Dhimbja, zemërimi, turpi, gëzimi, entuziazmi, shqetësimi dhe frika janë emocione që përjetohen gjithë jetën. Prindërit mbase mund të duan që fëmija i tyre të përjetojë veç emocione pozitive, por dihet që kjo është e pamundur. Gjithsesi, përballja veç me emocione pozitive do ta dëmtonte zhvillimin e tij: si t’u bëjë ballë pastaj vështirësive të jetës, nëse nuk është mësuar të përballet me frikën dhe zemërimin?
Bebet reagojnë fort ndaj emocioneve të prindërve. Nuk ka barometër më të mirë për emocionet. Përveç kësaj, arrijnë shumë shpejt t’i imitojnë shprehjet e fytyrës dhe shprehitë që lidhen me emocionet. Në radhë të parë, ata njihen me botën duke i imituar prindërit e tyre, edhe pse mund të shtojmë se që nga lindja fillojnë të provojnë emocione të pavarura.
Është e rëndësishme të miratojmë ose t’i pranojmë emocionet që përjetojnë fëmijët e vegjël (gëzim, dhimbje, zemërim, frikë, shqetësim, kënaqësi…), sepse kjo është një pikë që përkon me këtë dimension thelbësor të ekzistencës së tyre, si qenie njerëzore. Ky miratim ose pranim nga ana e prindërve bëhet:
⚫️ duke iu kundërpërgjigjur shpejt (për ta ngushëlluar, për ta mbrojtur, për të qeshur me të);
⚫️ duke e shprehur me fjalë emocionin (e shoh që je i mërzitur / që kjo të zemëron / që kjo të pëlqen); ⚫️ duke i dhënë krah shprehjes së emocioneve (ke të drejtë që nuk je i kënaqur / mund të qeshësh / është e vërtetë, të bën për të qeshur);
⚫️ duke i ofruar fëmijës fjalët që mund të shprehin emocionet e tij (mund të thuash “jo”; thuaj që ke frikë nga qeni);
⚫️ duke e pranuar emocionin, edhe pse nuk e miratoni veprimin (edhe pse je i mërzitur, nuk duhet ta qëllosh shokun / e di që do të lëvizësh, por nuk mund të kërcesh sa andej-këndej).
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Danielle Laporte, “Vetëvlerësimi i fëmijëve 0-6 vjeç”