Thuhet se nuk ka asnjë njeri që dëshiron që tjetri të bëhet më i mirë se ai, përveç prindit për fëmijën e tij. Ata dëshirojnë që fëmijët e tyre të bëhen më të mirë se ta. Çdonjëri dëshiron që pasardhësit e tij të arrijnë gjërat më të mira, mirëpo vetëm dëshirat nuk mjaftojnë për të arritur këtë. Ne gjithashtu kemi nevojë të dimë mjaftueshëm se çka dëshirojmë që fëmijët tanë të bëhen, kështu që të kemi mundësi ta kanalizojmë edukimin e tyre, vlerat dhe moralin.
Të gjithë prindërit u dëshirojnë më të mirën fëmijëve të tyre, mirëpo pak prej tyre e dinë si të arrijnë këtë. Nga ky aspekt dëshiroj t’i përmendi disa gjëra:
1. Ëndrra më e rëndësime që e kemi për fëmijët tanë është që ata të bëhen burra dhe gra të devotshme, t’u përmbahen mësimeve të Islamit me trup dhe shpirt, ta duan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, si dhe të ndjejnë se i takojnë Umetit islam. Qëllimi është që ata të kenë sukses në botën tjetër dhe të fitojnë kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Kjo kërkon nga ne që të jemi shembuj për ta në devotshmëri, adhurim dhe dashuri për të mirën. Të jesh shembull i mirë ka rëndësi të madhe në kohën tonë në të cilën ideologjia e mendimit të lirë po e rregullon botën. Nëse nuk i hapim sytë mirë, do ti humbim fëmijët pa e ditur.
2. Ne kemi nevojë të nxisim te ta cilësinë e vetëvlerësimit. Ne kemi nevojë të mbjellim te ta cilësitë e fisnikërisë, zemërgjerësisë, aspirimit matanë botës materiale. Ata duhet t’i mësojmë ta shohin veten si krijesa të ndershme me plot vlera, të aftë për të arritur lartësi të mëdha, gjithashtu të kenë mburojën morale për t’i rezistuar të keqes dhe joshjeve.
Ne nuk dëshirojmë që ata ta konsiderojnë respektin e njerëzve për ta si qëllimin kryesor, mirëpo natyrisht dëshirojmë që ata ta shohin veten si personalitete të dinjitetshme dhe respektin e njerëzve ta fitojnë me moral të mirë dhe punë.
Vetëvlerësimi është me të vërtetë thelb i shëndetit mendor. Shumë të këqija personale dhe shoqërore ndodhin për shkak të vetëvlerësimit të ulët. Vetëvlerësimi manifestohet më së miri kur ne ballafaqohemi me dështim ose jemi vënë nën presion të madh. Ai pastaj e demonstron veten si vendosmëri dhe rezistencë e ndershme, e cila e mbron individin nga rënia në kryerjen e krimit ose përfshirja në dhunë. Kur njeriu e ndien veten të humbur dhe ka mungesë të vetëvlerësimit, ajo e shtyn drejt izolimit dhe ndjenjave të mërzisë, pastaj e shtyn në rebelim ndaj rendit dhe autoritetit ligjor, pastaj ai është edhe një hap larg për t’u bërë kriminel.
Nëse dëshirojmë të mbjellim vetërespektin te fëmijët tanë, duhet t’i trajtojmë si individë vërtet të respektuar, t’i inkurajojmë të jepen pas gjërave më të ndershme dhe t’i urrejnë gjërat e turpshme derisa në të njëjtën kohë të ngrehin veten mbi botën materiale.
3. Pajisu me një numër të vlerave fundamentale që formojnë bazën e një personaliteti të shkëlqyeshëm. Le të sqarojmë në vijim:
– Është e nevojshme të theksohet se vlerat dhe parimet kurrë nuk mund të imponohen në mënyrë të suksesshme te askush, qoftë i ri ose i vjetër. Përkundrazi, këto cilësi merren nga të rinjtë gjatë ndërveprimeve të tyre me më të rriturit, të cilët u lënë përshtypje. Kam parë shumë njerëz duke u përpjekur t’u imponojnë vlerat fëmijëve të tyre me detyrim. Ata u bëjnë presion të madh atyre për t’i bërë të sillen në mënyrë të ndershme, mirëpo këto cilësi të imponuara shkapërderdhen shpejt në momentin e parë të sprovës. Mënyra korrekte është të bëjmë përpjekje t’i bindim fëmijët për urtësinë që përmbajnë virtytet e tilla. Nëse duhet të bëhet ndonjë presion, atëherë ai duhet të jetë në formë të përkujtimit të atyre virtyteve të mira. Madje edhe nëpërmjet kësaj ne si prindër e dimë se nuk është e lehtë që virtytet të depërtojnë thellë në karakterin e një individi.
Sa do të kisha dëshirë që ne prindërit të dilnim nga rolet tona si prindër vetëm një herë dhe të pranonim se në moshën e tyre edhe ne kemi rënë në gabime të tilla. Mirëpo, ne gjithmonë ndienim keqardhje, pendoheshim dhe zgjoheshim. Ndoshta kjo do të ndihmonte të pakësohet ndjenja e fajit te ta dhe të mbyllet zbrazëtira morale midis nesh dhe atyre.
Thënia e të vërtetës është njëra nga cilësitë me të cilat duhet t’i pajisim fëmijët tanë. Është interesant të dimë se gënjeshtrat që fëmijët i thonë nuk janë më tepër sesa dëshira. Ata jetojnë në një botë të fantazisë ku gjërat konsiderohen reale vetëm se mund të imagjinohen. Prandaj nuk është se ata qëllimisht e keqparaqesin të vërtetën. Të kuptuarit e asaj që e përbën të vërtetën dhe vlerësimi i vlerave morale nga ana e tyre ende duhet të piqet. Megjithatë, ne mund t’ua ngulisim fëmijëve këtë cilësi duke u bërë një numër të pyetjeve që lidhen me gënjeshtrën dhe të vërtetën.
