Kur ishte babi i vogël i thante detyrat me bukurshkrim, pa gabime dhe pa lëshmie, i kryente pjestimet dhe shumëzimet brenda sekondës. Kur ishte babi i vogël shënonte gol nga 20 metra, e bënte gjashtëdhjetëmetërshin për tetë sekonda dhe ishte mbreti i paraleleve në shkollë. Kur ishte babi i vogël lahej, shplahej, zgjohej kur këndonte gjeli, rregullonte shtratin, merrte çantën shkonte në shkollë dhe kthehej qelibar pa pikë njolle në rroba. Për makina me guzhineta ishte i pari, në biçikletë i pashoq, kur u bërtiste kalamajve të lagjesh u dridheshin leqet e këmbëve të gjithve. Ja ky ishte babi.
Kur ishte mami e vogël, qepte dhe qëndiste më mirë se gjyshja, gatuante për vëllezërit dhe pastronte shtëpinë më mirë se pastruesja. Kur ishte mami e vogël kërcente në litar sa nuk numërohej. Ishte e para në klasë dhe shkruante hartimet më të bukura në të gjithë shkollën, sa mahnitej edhe drejtori i arsimit të qarkut. Kur ishte mami e vogël …
Prindër të nderuar! Ndaluni pak! Kështu ju po shkatërroni fëmijët tuaj. Për fëmijën e vogël nëna me babain janë dy shembujt më të mirë në jetë. Çdo fëmijë ëndërron të jetë i fortë si babai dhe i shkathët si nëna, por ju me këto fraza ia vështirësoni çdo gjë fëmijës suaj, përderisa ju po i paraqisni atij një model të jashtëzakonshëm dhe të paarritshëm.
I shkreti fëmijë! I dëgjon këto fraza me sy të zgurdulluar nga habia, me imagjinatë të lirë, me shpirt të ndrydhur dhe me vete thotë: unë jam një hiç. Të nderuar prindër! Me këto objektiva kaq të lartë që i vendosni fëmijës suaj pa e kuptuar, fëmija stepet, humbet besimin në vetvete dhe fillon të dyshojë në aftësitë e tij. Fëmija nuk shprehet me fjalë si i rrituri por ai ndjen. Ai ndjen që diçka nuk shkon sepse ai nuk mund të jetë aq fantastik sa babi dhe aq i përkryer sa mami, si rrjedhojë ai nuk është një fëmijë normal, nuk është i dalluar, është vetëm një dështak dhe për më tepër nuk është i denjë të jetë pinjoll i kësaj familje të përkryer! Fëmija nuk shprehet, ai vetëm ndjen.
Me këtë model të përkryer dhe të paarritshëm që i jepet fëmijës, prindi rrezikon shumë. Fëmija sa vjen dhe rritet fillon të kuptojë dhe të mendojë më ndryshe. Me kalimin e viteve imazhi i babait të përkryer fillon të sfumohet dalëngadalë dhe fëmija fillon të kuptojë që edhe babai i tij është njeri normal si shumë të tjerë, me pak talent në ndonjë pikë të caktuar. Në fakt ky realitet mund të çojë në një zhgënjim për fëmijën. Fryrjet dhe stërmadhimet e tepërta dhe në disa raste edhe gënjeshtra me bisht mund të reflektojnë te fëmija ndjenjën e zhgënjimit karshi prindit dhe në raste të tjera mund të nxisin tek ai dëshirën për t’u mburrur dhe për t’u dukur ose për t’u hequr me atë që nuk e ka. Kështu, ne si prindër i kemi dhënë një edukatë të keqe fëmijës sonë ashtu pa e kuptuar.
Prindër të nderuar! Asnjëherë mos e merrni veten tuaj shembull për fëmijën! Lërini fëmijët të rriten lirshëm! Nëse bën gabim kritikojeni dhe nëse bën mirë nxiteni dhe lëvdojeni por mos e krahasoni me veten tuaj dhe me modele imagjinare të paarritshme. Lërini fëmijët në botën e tyre fëminore! Të gjithë ne kur kemi qenë të vegjël kemi bërë rrëmujë, jemi bërë pis, kemi thyer gjëra, i kemi bërë detyrat me gabime dhe kemi pasur vështirësi në mos në këtë lëndë në një lëndë tjetër. Të gjithë ne kemi vrapuar dhe kemi luajtur si fëmijët e tjerë dhe nuk kemi qenë fenomenalë dhe të jashtëzakonshëm prandaj mos kërkoni nga fëmija i juaj të jetë i tillë.
Autor: Florian Leli
Prinderimi.com