidentë. 795,046 meshkuj dhe 791,614 femra”, tha ai.
Tutje, ai tha se nga gjithsej 38 komuna të Kosovës, nëntë prej tyre kishin rritje të popullsisë, ndërkaq në 29 tjera ka pasur rënie.
Komunat ku ka pasur rritje janë: Fushë Kosovë, Partesh, Shtërpcë, Graçanicë, Kllokat, Prishtinë, Obiliq, Mamush dhe Ferizaj.
Kastrati gjithashtu theksoi se komunat veriore kanë bojkotuar regjistrimin. /Telegrafi/