Në mendjen tonë vazhdimisht kalojnë mendime në lidhje me veten. Në disa raste ne i themi me zë këto mendime. Mendimet që na kalojnë në mendje në lidhje me veten, ose fjalët që themi, janë ndërgjegjësimi që i bëjmë vetes. Nëse themi apo mendojmë gjëra pozitive në lidhje me veten, në forcojmë vetëvlerësimin, përkundër nëse mendojmë a themi gjëra përçmuese për veten, dobësojmë vetëvlerësimin.
Përmbledhtazi: Çdo mendim negativ për veten është një ndërgjegjësim negativ, ndërsa çdo mendim pozitiv është një ndërgjegjësim pozitiv. Ndërgjegjësimi negativ, është mendimi irracional i njeriut për veten. Kjo bën që njeriu të ftohet e të largohet nga vetja, gjë që i hap rrugë vetë-refuzimit. Ashtu si të tjerët largohen nga ne kur u themi fjalë të këqija, ashtu largohet edhe vetja, kur ne i themi fjalë negative apo paragjykuese.
Rastet kur ne bëjmë gjëra të gabuara që nuk i prisnim nga vetja, apo kur bëjmë sjellje të gabuara, nuk bëjmë gjë tjetër veçse, pa e kuptuar, bëjmë ndërgjegjësim negativ. Me nervozizmin e momentit, mund të reagojmë me veten në mënyrë të pabesueshme e mund të jemi gjykues. Si për shembull mund të themi fjalët: “Sa idiot jam, jam shumë i paaftë, prish gjithçka.”
Teksa i themi vetes këto fjalë, nuk e kuptojmë se e kemi ulur vetëvlerësimin. Me pakësimin e efektit të ngjarjes, mendojmë se e kemi nxjerrë nga jeta jonë këtë problem. Por, ajo që lemë pas është largimi nga vetja që e ka bërë këtë. Nëse do të ishte e mundur, do ta kishim ndërprerë miqësinë. Nëse i thoni një shoku vazhdimisht këto fjalë, ai do ta mbante ai vallë miqësinë me ju?
Mendimi pozitiv që personi ka ndaj vetes, e ndihmon ta falë veten për mangësitë apo gabimet.
Ndërgjegjësimi negativ sjell edhe një herë konkluzionin se personi është i pamjaftueshëm e i pavlerë. Ndërsa ndërgjegjësimi pozitiv e ndihmon personin të fitojë ndaj dyshimeve e ta pranojë veten.
Perceptimi i përzgjedhur (përzgjedhja në perceptim)
Ne jetojmë në çdo moment nën bombardimet e të dhënave. Mendja jonë percepton duke përzgjedhur gjërat që kanë lidhje me ne, ose që mendon se kanë lidhje me ne.
Perceptimi i përzgjedhur (përzgjedhja në perceptim) është perceptimi që njeriu pret e kërkon. Nëse personi mendon se është i pavlerë apo i pamjaftueshëm, do të shikojë vetëm gjërat që mbështesin veçoritë e veta, ndërsa nuk do të shohë dëshmitë që janë në kundërshtim me këtë mendim. Për shembull, dikush që ka një identitet dështimi përqendrohet vetëm te dështimet e nuk i sheh sukseset.
Ai nuk bën asgjë tjetër veçse intensifikon përvojat negative, frikësohet nga dështimi, dhe përgatit terrenin për dështime të tjera; në fund i ndodh ajo që ka më shumë frikë. Sepse në perceptimin një-dimensional nuk mund të nxjerrësh mësim nga dështimet.
Një grua shtatzëne fillon të shohë sesa gra të tjera shtatzëna ka përreth. Dikush që blen një makinë të kuqe, fillon të dallojë më shumë makinat me ngjyrë të kuqe që janë përreth. Dikush që bën dietë, tregon menjëherë interes për një informacion të ri në lidhje me dietat.
Perceptimet negative të përzgjedhura, mbështesin besimet negative të personit, duke ia hequr mundësinë e ndryshimit dhe sjelljes së ndryshme.
Edhe perceptimi pozitiv i përzgjedhjes krijon të njëjtin rezultat, pavarësisht se në fillim na duket si i shëndetshëm, nuk është i tillë. Sepse perceptimi pozitiv vetëm sa na largon nga të qenët objektiv. Ne humbasim mundësinë për të ndryshuar anët negative, sepse nuk arrijmë t’i shohim ato. Nëse arrijmë të bëjmë vlerësimin, ne mund të përfitojmë nga përvoja, pavarësisht se kemi pasur sukses apo kemi dështuar. Është e pamundur të nxjerrim mësim nga një përvojë që nuk arrijmë ta perceptojmë.
Personat që marrin pjesë në seancat tona edukative që janë një panoramë e përmbledhur e jetës, ndonjëherë qëndrojnë përballë së vërtetës, por nuk e shohin atë sepse nuk u intereson. Ata nxjerrin nga mesazhet vetëm gjërat që u interesojnë.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Saim Koç & Nil Gün, ”Vetëvlerësimi”