Siguria personale e adoleshentit
Disa nga krizat më të mëdha që u vijnë adoleshentëve janë për shkak se ata supozojnë se janë të sigurt, se janë të paprekshëm ose janë trima. Duhet të përpiqemi shumë që të ngulisim thellë në mendjen e adoleshentit se ekzistojnë kriminelë profesionalë pre e të cilëve kanë rënë edhe shumë njerëz të rritur e të pjekur, që nuk kanë qenë mjaft syçelur, ose nuk i kanë marrë masat e duhura të kujdesit në disa situata. Ne gjithashtu duhet t’i informojmë për disa rregulla dhe udhëzime të cilave duhet t’u përmbahen kur kanë punë me njerëz dhe gjëra, me qëllim që të sigurohen se nuk bien në telashe. Ja disa rregulla:
1. Adoleshenti/adoleshentja të mos hipë në veturën e askujt që nuk e njeh.
2. Kur ai/ajo dyshon në rrezik, le të sillet në pajtim me instinktin e vetëmbrojtjes; ajo që duhet të bëhet është të thirret policia ose personi më i afërt. Këtë e themi sepse disa adoleshentë e kuptojnë se ka rrezik real, mirëpo për shkak të besimit të tepruar të tyre ose për shkak të mendjemadhësisë ata refuzojnë të kërkojnë ndihmë.
3. Paralajmëroje të birin të mos hip në veturën e shokut, i cili është i përgjumur ose nget me pakujdesi ose me fodullëk, që sot është gjë e rëndomtë.
4. Nëse biri ec në një pjesë të qytetit që nuk ka shumë shtëpi, sidomos natën, le të jetë syçelur për atë që zhvillohet përreth tij. Të mos flas në telefon, se mund t’i grabitet nga dikush ose mund t’i ekspozohet ndonjë sulmi për shkak të tij.5. Ecja në vende ku ka plot njerëz dhe është e ndriçuar mirë është zakonisht më e sigurt sesa ecja në vende në rrugë të ngushta ose të errëta.
6. Nëse biri ndjen se dikush po e përcjell, le t’i bie ziles së ndonjë shtëpie që të kërkojë ndihmë ose le t’i shpejtojë hapat derisa të arrij te një vend ku ka shumë njerëz.
7. Nëse biri ec në rrugë me diçka të vlefshme, një orë, telefon të shtrenjtë ose një shumë të madhe parash, le ta fshehë atë nga sytë e të tjerëve. Nëse i del një plaçkitës më i fortë ose i armatosur, i cili dëshiron ta plaçkit, të mos rezistojë. Le të përpiqet t’i mbajë në mend tiparet e sulmuesit, kështu që të raportojë në polici. Të mos i jep adresën e familjes ose ndonjë informate të rëndësishme asnjë personi që nuk e njeh mirë. Të mos i jep numrin e vetë ose numrin e familjes dikujt që nuk është shok i tyre.
8. Familja duhet të informohet për vendin ku do të shkojë adoleshenti dhe nëse ai/ajo shkon në një vend tjetër, ata duhet t’ia bëjnë me dije familjes.
9. Jepi adoleshentit më tepër se një opsion për të thirrë familjen ose shokët në rast të rrezikut.
10. Le t’i mësojë biri juaj disa shkathtësi të vetëmbrojtjes dhe sporte të tjera. Kjo do t’i jep më tepër vetëbesim dhe më tepër ridjenja të sigurisë, përveç që ato shkathtësi mund ta shpëtojnë një ditë.
Mbrojtja e adoleshentëve nga mujsharët (frikësuesit)
Sigurisht se në memorien tonë mund të ruajmë raste kur disa shokë të klasës për disa arsye kanë tërhequr agresionin e studentëve të tjerë, fqinjëve të tyre, ose njerëzve të tjerë, të cilët i bëjnë objekt të përqeshjes, talljes, thirrjes me emra të këqij dhe të gjitha llojeve të ngacmimeve. Kjo mund të shkojë deri në sulm fizik. Mujsharët (frikësuesit) mund të kenë cak ngjyrën, dukjen, veshjet, paaftësinë në sport, dobësinë në zënien e mësimeve të adoleshentit, ose prejardhjen e tij të saj ose qytetin apo fshatin prej nga vjen.
