Depresioni është një gjendje serioze që ndikon në emocionet, mendimet, sjelljen dhe shëndetin fizik të një individi. Lajmi i mirë është se ekzistojnë një mori trajtimesh efektive që ndihmojnë shumë njerëz të përmirësohen dhe të rikthejnë ndjenjën e mirëqenies.
Ekzistojnë tre lloje kryesore të trajtimit për depresionin: mjekësor, psikologjik dhe social. Menaxhimi i depresionit shpesh kërkon një qasje të kombinuar, të përshtatur sipas nevojave të individit.
1. Trajtimi mjekësor
Ky përfshin përdorimin e ilaçeve antidepresive, të cilat ndihmojnë në rregullimin e kimisë së trurit. Mjekët specialistë mund të rekomandojnë gjithashtu:
-
Ndjekjen e rregullt mjekësore për të monitoruar efektet anësore.
-
Terapitë biologjike në raste më të rënda (si stimulimi i trurit, por këto përdoren vetëm në raste të veçanta dhe nën mbikëqyrje të specializuar).
2. Trajtimi psikologjik
Psikoterapia, ose “terapia e të folurit”, ndihmon njerëzit të kuptojnë veten dhe të zhvillojnë mënyra më të shëndetshme përballjeje. Disa nga format e përdorura përfshijnë:
-
Terapia konjitive-sjelljes (CBT) – ndihmon në identifikimin dhe ndryshimin e mendimeve negative.
-
Terapia ndërpersonale (IPT) – përqendrohet në përmirësimin e marrëdhënieve dhe aftësive komunikuese.
-
Terapia familjare – sidomos e dobishme për adoleshentët, për të përfshirë prindërit në procesin shërues.
3. Ndërhyrjet sociale dhe vetë-ndihma
Ndërhyrjet sociale janë shumë të rëndësishme dhe shpesh neglizhohen. Këto mund të përfshijnë:
-
Aktivitete sociale dhe grupore – të rregullta, edhe kur nuk ka motivim. Ndihmojnë në thyerjen e izolimit.
-
Ushtrime fizike të moderuara – si ecje në natyrë, sporte apo çiklizëm – kanë efekte pozitive në gjendjen shpirtërore.
-
Zhvillimi i rutinës së përditshme – orare të rregullta për gjumë, ushqim dhe aktivitet.
-
Angazhimi në aktivitete që sjellin kënaqësi apo kuptim personal – si arti, audio-video materialet, vullnetarizmi ose kujdesi për kafshë shtëpiake.
-
Mësimi për depresionin – edukimi rreth simptomave dhe trajtimeve i ndihmon të rinjtë të ndihen më të fuqizuar për të vepruar.
Udhëzime vetë-ndihme për adoleshentët
-
Shkruaj çdo ditë për ndjenjat e tua. Mbajtja e një ditari mund të ndihmojë për të kuptuar më mirë emocionet.
-
Mos u izolo – bisedo me dikë që i beson. Mund të jetë mik, prind, mësues apo psikolog.
-
Kujdesu për gjumin. Fli mjaftueshëm, shmang ekranet para gjumit dhe ndjek një orar të qëndrueshëm.
-
Vendos qëllime të vogla çdo ditë. P.sh. “Sot do të bëj një shëtitje 15 minuta”, ose “Sot do t’i dërgoj mesazh një shoku”.
-
Kujto vetes se nuk je vetëm dhe se ndihma ekziston. Ka shumë të rinj që përballen me depresionin dhe dalin prej tij më të fortë.
Udhëzime për prindërit
-
Dëgjoni me durim dhe pa gjykim. Lejojeni fëmijën të shprehet pa ndërhyrje ose këshilla të menjëhershme.
-
Mos minimizoni ndjenjat e tyre. Shprehje si “është thjesht një fazë” ose “nuk është ndonjë gjë e madhe” mund të dëmtojnë më shumë.
-
Mbani kontakt të rregullt me shkollën dhe profesionistët e shëndetit mendor.
-
Krijoni një ambient të qetë dhe të parashikueshëm në shtëpi. Adoleshentët ndihen më të sigurt kur ka strukturë dhe mbështetje emocionale.
- Modeloni sjellje të shëndetshme.
-
Nëse kujdeseni për shëndetin tuaj emocional, i ndihmoni edhe ata të bëjnë të njëjtën gjë.
Terapitë plotësuese dhe alternative
Trajtime si meditimi, aromaterapia, ushqyerja e balancuar, dhe lutjet mund të përdoren si mbështetje ndihmëse krahas trajtimeve të provuara klinikisht. Gjithmonë konsultohuni me një profesionist përpara se të provoni trajtime alternative.
Përfundim
Trajtimi i depresionit nuk është i njëjtë për të gjithë. Ka rëndësi të gjendet ajo që funksionon më mirë për individin dhe që është e përshtatur me moshën, përvojën dhe mbështetjen që ka. Kombinimi i trajtimeve profesionale me mbështetjen familjare dhe vetë-ndihmën është çelësi për rikuperimin e plotë.