Pse nuk ndërveprojmë?
Shumë prej nesh besojnë se prindërit ose gjyshërit e tyre i kanë edukuar në mënyrë ideale dhe për rrjedhim i imitojnë të gjitha mënyrat dhe metodat e paraardhësve të tyre në edukimin e fëmijëve. Ata e kanë gabim për dy arsye kryesore:
Së pari, ata e kanë gabim kur i përshkruajnë përsosuri metodave të përdorura për ta. Arsyeja është se përveç mosdijes së gjyshërve për metodat e sakta të edukimit, nuk mund të themi për asnjë metodë se është e plotë dhe e përsosur për ta adoptuar dhe përvetësuar.
Së dyti, ata e kanë gabim që besojnë se ekziston ndonjë metodë aq e mirë edukative saqë të përshtatet për të gjitha gjeneratat. Padyshim se në edukim, sikurse në çdo disiplinë tjetër, ka fakte konstante sikurse edhe fakte të ndryshueshme. Mirëpo zhvillimi, mahnitës i komunikimit dhe globalizimi kanë bërë që sot gjërat rreth nesh të jenë përherë në ndryshim dhe për pasojë faktet e ndryshueshme në metodat e edukimit janë bërë më të shumta.
Ndoshta duhet të hedh dritë në arsyet kryesore që i bëjnë njerëzit neglizhent ndaj dialogut dhe pothuajse refuzues të tij, me shpresë se kjo do të ngjallë vetëdijen te ta dhe do t’u ndihmoj t’i kapërcejnë ato:
1. Preokupimi i babait dhe nënës në punë dhe koha e paktë që e kalojnë në shtëpi kur nevojat e jetës janë shtuar, duke i bërë njerëzit të kalojnë orë të gjata në punë jashtë shtëpisë. Nganjëherë, bashkë- shortja del në mëngjes në punë dhe bashkëshorti del në mbrëmje. Kur dikush është i suksesshëm në punë, ai shpesh kalon orë të gjata duke punuar ose duhet të udhëtojë shumë. Ai pastaj ia shtyn barrën e edukimit të fëmijëve bashkëshortes së tij. Në të gjitha këto situata, çifti ndihet sikur është në garë me kohën, duke mos pasur kohë për asgjë përveç për gjërat e domosdoshme.
Kush i ndjek zhvillimet në internet ose në revista familjare do të kuptojë një shtim në ankesat e amviseve se bashkëshortët e tyre çdo herë janë më të angazhuar dhe nuk ndajnë kohë për to ose për fëmijët e tyre. E njoh një burrë rreth të tridhjetave, i cili e ka një familje të vogël dhe është vërtetë i suksesshëm në profesionin e tij. Kjo është e mirë, megjithatë profesioni i tij i kërkon të udhëtojë një herë ose dy herë në javë. Ai është njëmend i kënaqur me ambientin e punës, ka një vend pune të mirë dhe të qetë, të pajisur me teknologjinë më të re dhe me orenditë më moderne. Kjo e bën atë të shkojë në punë edhe gjatë pushimit. Atje rri orë të gjata, edhe nëse atë që e bën nuk ka lidhje direkte me profesionin e tij. Pse? Ai thotë: “Vendi është i qetë dhe i bukur, ai më ndihmon të koncentrohem, të mendoj, të hulumtoj, të lexoj, e kështu me radhë.”
“Atë që nuk e ka thënë është se aty e gjen një vend për t’u fshehur nga zhurma e fëmijëve, e bashkëshortes dhe gostitja e shokëve dhe miqve në shtëpi.”
Bashkëshortja bart e vetme tërë zhurmën që fëmijët e bëjnë, gjërat që i hedhin përreth shtëpisë, kësaj ia shtojmë shtyrjen e punëve të saj të rëndësishme, siç është vizita te dentisti, vizita te anëtarët e familjes etj.
Dialogimi me bashkëshorten dhe fëmijët dhe të udhëzuarit e tyre kërkon kohë dhe nganjëherë ajo është kohë e gjatë. Mirëpo, miku në fjalë dhe të tjerët sikur ai, nuk kanë as shumë kohë e as pak kohë për një gjë të tillë. Për ta, profesioni i tyre dhe suksesi në të, paqja dhe qetësia në jetë, janë më të rëndësishme sesa qëndrimi me familjen.