“Frikësimi do të shpie adoleshentin të tërhiqet nga të tjerët ose të vuajë nga vetëpërbuzja.”
Ata madje mund të kenë depresion ose të goditen nga disa çrregullime të tjera psikike. Problemi në të gjitha këto raste është se shumë adoleshentë bëjnë të pamundurën që familja të mos e kuptojë. Ata preferojnë të vuajnë ngacmimet në heshtje. Mirëpo, familjet në të cilat komunikimi është aktiv dhe kanë shprehi të jenë të hapura me njëri-tjetrin zakonisht do të vërejnë se në çka ekspozohen fëmijët jashtë shtëpisë. Familjet e tilla do të nxitojnë t’i ndihmojnë fëmijët. Ne vijim kam paraqitur një listë të sugjerimeve që do t’ju ndihmojnë për të mbrojtur birin/bijën nga frikësuesit:
1. Përpiqu të përcaktosh saktësisht llojin e agresionit, ndaj të cilit po ekspozohet biri juaj.
2. Shkruaji një listë të emrave të frikësuesve që e sulmojnë të birin tuaj.
3. Nëse frikësuesi është një fqinj, fol me babanë e tij. Thuaji se pas tri ditësh do ta kontaktosh përsëri për të parë se çfarë ka bërë për këtë problem.
4. Nëse frikësuesi ose djali agresor është një shok i klasës së birit tuaj, shko të takosh drejtorin ose pedagogun e shkollës. Merre premtimin e tij për të shqyrtuar problemin dhe për të marrë masa.
5. Para se të dalësh nga shkolla, caktoje një takim tjetër me
personin përgjegjës që të informoheni se çfarë kanë bërë. 6. Megjithatë sigurohu që ankesa juaj të mos ekspozojë birin tuaj ndaj frikësimeve më të mëdha ose hakmarrjes.
7. Thuaji të birit që të kthehet në shtëpi i shoqëruar me dy ose tre shokë të besueshëm që të sigurojë ca mbrojtje.8. Përpiqu t’ia shtosh vetëbesimin. Për shembull thuaji: “Ata të sulmojnë vetëm për shkak se ke shumë përparësi ndaj tyre dhe kjo i bën të sillen keq me ty. Një ditë do të vërtetohet kjo.”
9. Ndihmoje që ti injorojë fjalët dhe shikimet fyese dhe tregoji që reagimi i tij ndaj frikësuesve të bëhet jo më tepër se me një shikim mospëlqimi.
10. Nëse ekspozohet ndaj një sulmi të papritur, duhet të jetë i gatshëm të bërtas ose të ikë nëse është nevoja.
11. Mos nxitimi, të menduarit dhe qetësia janë elemente kyçe në zgjidhjen e të gjitha problemeve.
Mbrojtja e adoleshentit nga rreziqet e internetit
Nuk e teprojmë nëse themi se interneti është shpikja më e madhe e shekullit të njëzet dhe shpikja më frytdhënëse. Mirëpo, rreziqet e tij janë po aq të mëdha sa edhe përparësitë dhe përfitimet e tij. Në të vërtetë, jo vetëm interneti, mirëpo çdo shpikje e re teknologjike hap një zgjidhje të re, një lloj testi në të cilin disa korrin sukses dhe disa dështojnë. Ju mund të mos lejoni në shtëpi radion, televizorin, satelitin ose revistat zbavitëse, mirëpo nuk mund të ndalni ekspo- zimin e fëmijëve ndaj internetit. Kjo e bën edhe më urgjent nevojën për t’i marrë masat e domosdoshme në mbrojtjen e familjeve dhe fëmijëve nga rreziqet e internetit. Të gjithë e dimë se me shtypjen e disa butonave në kompjuter, mund të vërshohesh nga materialet pornografike dhe e dimë mirë se në çdo moment dalin foto të tilla, të cilat janë të gatshme të kërcejnë mbi prenë e tyre. Ne brengo seshim kur e linim fëmijën të vetëm në shtëpi, mirëpo rreziqet tani po përvidhen në çdo kënd të shtëpive tona. Atëherë të ndalemi në vijim te disa parime dhe rregulla që mund të na ndihmojnë të mbrojmë adoleshentët nga rreziqet e internetit:
1. Suksesi ynë në mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e internetit varet para së gjithash nga gatishmëria e tyre për të na dëgjuar dhe për t’ia vënë veshin udhëzimeve tona. Përgjigja e tyre ndaj nesh varet nga puna jote për t’u mbjellë në mendjet e tyre parimet e devotshmërisë dhe frikës ndaj Allahut, bërja shprehi që në familje të flitet hapur dhe çiltër dhe mbjellja e një sasie të vetëbesimit të mjaftueshëm te adoleshenti.
