Dita e Mësuesit shënohet me shumë aktivitete
Në kuadër të manifestimit qendror të shënimit të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, të mbajtur në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka ndarë çmimin vjetor “Shaban Jashari” për mësimdhënësin Shaip Krasniqi nga shkolla “Naim Frashëri”, në Breznicë të Obiliqit si dhe mirënjohje për 30 mësimdhënës të dalluar.
Ministrja Arbërie Nagavci në fjalën e saj theksoi se, vlerësimi dhe mirënjohja për mësimdhënësit janë thelbësore për motivimin e tyre dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit.
Nagavci tha se, çmimi “Shaban Jashari” jo vetëm që nderon mësimdhënësit e shquar, por gjithashtu përkujton rëndësinë e edukimit dhe rolin e pazëvendësueshëm të mësimdhënësve në formimin e brezave të rinj.
Ndër të tjera, Nagavci tha se, MAShTI ka vënë theks të veçantë tek zhvillimi profesional i mësimdhënësve ku vetëm në tre vitet e fundit, janë trajnuar gjithsej 16,959 mësimdhënës në 172 programe të ndryshme trajnimi, që nga trajnimet për kurrikulë e deri tek trajnimet për programe themelore dhe plotësuese në bashkëpunim me OJQ-të.
Mësimdhënësi Shaip Krasniqi nga shkolla “Naim Frashëri” në Breznicë të Obiliqit pas marrjes së çmimit ka thënë se vlerëson mbështetjen dhe bashkëpunimin e kolegëve, drejtoreshës së shkollës dhe nxënësve të tij, duke thënë se ky është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit dhe ndihmës së ndërsjellë që na motivon të gjithë të punojmë më mirë dhe të arrijmë rezultate të larta.
Në ceremoninë solemne të shënimit të Ditës së Mësuesit, ministrja Nagavci ndau mirënjohje për 30 mësimdhënës të dalluar.
Gjatë ditës, ministrja Nagavci ka marrë pjesë në lansimin e laboratorit të ri EdTech në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë. Ky projekt, i cili filloi në qershor të vitit 2023, do të zgjasë tre vite dhe synon të transformojë sistemin arsimor në Kosovë dhe Shqipëri përmes integrimit të teknologjisë dixhitale në edukimin e mësuesve. Projekti është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe programi ERASMUS+.
Ministrja Nagavci përgëzoi Fakultetin e Edukimit për rolin e tyre si koordinator të projektit dhe për kontributin në krijimin e studios EdTech, e cila pritet të ketë një ndikim të gjerë në përgatitjen e edukatorëve të ardhshëm. Po ashtu, kjo studio, do të ofrojë një gamë të shërbimeve që do të bëjnë më tërheqës mësimin dhe edukimin, duke filluar nga formatet audio dhe video deri te lojërat edukative.
Ndërsa, përfaqësuesja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Lucia Parducci përgëzoi për projektin e bashkëfinancuar nga Erasmus+. Ajo inkurajoi profesorët e Fakultetit të Edukimit për punën dhe kontributin e tyre në edukimin e brezave të ardhshëm të mësimdhënësve.