Sa më tepër i suksesshëm të bëhet dikush, aq më shumë ka prirje të angazhohet në punë larg bashkëshortes dhe fëmijëve dhe mund të mos e kuptojë këtë derisa policia të vijë te zyra e tij për ta lajmëruar se biri i tij është arrestuar për një kundërvajtje që e ka bërë.
2. Njeriu nga natyra dhe instinkti është një qenie shumë ekonomike. Për këtë arsye ai në mënyrë të natyrshme ia kthen shpinën çdo aktiviteti që nuk i premton ndonjë shpërblim, ose përfitim. Kjo do të thotë se është shumë e natyrshme që një çift të shpërfill dialogun me njëri-tjetrin dhe me fëmijët. Është shumë e natyrshme edhe për fëmijët t’ia kthejnë shpinën dialogut me ta sepse ata ndiejnë se dialogu do të jetë i pafrytshëm dhe është humbje kohe dhe ka rrezik të sjellë deri në qërim të hesapeve.
Në mesin e gjërave që shkaktojnë këtë ndjenjë është pabarazia në nivelet arsimore midis bashkëshortit dhe bashkëshortes, një gjë shumë e rëndomtë në shoqërinë tonë. Nuk është e pazakontë të shohim një doktor shkence në një fushë të caktuar të martuar me një bashkëshorte gjysmëanalfabete. Shpesh dëgjojmë një bashkë- short duke thënë: “Kur unë bisedoj për perëndimin, ajo flet për lindjen.”
Kur përpiqem të dialogoj me të, shpesh i ngjajmë bisedës së dy partnerëve memecë, për shkak se të kuptuarit e çështjeve, mënyrat e të argumentuarit dhe madje të çmuarit e gjërave themelore të çështjeve është mjaft e ndryshme. Pse të nxis grindje të panevojshme dhe humbje të kohës?
Herëve të tjera, atë që e shohim është e kundërta e kësaj. Një vajze të re, që po përgatit doktoraturën, i propozon një djalë i ri që ka diplomuar në fakultetin e inxhinierisë. Ajo mendon se është i arsimuar, i edukuar dhe mendjendritur, mirëpo babai i saj e refuzon atë për vetëm një arsye. Ai mendon se djaloshi i ri nuk ka prejardhje fisnike sikur bija e tij. Prandaj ai i jep bijën një të riu, i cili ka mbaruar vetëm shkollën e mesme, përkundër faktit se ky njeri, sipas nënës së vajzës, mezi e ka mbarur shkollën e mesme pas shtatë vitesh, nuk ka konsideratë për askënd dhe është pesimist për çdo gjë në jetë. Ai gjithashtu nuk sheh njeri tjetër që di diçka më mirë sesa ai. Telashet filluan midis tyre nga dita e parë. Zonja thotë: “Edhe pse ky njeri ka shumë cilësi të mira, mentaliteti i tij është tërësisht i ndryshëm nga i imi dhe ne jemi në konflikt çdo ditë dhe për gjithçka. Pastaj ne gradualisht filluam të pëlqenim heshtjen sa herë që ishim bashkë, sepse kjo ishte mënyra më e mirë për të ruajtur nivelin minimal të dashurisë midis nesh.”
Ky skenar i njëjtë mund të gjendet edhe midis prindërve dhe fëmijëve të tyre. Një baba i thjeshtë me një shkollim të ulët mund të ketë fëmijë, inteligjenca e të cilëve është mburrje në mesin e moshatarëve dhe shkollimi i tyre është shumë i lartë. Edhe e kundër- ta qëndron, kemi prindër me shkollim shumë të lartë, por fëmijët e tyre nuk e duan shkollimin. Ka djem dhe vajza të panumërt nga bota islame, të cilët nuk e kanë mbaruar shkollën fillore, përkundër faktit se vijnë nga familje të arsimuara.
“Kur nivelet e shkollimit të anëtarëve në një familje kanë një paba- razi të madhe, nuk gjendet asnjë mjet i përbashkët i komunikimit të ideve midis tyre dhe për pasojë dialogu nuk mund të ndërtohet.”
3. Konceptet dhe besimet që disa prindër i mbajnë për edukimin janë përgjegjëse për mungesën e dialogut në familje. Mjafton që të kthehemi vetëm pak vite në histori dhe të shohim se baballarët në të kaluarën kishin prirje që të kontrollonin familjen njëanshëm dhe të mbanin një prani të frikshme dhe urdhëruese, urdhrat e të cilëve duhej të zbatoheshin dhe të mos diskutoheshin. Ne i kemi trashë- guar disa nga këto sjellje nga paraardhësit, saqë biseda për dialogun me fëmijët bëhet temë e mundimshme për ne.