2. Në një studim shkencor është gjetur se 54% e adoleshentëve që marrin pjesë në rrjete sociale kanë folur për tema që janë tabu nga këndvështrimi i shoqërisë. Shumë anketa kanë treguar se shumica e fëmijëve, të cilët e përdorin internetin kanë më tepër se një adresë elektronike, pa dijen e prindërve, kështu që t’i fshehin gjërat e ndaluara. Studimet e tjera tregojnë se shumë adoleshentë bëhen anëtarë të forumeve dhe njoftohen me njerëz të huaj, për të cilët nuk dinë asgjë dhe kjo natyrisht se paraqet rreziqe të mëdha për adoleshentët, siç është takimi me vajza, prekja e temave seksuale dhe bisedat për drogë. Komunikimi online ndikon shumë në marrë- dhëniet e adoleshentit dhe në zhvillimin e identitetit.
3. Disa familje të kulturuara dhe të kujdesshme kanë vendosur se mënyra më e mirë për t’i mbrojtur fëmijët e tyre nga rreziqet e internetit është përpilimi i një kontrate në mes të prindit dhe të birit ose të bijës, në të cilën vendosen kushtet dhe rregullat e përdorimit të internetit dhe për të cilën adoleshentët japin fjalën se do ta zbatojnë.
Disa prej kushteve të kontratës janë:
Kontakti i vazhdueshëm me prindërit ose njërin prind se cilën faqe lejohet ta hapësh. Respektimi i kohës së caktuar për përdorimin e internetit.
– Të mos i jep askujt informata personale si për shembull emrin e shkollës, numrat e xhirollogarisë, adresën e punës së prindërve, adresën e shtëpisë, pa lejen paraprake të prindërve.
– Të informojë babanë për ndonjë rrezik ose ndonjë gjë të keqe, ndonjë kërcënim që vjen me email.
Të mos pajtohem për ndonjë gjë që duhet të paguhet pa leje paraprake të prindërve.
– Të mos i dërgojë fotografi personale ose të ndonjë anëtari të familjes askujt pa u treguar prindërve lidhur me të.
Kurrë të mos pajtohem të takohem me një person që e kam njohur në internet pa konsultimin e prindërve të mi.
– Të sillem mirë kur të përdorë internetin, të mos shkel ligjin e as të mos lëndoj të tjerët.
Një kontratë sikur kjo do të funksionojë mirë nëse në familje janë ndërtuar marrëdhënie të mira dhe ku midis prindërve dhe adoleshentëve ekziston komunikimi efikas. Përndryshe, ata nuk do t’u përmbahen kushteve sepse këtë do ta konsiderojnë si robërim të tyre.
4. Inkurajoje të birin ose të bijën të përdorë një emër neutral, i cili nuk zbulon gjininë e tyre.
5. Mbaji pajisjet me internet në dhomën e ndejës, e jo në dhomën private të adoleshentit.
6. Falja e namazit me kohë, të mësuarit dhe bërja e detyrave janë prioritet absolut para ndonjë përdorimi të internetit.
Prinderimi.com
Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Adoleshentët”
(Vështrime mbi adoleshentët, si t’i kuptojmë, si t’u qasemi dhe si të ndërveprojmë me ta)