Për çdo prind është krejtësisht e natyrshme të dojë më të mirën për fëmijën e tij duke u krijuar atyre kushtet për një jetë të lumtur e të shëndetshme si dhe krijimin e një karakteri të fortë me të cilin do të ecin përpara për të arritur gjëra të mëdha
Përgjatë kësaj rruge emocionuese, por edhe të vështirë, prindërit krijojnë pritshmëri të larta për jetët e ardhshme të fëmijëve duke ndikuar te mënyra sesi ata shohin veten dhe botën, kështu, ndonëse qëllimi është i mirë, pasojat mund të mos jenë edhe aq.
Sjellje të caktuara gjatë prindërimit të hershëm, ndikojnë në krijimin e fëmijëve perfeksionistë të cilët rriten me idenë se çdo gjë e cila është më pak se e përsosur, është një dështim i vërtetë. Si rrjedhojë ata nisin të kultivojnë ndjesinë e uljes së besimit dhe dashurisë për veten.
Më poshtë gjashtë mënyra sesi në mënyrë të pandërgjegjshme prindërit krijojnë fëmijë perfeksionistë:
Fëmija juaj duhet gjithnjë të jetë i pari
Kjo sjellje mund të krijojë një ndjenjë presioni dhe pritshmërie për t’i bërë gjërat në mënyrë perfekte. Në momentin që kjo nuk ndodh, fëmija demoralizohet dhe mbyllet në vetvete duke u ndier në faj që nuk arriti të marrë notën më të lartë ose vendin e parë në një kompeticion.
I mbroni në mënyrë të tepruar
Mbrojtja e tepruar e fëmijës suaj mund t’i pengojë ata të zhvillojnë aftësi të rëndësishme jetësore dhe pavarësi dhe gjithashtu mund t’i bëjë të ndihen të paaftë për të përballuar dështimet. Lëreni ata të përjetojnë sfida dhe nxitini të provojnë aktivitete të reja. Vetëm kështu do të mësojnë nga gabimet e tyre.
Mikro-menaxhoni çdo situatë
Mikro-menaxhimi i jetës së fëmijës mund të krijojë një ndjenjë varësie dhe mungesë autonomie. Lëreni ata të marrin vendimet e tyre në përputhje me moshën, duke i udhëhequr vetëm kur është e nevojshme.
Keni krijuar pritshmëri jorealiste
Vendosja e pritshmërive jorealiste mund të krijojë një ndjenjë presioni dhe ankthi që rrjedhimisht mund të krijojnë çrregullime të së ngrënit dhe depresion. Këta fëmijë kanë gjithnjë frikën se nëse nuk janë perfektë, prindërit nuk do t’i duan mjaftueshëm.
Kritikoni çdo gabim që fëmija bën
Kritikat për çdo gabim që fëmija bën, mund të krijojë frikën e dështimit. Ndihmojini ata të kuptojnë se gabimet janë një pjesë e natyrshme e procesit të të mësuarit dhe inkurajojini të mësojnë nga gabimet e tyre, shkruan Living.
I krahasoni me të tjerët
Krahasimi i fëmijës tuaj me të tjerët mund të krijojë një ndjenjë inferioriteti dhe një besim se ata nuk janë mjaftueshëm të mirë. Në këtë mënyrë, brenda tyre rritet një ndjenjë e konkurrence që mund të jetë e dëmshme për marrëdhëniet e tyre me të tjerët. Përqendrohuni në pikat e forta dhe talentet që kanë dhe ndihmojini të zhvillojnë identitetin e tyre unik.
Burimi: Telegrafi