Disa prindër e kanë shndërruar shtëpinë në një lloj shtabi ushtarak ku biseda me ta duhet të bëhet në hierarki, të vegjlit mund të bisedojnë vetëm me vëllanë më të madh, i cili do të kërkoj kohën e përshtatshme për t’i paraqitur kërkesat e tyre. Kjo, falënderimi i takon Allahut ka ndryshuar, në përjashtim të pak vendeve. Nëse një baba mendon se mospajtimi me mendimin e tij nga bashkëshortja ose fëmijët është mosrespekt ndaj tij, atëherë ne e kuptojmë pse ai refuzon çfarëdo lloji të dialogut. Baballarët mund të mendojnë se dialogu në familje minon autoritetin e tyre. Mirëpo, ky mendim nuk ndihmon në edukimin e shëndoshë të fëmijëve, e as nuk pritet të jetë qëndrim i një kujdestari ose mësuesi të ndershëm.
E kemi shembullin e të Dërguarit a.s., i cili ishte i mbrojtur nga Allahu prej gabimeve, mirëpo përsëri i lejonte bashkëshortet të dialogonin me të për disa prej çështjeve të tyre.
Transmetohet se një ditë një grua debatoi për një çështje me Omerin r.a. I pezmatuar nga një akt i tillë, Omeri r.a. i tha: “Gratë nuk kanë qenë kështu.” Gruaja u përgjigj se bashkëshortet e të Dërguarit as, dialogonin për çështjet e tyre me të. Kur e dëgjoi këtë, Omeri r.a. vendosi rrobën e tij dhe u nis drejt shtëpisë së Hafsës. Kur arriti tek ajo, e pyeti: “A keni debatuar për çështjet tuaja me të Dërguarin a.s.?” Ajo u përgjigj: “Po, por sikur ta dija se nuk do ta pëlqeje këtë, nuk do ta bëja.” (Tefsir Kurtubiu 19/179)
Sigurisht se mbrojtja e fëmijëve nga devijimi kërkon nga ne të jemi tolerant dhe këmbëngulës në shumë situata. Ndërsa për këtë, shpërblimin e kemi nga Allahu.
4. Mund të themi se përparimi teknologjik bashkë me përmirësimin e përgjithshëm të kushteve ekonomike të popujve tanë, kanë dobësuar lidhjet familjare dhe kanë pakësuar shanset për dialog dhe ndërtim të lidhjeve familjare. Arsyeja është se avancimi i tele- komunikimit sot ia mundëson çdo anëtari të familjes të izolohet nga pjesa tjetër e familjes për t’u lidhur me botën e jashtme.
Sot hy në çfarëdo shtëpie të qyteteve tona dhe do të shohësh forma të këtij izolimi. Nganjëherë do të shohësh një familje të tërë të ulur në heshtje të plotë para televizorit, duke shikuar një film ose serial. Pastaj një orë ose dy orë më vonë, secili prej tyre kujton një detyrë ose përgjegjësi që duhet ta kryejë dhe hidhet me nxitim në të, pa pasur rastin të flas me ata që i ka përreth. Në disa raste, çdo fëmijë ka në dhomën e tij të gjitha mjetet e lidhjes me botën e jashtme: internetin, telefonin mobil dhe televizorin. Këto e mbajnë të zënë. Ai flet me këdo që e zgjedh nga moshatarët ose shokët e tij, e nganjëherë edhe me njerëz që janë plotësisht të huaj. Sikur babai t’u thotë të mblidhen për ndonjë çështje, do të shohësh se ata i afrohen tubimit me shumë përtesë ose madje mosdëshirë. Duket sikur tubimi po i pengon nga vazhdimi i formave të ndryshme të kënaqësisë personale në vetmi.
Sa i përket shtimit të pasurisë, kjo ka kontribuuar në distancimin e prindërve nga fëmijët e tyre në një mënyrë të ndryshme. Secili prej nesh mund të ndjejë se jemi pushtuar nga një stuhi e kënaqësisë epshore, që vijnë në formë të plotësimit të nevojave vetjake, argëtimit dhe kënaqjes së tekave të të gjitha llojeve dhe me çfarëdo mënyre. Po ashtu, paratë kanë kontribuuar në sigurimin e lukseve si angazhimi i një shoferi për t’i dërguar fëmijët në shkollë, punësimi i një shërbëtoreje për t’i kryer punët e shtëpisë, si pastrimi i shtëpisë dhe gatimi dhe madje i një kujdestareje për të qëndruar me fëmijët, për t’u kujdesur për ta, e cila luan rolin e babait dhe të nënës.
