Prindërit duhet të marrin me të mirë fëmijët e tyre
Më herët e kam përmendur se ekziston një hendek kulturor midis prindërve dhe fëmijëve, që do të thotë se pikëpamjet e tyre do të jenë të ndryshme, ndonëse jo të të njëjtit nivel në të gjitha familjet. Më lejoni të shtoj se ajo që i brengos adoleshentët nuk është e njëjtë me atë që i brengos prindërit e tyre. Nuk çuditem që adoleshentët i konsiderojnë mendimet e shokëve të tyre më relevante sesa ato të prindërve dhe të rriturve të tjerë. Për rrjedhim, ata kanë nevojë ti marrim me të mirë dhe të lëshojmë pe në disa çështje të tyre.
Një djalë adoleshent i rrit flokët më gjatë sesa është traditë në familje dhe një tjetër, i pret flokët në një mënyrë të çuditshme. Një vajzë kalon orë të gjata me shoqen e saj në kolegj dhe një tjetër rri e zgjuar natën më tepër se familja është mësuar. Lista vazhdon. Shumë prej sjelljeve të adoleshentëve nuk kënaq prindërit dhe pjesën tjetër të familjes. Ata dëshirojnë që fëmijët të jenë më tepër në pajtim me pjesën tjetër të familjes. Prindërve vërtet nuk u pengon kjo ose ajo dukje, por kuptimet që fshihen mbrapa asaj dukje. Ne kemi të drejtë për t’u shqetësuar se mos adoleshentët bien në greminë e moralit të keq ose në kthetrat e shthurjes. Ne kemi të drejtë të brengosemi kur fëmija qëndron kohë të gjatë me shokë, se mos ndikojnë negativisht në mësimet e tyre në të ardhmen ose në marrëdhëniet me familjen dhe të afërmit. Atëherë le të paraqesim disa detaje për gjërat që mund t’i llogarisim të vogla dhe të mos ndërhyhet në to nga prindërit:
1. Çdo dukje që mund të jetë jo e zakonshme, por të mos jetë e ndaluar në Islam, mund të tolerohet. Të mos tërbohemi me dukjen e të birit nëse disa njerëz ndjejnë se është shokuese, ose nëse nuk është në pajtim me disa tradita, por nuk është në kundërshtim me Islamin.
2. Është e drejtë të insistohet që sjellja e adoleshentëve të mos shkel të drejtën e askujt në asnjë mënyrë, e as të mos shqetësojë të rriturit ose fëmijët, larg ose afër. Kjo është me rëndësi, sepse adoleshentët nuk duhet të lejohen të shtojnë vetëbesimin ose rëndësinë e tyre, duke prekur në ndjenjat e të tjerëve, duke lënduar ose ofenduar ndonjë person.
3. Sjelljet e adoleshentëve që i shohim si të gabuara sigurisht se janë të shumta dhe të llojllojshme, mirëpo nuk është e drejtë ti mërzisim për gjithçka, qoftë e vogël ose e madhe. Atëherë le të fokusohemi në gjërat shumë të rëndësishme, sidomos ato që bien në rrethin e sjelljeve të ndaluara në Islam, ose kur përbëjnë një shkelje ose gabim të rëndë shoqëror. Neglizhimi i namazit nuk mund të tolerohet, e as posedimi i disa klipeve ose fotografive pornografike. As neglizhimi i mbajtjes së kontaktit me të afërmit. Në anën tjetër gabimet ose shthurjet e vogla më mirë të trajtohen në afat më të gjatë, sesa në afat të shkurtër.
Prinderimi.com
Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Adoleshentët”
(Vështrime mbi adoleshentët, si t’i kuptojmë, si t’u qasemi dhe si të ndërveprojmë me ta)