Kur thoni se gjendeni në depresion, doni të thoni se ndiheni keq apo i rënë moralisht sepse diçka ju shqetëson.
Shumica prej nesh ndonjëherë mund të ndihen të trishtuar, por kjo nuk do të thotë që ju vuani nga depresioni. Kur je në depresion ndihesh në këtë mënyrë, por ndjenja është më e fortë dhe zgjat në kohë, duke ndikuar në aktivitetin tuaj të përditshëm, dhe duke penguar shijimin e gjërave që më parë ju jepnin kënaqësi.
Depresioni është një çrregullim i shëndetit mendor. Kjo do të thotë që depresioni është një sëmundje. Truri dhe trupi do të preken nga kjo sëmundje. Megjithatë, është e rëndësishme të keni parasysh se depresioni është i shërueshëm.
Vetëm mendoni për këtë: A ndiheni ndryshe kohët e fundit, më të zymtë dhe në ankth? A ju ka shqetësuar ndonjë gjë kohët e fundit? Nëse po, ndoshta ndjenja e trishtimit është një reagim ndaj situatës tuaj.
Kur depresioni është i pranishëm, njerëzit kanë shenja dhe simptoma, por nuk mund të jenë të vetëdijshëm për këtë. Ata mund të fillojnë të ndiejnë se kanë një problem serioz kur thjesht nuk mund ta shmangin dot, kur fillon të ketë një efekt negativ në aftësinë e personit për të kryer aktivitetet e përditshme, ose kur bëhet aq i rëndë sa jeta duket pa kuptim.
Depresioni është një sëmundje që përfshin jo vetëm mendjen apo trurin, por tërë trupin, duke ndikuar në mënyrën sesi një person ushqehet, fle, ndihet për veten e tij/saj dhe mendon.
Cilat janë shenjat dhe simptomat e depresionit?
Depresioni është shumë më larg se një shqetësim ose vuajtje normale: është një sëmundje që përfshin shenja dhe simptoma që zgjasin javë, muaj apo vite, pa njohjen e gjendjes ose pa trajtimin e duhur.
Shenja dhe simptoma të zakonshme të depresionit janë:
- Gjendja vazhdimisht trishtuese, ankthioze ose boshe;
- Humbja e interesit në aktivitete që dikur ishin interesante apo të kënaqshme, duke përfshirë seksin;
- Lodhja e pazakontë, niveli i ulët i energjisë, ndjenja e ngadalësimit;
- Humbja e oreksit (me humbje peshe) ose ngrënie e vazhdueshme (me shtim në peshë);
- Shqetësimi i gjumit dhe pagjumësia, zgjimi herët në mëngjes ose gjumë i gjatë;
- Humbja e shprehjes emocionale (ndikim i sheshtë);
- Ndjenjat e mungesës së shpresës, pesimizmit, fajit, pavlefshmërisë ose vulnerabël;
- Tërheqja sociale;
- Problemet me përqendrimin, kujtesën apo marrjen e vendimeve;
- Nervozizmi ose irritimi i pazakontë;
- Problemet e vazhdueshme fizike të tilla si dhimbje koke, çrregullime të tretjes ose dhimbje kronike që nuk i përgjigjen trajtimit;
- Mendimet rreth vdekjes, vetëvrasjes, përpjekjet për vetëvrasje ose dëmtim të vetes.
Simptomat tipike fizike të lidhura me depresionin janë:
- Reduktimi i oreksit dhe humbja e peshës;
- Humbja e interesit seksual;
- Dhimbje koke;
- Marramendje;
- Problemet me zemrën;
- Problemet me frymëmarrjen;
- Dhimbje kurrizi;
- Ankesat gastrointestinale;
- Dhimbje barku
Trajtimi me medikamente antidepresive
Antidepresantët janë ilaçet që përdoren për shumicën e çrregullimeve të depresionit dhe ankthit. Është e rëndësishme të mendoni me kujdes për antidepresantët ose ilaçet e tjera. Nëse ndiheni rehat dhe të sigurt me trajtimin është diçka e mirë. Përndryshe nuk ka gjasa që ju të angazhoheni për të marrë antidepresantë rregullisht dhe për një periudhë të gjatë kohore për të mundësuar reduktimin e depresionit. Është e rëndësishme të merrni informacione të besueshme dhe të diskutoni ndonjë shqetësim ose dyshim që keni me mjekun tuaj.
Përktheu: Fjolla Krasniqi, Prinderimi.com
Burimi: https://ifightdepression.com