A ka ndodhur që të praktikosh një regjim të caktuar ushqyerjeje, për të rënë nga pesha apo për të fituar peshë? Nëse përgjigjja është “po”, a ka qenë i suksesshëm për ty ky regjim?
Shkencëtarët në Universitetin e Harvardit, kanë zbuluar se 90% e regjimeve të ushqyerjes nuk japin ndonjë rezultat që ia vlen, dhe se ata që i ndjekin këto regjime për zbritjen nga pesha, zakonisht kthehen përsëri në peshën e tyre origjinale dhe nganjëherë në një peshë më të madhe se ajo. Regjimi i ushqyerjes, në gjuhën angleze quhet “Diet”. Nëse e zbërthejmë këtë fjalë, gjejmë se ajo përbëhet nga fjalët “Die or eat”, që do të thotë “Vdis ose ha”.
Kur ti ndjek një regjim ushqyerjeje të caktuar, rezultati është se trupi dhe mendja jote fillojnë të kenë frikë nga ideja e urisë, dhe për këtë arsye, ato të dyja bashkohen kundër teje, prandaj ndjen uri shumë më shpejt. Sipas një regjimi ushqyerje, me anë të të cilit ti ke për qëllim të zbresësh në peshë, për shembull, është shumë e vështirë të arrish vërtet sukses, dhe ajo që të nevojitet më së shumti për këtë, është regjimi i duhur për jetën tënde në tërësi.
Molieri thoshte: “Duhet që ne të hamë për të jetuar, jo të jetojmë për të ngrënë.”
Shumë nga ata që marrin pjesë në ligjëratat e mia rreth shëndetit, thonë se atyre u pëlqen të hanë, dhe se kjo është diçka argëtuese për ta. Përgjigjja ime ndaj tyre është me fjalët e Bernard Shaw, i cili thoshte: “Nuk ka dashuri më të vërtetë se dashuria për ushqimin… dhe ne i hapim varret tona me dhëmbët tonë, çdo ditë.”
Kur mendojmë se 70% e globit tokësor është ujë, dhe se rreth 70% e trupit të njeriut është ujë, cili mendon ti të jetë elementi më i rëndësishëm i regjimit tënd të të ushqyerit? Natyrisht që uji! A nuk është kështu?… Në fakt, ushqimi i shëndetshëm, si perimet dhe frutat, përmbajnë përqindje të lartë uji. Unë, për shembull, në mëngjes përpiqem që më së shumti të marr fruta, ose lëng të shtrydhur nga 8 karota dhe dy molla. Vakti i drekës gjithashtu, duhet të përmbajë sallatë, të përbërë nga shumë lloje perimesh, e po ashtu edhe vakti i darkës… Ky është regjimi im në të ushqyer.
Ti duhet të zgjedhësh një mënyrë të shëndetshme të të ngrënit… Për shembull, pasi ke ngrënë ushqim dhe stomaku të duket ende bosh, atëherë ha fruta të ndryshme. Sofra e ushqimit duhet patjetër të ketë sallatë në të, dhe gjithashtu, kur dëshiron të hash diçka mes vakteve, është më e pëlqyeshme që kjo të jetë perime ose fruta… Një fjalë e urtë thotë: “Një mollë në ditë e mban mjekun larg”, dhe nuk kam gjetur ndonjë fjalë të urtë që thotë: Një copë çokollatë në ditë e bën këtë!!
Tani duhet patur parasysh këto që vijojnë: Niveli i energjisë së njeriut përkeqësohet nëse nuk merr sasitë e nevojshme të lëngjeve, dhe më i miri i këtyre lëngjeve është uji.
Dëshira për të fjetur pas mesditës dhe përqendrimi i ulët, zakonisht janë për shkak të mungesës së lëngjeve në trup.
Pi lëng frutash të freskët, pi sasi të madhe uji gjatë ditës, dhe mos prit derisa të mbërrish në etje, sepse etja është tregues i mungesës së lëngjeve në trup… Është e pëlqyeshme që gota me ujë të qëndrojë pranë teje gjithmonë dhe të pish ngadalë.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Dr. Ibrahim Fekij, “10 çelësat e suksesit”