Tkurret numri i shtimit të popullsisë në Kosovë vit pas viti.
Në dekadat e fundit në Kosovë nataliteti ka shënuar rënie mbi 30 mijë lindje në vit ose 143 për qind, krahasuar vitin 2022 me atë të vitit 1990. Faktorët ekonomik, migrimi i popullsisë, karriera si dhe përvojat e mëparshme në rritjen e fëmijëve po konsiderohen të jenë ndër arsyet që prindërit të bëjnë më pak apo fare fëmijë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në vitin 2022 janë 22 mijë e 632 lindje ne Kosovë, në vitin 2021 janë kryer 22 mijë e 830 lindje, në vitin 2020 janë shënuar 21 mijë e 907 lindje, në vitin 2019 janë 21 mijë e 798 lindje, në vitin 2018 janë 22 mijë e 761 lindje, në vitin 2017 janë 23 mijë e 402 lindje, në vitin 2016 janë 23 mijë e 416 lindje.
Po ashtu në vitin 2015 janë 24 mijë e 594 lindje, në vitin 2014 janë regjistruar 25 mijë e 929, në vitin 2013 janë 29 mijë e 327 lindje, në vitin 2012 janë 27 mijë e 743 lindje, ndërsa në vitin 2011 janë regjistruar 34 mijë e 262 lindje. Ndërsa, dy vite pas luftës, 2001 kanë qenë 33 mijë lindje, kurse në vitin e para luftës, më 1990 ishin 55 mijë e 175 lindje.
Për dallim nga ASK-ja, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dërguar për kp, për katër vitet e fundit numri i lindjeve është më i madh. Sipas kësaj ministrie, në vitin 2023 janë 40 mijë 838 lindje, në vitin 2022 janë regjistruar 40 mijë e 517, ndërsa në vitin 2021 janë regjistruar 44 mijë e 11 lindje, ndërkaq në vitin 2020 janë regjistruar 33 mijë e 118 lindje.
“Në vitin 2020 janë 33 mijë e 118 lindje, në vitin 2021 janë 44 mijë e 11 lindje, më 2022 janë 40 mijë e 517 dhe në vitin 2023 janë 40 mijë e 838 lindje”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga MPB-ja.
Por, kp ka kërkuar përgjigje shtesë nga të dyja institucionet (ASK dhe MPB) për këtë dallim në shifra, mirëpo nga MPB nuk kanë kthyer përgjigje, derisa nga ASK-ja kanë treguar dallimin me këto statistika për lindjet.
Zyrtarja e lartë e statistikave vitale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Arjeta Sojeva, thotë se metodologjia e këtij institucioni është ndryshe nga ajo e MPB-së. Sipas saj, mbledhja e të dhënave të lindjeve bëhet për ato lindje që kanë ndodhur brenda një viti, ndërkaq siç thotë ajo MPB e regjistron (foshnjen) edhe atë që ka lindur në cilindo vit tjetër, pavarësisht kohës kur paraqitet për regjistrim.
“Dallojnë statistikat, sepse metodologjia e ASK-së për mbledhjen e të dhënave të lindjeve dhe raportimin e lindjeve është i ndryshëm prej metodologjisë së MPB-së… ASK i regjistron të gjitha lindjet të vitit kalendarik, tash 2024 duke i përfshirë edhe të 2023-es, veç këtë e publikon. Po erdhi një lindje e 2022-es ne nuk e publikojmë, për neve është e vonshme. Kurse, MPB, përkatësisht Agjencia e Regjistrimit Civil kushdo që shkon e regjistron (fëmijën), ajo e pranon, edhe fëmija që ka lind në 2015, ai për të është regjistrim, ai nuk e kthen, e ka të obligueshme të regjistrojë, dhe e publikon sa lindin gjatë vitit 2024 janë regjistruar, jo që kanë lindur. Ne e marrim që kanë lindur, ata i marrin ata që janë regjistruar brenda vitit kalendarik”, thotë Sojeva në një përgjigje me telefon.
Për këtë dallimin në të dhënat statistikore, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se është e nevojshme që MPB dhe ASK t’i identifikojnë problemet e mos përputhjeve të statistikave. Sipas tij, tani është mundësi e mirë për shkak të regjistrimit të popullsisë, pra, siç thotë ai, në kuadër të saj të merren të dhënat edhe për fëmijët.
“Duhet të identifikohet ku është problemi, pse në MPB është numri më i ngritur, dihet të gjithë ata që lindin regjistrohen në MPB dhe marrin certifikatën e lindjes, nuk mund ta kuptoj pse në ASK është numri më i vogël, por duhet të identifikohet ku është problemi. Tani është edhe një mundësi e mirë për shkak të regjistrimit të popullsisë, dhe në kuadër të saj merren të dhënat edhe për fëmijët”, thotë Rafuna.
Përkundër se Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2021, ka marrë vendim për të subvencionuar fëmijët dhe nënat lehona, nataliteti ka shënuar prapë rënie.
Rënia e numrit të lindjeve po vlerësohet të jetë një nga brengat dhe problemet më të mëdha për Kosovën, gjatë viteve të ardhshme në aspektin ekonomik. / Telegrafi
Sociologu, Bekim Selishta derisa rendit shkaqet që kanë ndikuar në rënie të natalitetit, thekson se shteti duhet të punojë më shumë në këtë drejtim.
“Remitencat (shtesat) nga shteti janë shumë të ulëta dhe punësimi nuk është që i favorizon shumë. D.m.th nëse është një fëmijë ka shpenzime, nuk janë të mjaftueshme 10 euro, nuk është puna që ka qenë në vitin 99-të… Tash ka punë tjera që duhet kryer prej çerdhes e tutje, nuk rritet një fëmijë me pak mjete”, thotë Selishta.
Kreu i OEK-ut, Lulzim Rafuna thotë për KosovaPress se Qeveria duhet të marrë masa që të rritet nataliteti në Kosovë, në të kundërtën kjo do të ndikojë negativisht në zhvillimin e ekonomisë në vend.
“Rënia natalitetit padyshim që ndikon për arsyeje se nuk është mirë për vendin që të ketë natalitet më të ultë dhe gjitha vendet marrin masa që ta ngritin natalitetin, pasi edhe ka fuqi konsumuese më të madhe. Kështu, në kuptim të ndikimit në ekonomi rënia natalitetit nuk është sinjal i mirë dhe kërkesa jonë është që institucionet e vendit të marrin masa që të stimulojnë natalitetin në vendin tonë. Gjitha vendet e rajonit, por edhe ato të BE-së kanë paketa të veçanta që ndihmojnë të rinjtë të kenë fëmijë, dhe ta rritin numrin e fëmijëve. Kështu edhe ne duhet të punojmë në këtë aspekt”, thotë Rafuna.
Sipas vendimit të marrë nga Ministria e Financave për subvencione, fëmijët deri në dy vjeç përfitojnë ndihmën prej 20 euro. Ndërsa, të tjerët deri në moshën 16 vjeçare marrin nga 10 euro në muaj.
Me këtë subvencionim, lehonat e papunësuara marrin nga 170 euro për gjashtë muaj, derisa lehonat e punësuara për tre muaj marrin të njëjtën shumë.
Regjistrimi i popullsisë ka filluar më 5 prill 2024 dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj të këtij viti në të gjithë vendin. Ndërkaq, regjistrimi i fundit në Kosovë ka qenë 13 vjet më parë, më 2011.