Komuna e Prishtinës, Fushë Kosovës, Skenderajit, Vitisë, Drenasit, Rahoveci, Deçanit, Lipjanit dhe ajo e Vushtrrisë përmes njoftimeve zyrtare për media, kanë bërë të ditur se kanë vendosur të ndalojnë përdorimin e doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” të publikuara nga MASHTI, njofton Prinderimi.com
Nga komunat e Kosovës vijnë vendimet e njëpasnjëshme për bojkotimin e kurrikulës së ndyrë të ”Edukatës seksuale”.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të doracakëve në shkollat e Prishtinës. Ajo përmes një vendimi ka ndaluar përdorimin e këtyre materialeve në institucionet e tyre arsimore duke bërë të ditur se përmbajtja e doracakëve përbën një trajtim të papranueshëm të familjes kosovare dhe është një skandal që një material i tillë është miratuar nga MAShTI. Ani pse, Lushtaku ishte pikërisht drejtoresha që mori vendimin që në vend të emërtimeve ”Babai” apo ”Nëna” (apo edhe emërtimi: Kujdestari), të përdoren emërtimet ”Prindi 1” dhe ”Prindi 2”, ndonëse një gjë e tillë nuk kishte mbështetje ligjore dhe përbënte skandal.
Një vendim të ngjashëm ka marrë edhe Komuna e Fushë-Kosovës, e cila ka deklaruar se përmbajtja e doracakëve është “e dëmshme dhe abuzuese për fëmijët.”
Drejtoria e Arsimit në këtë komunë ka ngritur shqetësime mbi përmbajtjen e doracakëve gjatë diskutimeve me MAShTI-n, duke përmendur përmbajtjen e shëmtuar brenda udhëzimeve ku janë paraparë aktivitete në praktikë- prekje me fëmijë nën moshën adekuate.
“Fatkeqësisht, kjo qeveri nuk ka marr për bazë vërejtjet dhe shqetësimet e arsyeshme të shprehura nga zyrtarët kompetent të fushës së arsimit e përfaqësuesve të prindërve dhe përmbajta si e tillë e miratuar nga MASHT është e dëmshme dhe e papranueshme.
Sipas përfaqësuesve të Fushë-Kosovës, ky vendim është marrë për të mbrojtur interesat e nxënësve dhe prindërve të komunës.
Në mënyrë të ngjashme, Drejtoria e Arsimit e Komunës së Skenderajt ka vendosur ndalimin e përdorimit të doracakëve në të gjitha shkollat e saj.
Drejtori për Arsim, Kastriot Duraku, ka shpjeguar se vendimi është marrë në bashkëpunim me mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave, dhe se ky material është konsideruar degradues për vlerat e familjes kosovare.
“Vendimi ka të bëjë me degradimin e familjes kosovare nga ana e institucioneve përgjegjëse, dhe si i tillë nuk do të përdoret në asnjë institucion arsimor në komunën e Skenderajt deri në revidimin e tij”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt.
Komuna e Skenderajt ka njoftuar se doracakët nuk do të përdoren deri në një rishikim të përmbajtjes së tyre.
Edhe Drejtoria e Arsimit në Deçan kishte pikëpamje të njejte sa i përket mospërdorimit të doracakëve duke theksuar se kjo përmbatje është e dëmshme dhe e papërshtatshme.
Njoftimi zyrtar:
”Të dashur qytetarë të Komunës së Deçanit,
Sot kemi marrë vendim për të mos aplikuar përdorimin e doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” për klasat 1-5, 6-9 dhe 10-12 në shkollat e Deçanit.
Ne besojmë se kjo përmbajtje është e dëmshme dhe e papërshtatshme për fëmijët dhe jemi të bindur se ky vendim për mosaplikimin e doracakëve është në interesin e nxënësve dhe prindërve të komunës sonë.”
Ai përmes njoftimit zyrtar njoftoi se që nga nesër merret vendim për mosaplikimin e doracakëve, pasi këta doracakë janë shqyrtuar dhe përmbajtja e tyre është e papërshtatshme për fëmijët. Reagimi i plotë:
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci u shpreh qartë se në komunën që ai drejton nuk do të zbatohet përdorimi i doracakëve.
‘’Është diskutuar shumë ky doracak, sa jam informuar as nuk është duke u zbatuar dhe nuk pritet të zbatohet me këtë përmbajtje siç është hartuar’’ tha Lladrovci.
Ai thotë se nuk duhet që fëmijët nepër shkolla të mësojnë me praktika të tilla.
‘’Nuk besoj se duhet t’i mësojmë fëmijët në shkolla me praktika çfarë u debatuan rreth përmbajtjeve të këtij doracak’’ shprehet Lladrovci.
Edhe drejtori i DKA-së në Vushtrri, u shpreh qartë se nuk do të lejojë asesi që këta doracakë me përmbajtje e materiale deniguese e abuzuese të jenë pjesë e edukimit të fëmijëve tanë. Ai në një vendim zyrtar tha: ”Nuk lejojmë asesi që doracakë dhe materiale me përmbajtje denigruese dhe abuzuese të jenë pjesë e edukimit të fëmijëve tanë. Mbesim të përkushtuar të punojmë me MASHTI dhe akterë tjerë për të zhvilluar materiale adekuate në interes të fëmijëve-nxënësve tanë!”
Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, së bashku me kryetarët e këshillave të prindërve dhe drejtorët e shkollave, mori vendimin që doracakët e lëndës “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” të mos zbatohen në shkollat e Komunës së Lipjanit sepse përmbajtjet e papërshtatshme cenojnë vlerat tona familjare nuk duhet të jenë pjesë e shkollave tona.
“Ky vendim reflekton përkushtimin tonë për të siguruar që edukimi i fëmijëve të jetë në harmoni me vlerat tona familjare dhe kulturore, duke i mbrojtur ata nga përmbajtje të cilat mund të jenë të papërshtatshme për zhvillimin e tyre”, tha Kryetari z. Imri Ahmeti.
Burime e vendimeve zyrtare:
- Komuna e Vitisë
- Komuna e Rahovecit
- Komuna e Vushtrrisë
- Komuna e Prishtinës
- Komuna e Fushë Kosovës
- Komuna e Drenasit
- Komuna e Skenderajit
- Komuna e Deçanit
- Komuna e Lipjanit
© Prinderimi.com | Të gjitha të drejtat e rezervuara.