Në epokën e rrjeteve sociale, të rinjtë përballen çdo ditë me mesazhe toksike dhe trende virale që vendosin standarde të paarritshme për imazhin e trupit. Si pasojë, shumë prej tyre ndihen të pakënaqur me formën dhe pamjen e tyre fizike.
Çrregullimet e të ngrënit, si anoreksia, bulimia, çrregullimi i ngrënies së tepërt dhe çrregullimi i marrjes së kufizuar të ushqimit, janë probleme serioze të shëndetit mendor që prekin miliona njerëz. Këto çrregullime janë në rritje sidomos tek të rinjtë, me studime që tregojnë se numri i vizitave në kujdesin shëndetësor për këto probleme është dyfishuar gjatë pandemisë COVID-19.
Ky fenomen është shqetësues, pasi programet e trajtimit të çrregullimeve të të ngrënit tashmë kanë pritje të gjata dhe akses të kufizuar për shumë pacientë.
Pasojat e çrregullimeve të të ngrënit
Personat me çrregullime të të ngrënit përjetojnë një marrëdhënie të ndërlikuar me ushqimin, të shoqëruar shpesh me shqetësime të mëdha për peshën dhe formën e trupit.
Këto çrregullime nuk bëjnë dallime – mund të prekin këdo, pavarësisht racës, moshës, statusit socio-ekonomik apo gjinisë. Për më tepër, të rinjtë nga komunitetet e margjinalizuara shpesh përballen me vonesa në diagnozë dhe trajtim, pasi nuk përputhen me stereotipet tipike të çrregullimeve të të ngrënit.
Çrregullimet e të ngrënit ndikojnë në çdo aspekt të jetës së individit dhe shkaktojnë shqetësime të mëdha si për personin e prekur, ashtu edhe për familjen e tij. Ato mund të çojnë në probleme serioze shëndetësore, si ulje të rrezikshme të rrahjeve të zemrës (bradikardi), dobësim të kockave (osteoporozë) dhe mungesë hekuri (anemi). Për më tepër, këto çrregullime kanë një shkallë të lartë të vdekshmërisë së parakohshme.
Shenjat paralajmëruese të çrregullimeve të të ngrënit
Duke marrë parasysh rritjen e sjelljeve të çrregulluara të të ngrënit te të rinjtë, është e rëndësishme të njihen shenjat paralajmëruese për të ndërhyrë në kohë.
Sjelljet e lidhura me çrregullimet e të ngrënit
- Ushtrime fizike të tepruara për të humbur peshë ose ndryshuar formën e trupit
- Shkuarja në tualet menjëherë pas ngrënies
- Të ngrënit fshehurazi
- Kufizimi i ushqimeve, veçanërisht i grupeve të caktuara ushqimore
- Fiksimi pas humbjes së peshës ose mbajtjes së një peshe shumë të ulët
- Peshimi i shpeshtë për shkak të pakënaqësisë me trupin
- Sjellje të pazakonta gjatë ngrënies, si matja e ushqimit, prerja në copa shumë të vogla ose konsumimi i sasive të mëdha të lëngjeve për të krijuar ndjesinë e ngopjes
Shenjat fizike
- Humbje peshe ose luhatje të peshës (lart ose poshtë)
- Vonesa në pubertet ose mungesë e ciklit menstrual
- Dhimbje të stomakut dhe ndjesi të ftohti të vazhdueshme
- Marramendje ose ligështim
- Dhëmbë të ndjeshëm ose të dëmtuar
Shenjat sociale dhe psikologjike
- Tërheqje nga aktivitetet sociale dhe ndryshime në sjellje
- Shfaqja e simptomave të depresionit ose ankthit
- Konflikte me të tjerët për çështje të lidhura me ushqimin dhe peshën
- Shmangia e eventeve sociale që përfshijnë ushqimin, si festat ose mbledhjet me miqtë
Çfarë mund të bëjnë prindërit dhe kujdestarët?
- Vëzhgoni ndryshime të papritura ose ekstreme në zakonet e të ngrënit të fëmijës suaj, si dieta të rrepta ose shmangia e grupeve të caktuara ushqimore.
- Kushtojini vëmendje ndryshimeve fizike, si humbja ose shtimi i peshës pa arsye të dukshme, lodhja e vazhdueshme ose ndryshimet e humorit.
- Qëndroni të vëmendshëm për tërheqjen nga aktivitetet sociale që përfshijnë ushqimin.
- Evitoni komentet mbi pamjen fizike, peshën ose madhësinë e trupit – qoftë të fëmijës suaj apo të tjerëve. Përqendrohuni më shumë te shëndeti dhe zhvilloni një qasje të shëndetshme ndaj ushqimit dhe trupit.
Ndërhyrja e hershme është thelbësore
Nëse vëreni disa nga shenjat e përmendura më sipër, është e rëndësishme të bisedoni me fëmijën tuaj. Inkurajojeni të ndajë përvojat dhe shqetësimet e tij, duke dëgjuar pa paragjykim. Shprehni dhembshuri dhe kujdes për shëndetin e tij.
Nëse mendoni se shëndeti i fëmijës është në rrezik, tregohuni të vendosur, por të ngrohtë në bisedën tuaj dhe organizoni një takim me një profesionist të kujdesit shëndetësor. Sa më shpejt të kërkohet ndihmë, aq më të mira janë mundësitë për shërim.
Çrregullimet e të ngrënit janë çështje serioze dhe kërkojnë kujdes të specializuar nga një ekip i gjerë specialistësh, duke përfshirë psikologë, mjekë, dietologë dhe punonjës socialë. Nëse përballeni me lista të gjata pritjeje për ndihmë të specializuar, kërkoni organizata të besueshme që mund të ofrojnë mbështetje të menjëhershme.
Së fundmi, është e rëndësishme që prindërit dhe kujdestarët të jenë të vetëdijshëm për ndikimin që kanë fjalët e tyre. Edhe pse një koment negativ për trupin e dikujt nuk do të thotë domosdoshmërisht se fëmija ka një çrregullim të të ngrënit, është diçka që duhet pasur parasysh – veçanërisht kur shoqërohet me shenjat e tjera të përmendura më sipër.
Burimi:
Përktheu dhe përshtati:
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Rrjetit të Prindërve të Kosovës në Viber.