Sa i përket babait, ai është tepër i zënë duke u kujdesur për investimet e tij në mëngjes dhe duke u kënaqur me shoqërinë e shokëve në mbrëmje ose ai madje është njëri prej atyre që gjithmonë është në udhëtim, mëngjesin e ha në një qytet, drekën në një tjetër dhe darkën në një tjetër. Kjo fotografi nuk është imagjinare, është e vërtetë dhe faktike, realiteti është më i keq sesa ky që e kemi paraqitur. Një studim i kryer në SHBA konstatoi se fëmija mestar kalon pesë orë në ditë përpara televizorit, ndërsa nuk kalon më tepër se pesë minuta me babanë e tij. Ndoshta ne ende nuk e kemi arritur këtë gjendje, mirëpo shumë familje tashmë janë nisur në atë drejtim. Për këtë arsye është e domosdoshme që të fillojmë diskutimin e bërjes së dialogut, ndërveprimit të çiltër dhe shfaqjes së mirëkuptimit të ndërsjellë në mesin e anëtarëve të një familjeje, me shprehjen e nevojës për të krijuar hapësirë për qëndrim me njëri-tjetrin gjatë shujtave ose në mbrëmje.
5. Disa burra janë injorantë ndaj përgjegjësive morale dhe edukative kur praktikojnë disa të drejta të tyre legjitime në familje. Disa burra i kanë bërë shtëpitë e bashkëshorteve të tyre si fushëbetejë. Ata lëvizin nga një betejë në tjetrën dhe nga një grindje në tjetrën. Fëmijët e tyre ndiejnë shumë mosrespekt për ta, për shkak të asaj që u tregojnë nënat e tyre për trajtimin e keq nga baballarët e tyre, neglizhimin që e përjetojnë dhe favorizimin e disa bashkëshorteve ndaj të tjerave dhe fëmijëve të njërës bashkëshorte ndaj fëmijëve të tjetrës. Është shumë e natyrshme që në një atmosferë të helmuar me thashetheme, përgojime, padrejtësi, maltretim dhe sjellje të keqe nuk mund të ketë shanse për dialog dhe lidhje të anëtarëve të familjes mbështetur në dashurinë midis prindërve dhe fëmijëve të tyre. Fatkeqësisht këtë e shohim në shumë shtëpi dhe familje muslimane.
Nëse dikush prej nesh gjen se familjes së tij i është mohuar nderi i dialogimit dhe lidhjes së ndërsjellë midis anëtarëve, le të kërkojë shkaqet e asaj gjendjeje. Nëse nuk mund të gjejë shkaqet, le të fillojë të ndërtojë një mirëkuptim me bashkëshorten për atë që nevojitet të bëhet për të përmirësuar atmosferën familjare dhe për ta përgatitur atë për një jetë të ripërtërirë. Pastaj le t’i forcojë lidhjet me fëmijët më të rritur dhe le të kërkojë ndihmën e tyre për organizimin e uljeve familjare dhe mbushjen e tyre me ndjenja të mira për njëri-tjetrin, mëshirë, kujdesit dhe nivelit të lartë të mirëkuptimit dhe lidhjes.
Mbaje në mend:
- Arsyeja që dialogu nuk ndodh në shumë familje është se disa baballarë janë ndikuar nga mënyra si janë rritur në të kaluarën kur dialogu nuk ka ekzistuar.
- Preokupimi i prindërve me punë jashtë shtëpisë mohon kohën e nevojshme për dialog me fëmijët.
- Pabarazia në nivelet e shkollimit midis një çifti i bën të mendojnë se dialogu do të jetë i pafrytshëm dhe për pasojë ata diskutojnë më pak.
- Disa baballarë e konsiderojnë dialogun me fëmijët e tyre si humbje të burrërisë dhe autoritetit të tyre.
- Instrumentet e lojës dhe argëtimit janë kombinuar me pasurinë për të dobësuar lidhjet familjare.
- Një studim në Amerikë ka konstatuar se një fëmijë kalon pesë orë në ditë përpara televizorit dhe vetëm pesë minuta me babanë e tij.
Autor: Prof. Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Ndërveprimet në familje”
Përgatiti: Prinderimi.com