Ne gjithashtu mund të flasim për këto cilësi në situata kur ato shfaqen. Në mesin e pyetjeve janë:
- Pse është gabim të gënjesh?
- Ku qëndron e keqja në mashtrimin tënd gjatë një provimi në shkollë?
- Cili është kuptimi i thënies së urtë Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra?
- Pse thënia e së vërtetës shpie në mirësi?
Nëse ke punuar për një vit që të fitosh para dhe vjen dikush dhe t’i merr ato me mashtrim, si do të ndiheshe? Nëse dikush të ofron një shumë të madhe të parave për të zbuluar një sekret që je betuar se nuk do ta zbulosh, a do të pranoje? A do të pranosh edhe nëse e di se zbulimi i sekretit nuk do të sjellë ndonjë pasojë?
Kur fëmijët arrijnë adoleshencën, situata ndryshon plotësisht, pasi shumë të rinj shfaqin një prirje të qartë për t’iu shmangur të vërtetës. Është e domosdoshme këtu t’i shprehësh dyshimet tua nëse e sheh qartë se një tregim është vërtet i trilluar, sepse pafajësia e fëmijërisë mbaron në këtë fazë.
Guximi moral është një cilësi tjetër e rëndësishme. Ajo do të thotë trimëria në thënien e së vërtetës dhe në mbrojtjen e saj dhe çiltërsia në shprehjen e mendimit për ndodhitë rreth jush. Ai gjithashtu nënkupton guximin për t’i rezistuar presionit të mosha- tarëve kur të kërkojnë të veprosh punë të këqija. Prej kuptimeve të tij është të kesh zemër të patrembur kur të ballafaqohesh me vështirësi dhe sprova dhe kurrë të mos heqësh dorë nga besimi se Allahu do t’i lehtësojë të gjitha vështirësitë më në fund. Për të sqaruar këtë cilësi të madhe dhe për të mbjellë atë në shpirtrat e të rinjve, ne kemi nevojë t’u tregojnë ngjarje nga jeta dhe veprat heroike të njerëzve të mëdhenj përpara nesh, përveç përvojave tona ku jemi të sigurt se kemi qëndruar me trimëri.
Nëse fëmija të kritikon, dëgjoje dhe inkurajoje, ndonëse ndoshta do të kemi nevojë ta përmirësojmë metodën e tij nëse është gabim. Theksoja se aventura kërkon guxim dhe llogaritja e gjërave me përpikëri të tepërt të çon në dështim dhe burracakëri.
Puna bamirëse dhe të ndihmuarit e të tjerëve është po aq e rëndësishme në kohën tonë, sikurse në çdo kohë tjetër. Duke mbjellë këtë farë në mendjen e fëmijëve tanë ne kërkojmë të lar- gojmë arrogancën, egoizmin, mendimet negative dhe izolimin, të cilat janë bërë të meta morale që po godasin njerëzit në të gjitha vendet. Ne dëshirojmë t’u mësojmë fëmijëve tanë se jeta është dhënie dhe ndarje me të tjerët. Njerëzit më të mirë janë më të dobishëm ndaj të tjerëve, të cilët i mbajnë lidhjet farefisnore dhe janë më të mëshirshmit ndaj të varfërve. Mësoje fëmijën tënd t’i ndajë lodrat me fëmijët e fqinjit, t’u bashkohet fëmijëve të tjerë në lojë dhe t’u japë të varfërve.
Disa familje vendosin një kuti të sadakasë në një kënd të shtëpisë dhe u kërkojnë të gjithë anëtarëve të kontribuojnë. Kutia pastaj hapet çdo tre muaj dhe mjetet u shpërndahen të varfërve. Kjo është një praktikë vërtet e bukur.
Duhet të ketë qartësi në raport me paratë, si dhe me lidhjen midis punës dhe të ardhurave. Paratë i takojnë Allahut, i Cili i vendos në dispozicionin tonë dhe ne duhet të veprojmë në pajtim me udhë- zimet e Tij kur t’i fitojmë dhe kur t’i shpenzojmë. Nga një kënd tjetër, paraja është njëri nga boshtet e jetës. Njerëzit vuajnë shumë kur nuk kanë para, mirëpo paraja nuk i zgjidh të gjitha problemet.
Është e vërtetë se njeri i varfër është ai që nuk ka para, por më i varfër se ai është njeriu i cili nuk ka asgjë përveç parave (të cilit i mungon ndershmëria, vërtetësia, devotshmëria, dituria etj.), sepse vërtet atij që i mungojnë këto cilësi të bukura është më i varfër se të gjithë.
Meqenëse lidhja midis punës së zellshme dhe fitimit të parave është e mjegullt në mendjet e të rinjve, është e domosdoshme t’u sqarohet ajo. Inkurajoji fëmijët të mbajnë kursime dhe të lënë diçka rezervë për ndonjë eventualitet. Ne duhet të mos i shpërblejmë fëmijët me para për marrjen e notave të larta ose për ndonjë vepër të lavdërueshme, që të mos u sugjerojmë paranë si simbol të dashurisë dhe vlerave. Ne gjithashtu nuk dëshirojmë që ata të lidhen për të.
Natyrisht, se ka ende shumë çështje që kanë nevojë për qartësi, mirëpo atë që e kemi prezantuar duhet të mjaftojë.
Autor: Prof. Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Edukimi i fëmijëve”
Prinderimi.com