Shmangia e egërsimit të adoleshentëve
Është fakt se adoleshentët nxehen shpesh, në çdo kohë ose për një provokim të vogël.
Një burim kryesor për këtë është këndvështrimi i veçantë i tyre për jetën, i cili sigurisht se shfaqet në shqetësimet e tyre dhe në mënyrën e pasigurt të veprimit me çështjet e tyre. Kanë ndikim gjithashtu edhe ndryshimet e shpejta dhe të njëpasnjëshme fizike dhe psikologjike nëpër të cilat kalojnë gjatë fazës së adoleshencës.
Për rrjedhim, të rriturit mund t’ia lehtësojnë çështjet kësaj gjenerate që është duke u rritur. Ata duhet ta kryejnë rolin e tyre në përmbajtjen e zemërimit të adoleshentëve dhe këtë mund ta bëjnë nëse tregojnë kujdes. Shumë baballarë dhe nëna duken se as nuk vërejnë llojet e ndryshme të çrregullimeve brenda fëmijëve të tyre. Ata nuk janë të vetëdijshëm për presionin që u bëjnë brengat fëmijëve të tyre, ndonëse mund të bëjnë shumë për ta.
Realiteti tregon se prindërit mund të bëjnë shumë për të zvogëluar ankthin e fëmijëve të tyre. Ja disa mënyra për ta bërë këtë:
1. Lëre adoleshentin ose adoleshenten të shfryjë atë që i sillet në mendje, lëri t’ju tregojnë për çdo këndvështrim ose kritikë që mund ta kenë, natyrisht me një ton jo të lartë. Le të jetë adoleshenti i hapur ashtu siç i pëlqen për çfarëdo që e shqetëson dhe për çfarëdo që nuk i pëlqen në jetën e familjes, mirëpo me mirësjellje dhe qetësi. Një vajzë adoleshente ndien se nëna e saj nuk po tregohet e drejtë në shpërndarjen e punëve të shtëpisë, nëna e saj i ngarkon asaj, e jo motrës punët e pakëndshme. Kështu kur një ditë nëna i thotë se duhet të kryejë ato punë dhe motra jote do të kryejë punë të tjera, ajo shpërthen në vaj dhe i bërtet nënës së saj: “Kjo është e padrejtë. Për tri vjet më keni bërë padrejtësi. Mirëpo boll më. Nuk do të hesht më!” Megjithatë, nëna e saj është e mençur dhe e durueshme. Ajo e lë të bijën të lirojë ngarkesën e saj emocionale, derisa të qetësohet. Pastaj i thotë: “Në rregull, tani e kuptoj se nuk kam qenë e drejtë në ndarjen e punëve të shtëpisë, por besoj se nuk e kam bërë me qëllim. Të jesh e sigurt se ju të dyja jeni të dashura tek unë sikur sytë e ballit dhe mendoj se nuk ke të drejtë të ngresh zërin ndaj meje.”
Pastaj nëna vazhdon t’i përshkruajë mënyrën e saktë të protes- timit, kështu vajza i kërkon falje dhe nëna e pranon kërkim-faljen e saj dhe pastaj i thotë: “Më lejo të kompensojë për gabimin tim. Tani e tutje, prej sot deri në vitin e ardhshëm, ti dhe motra do ti shkëmbeni punët. Ajo do të kryejë atë që ti e ke kryer, ndërsa ti do të kryesh atë që ajo e ka kryer.” Vajza tani u kënaq me vendimin.
2. Adoleshentët shpesh mësojnë shprehinë e ngritjes së zërit dhe të folurit në mënyrë të vrazhdë prej asaj që zhvillohet në shtëpi.
“Nëse nëna është gjaknxehtë ose nëse babai është zemrak, fëmijër do ta përvetësojnë sjelljen e prindërve të tyre.” Për pasojë, do të ketë raste kur fëmijët do t’u bërtasin prindërve të tyre. Në anën tjetër, një mjedis i qetë dhe i edukuar do të jetë faktor kryesor për të rritur fëmijë të qetë dhe të përmbajtur. Atëherë, le të jenë më të kujdesshëm të rriturit gjaknxehtë se si sillen përderisa i kanë fëmijët përreth.
3. Një gabim shumë i rëndomtë, por megjithatë shumë i rëndë është mërzitja e fëmijëve me shumë qortime, ndërsa kur bëjnë diçka pozitive, ne shpesh bëhemi se nuk po i vërejmë ose të paktën nuk u japim komplimente. Adoleshenti ka të drejtë që të ndihet i mërzitur dhe të ofendohet nga jobaraspesha. Gjërat e tilla do të grumbullohen derisa adoleshenti një ditë të ndjejë se nuk mund të durojë më dhe zemërimi i tyre të shpërthejë në protestë, grindje ose sjellje të keqe, madje edhe me prindërit. llaçi është që të mbyllet syri ndaj shumicës së rrëshqitjeve, të jepen sa më pak komente negative dhe të jepen lavdërime sa herë që ato meritohen.
Rasti 1
Kam rastin e një babai, i cili është gjithmonë në konflikt me fëmijët e tij dhe kur në ndonjë rast i kërkon njërit prej tyre ta kryejë ndonjë punë në shtëpi, i biri fillon të murmurisë nën hundë. Mirëpo babai e ndal dhe insiston që t’i tregojë se çfarë tha nën hundë. I biri natyrisht turpërohet dhe shqetësohet shumë. Babai nuk e kupton këtu se biri i tij kishte shfryer një pjesë të shqetësimit të mbledhur dhe nuk e ka pasur me qëllim atë që e ka thënë.
Rasti 2
Ose të marrim shembullin e një babai tjetër, i cili gjendet në një situatë të ngjashme, mirëpo qasja e tij është e ndryshme. Ai është më tolerant dhe më i durueshëm. Ai vetëm pretendon se nuk dëgjon dhe se nuk sheh sa herë që gjërat marrin kahje të keqe. Mirëpo, ai nuk harron që kur i biri është në disponim të mirë t’i thotë: “Të kam dëgjuar duke murmuritur fjalë që nuk i kam dëgjuar mirë, ndonëse e di se nuk janë fjalë të përshtatshme. Ajo që do të dëshiroja nga ti është të debatosh me mua në mënyrë të qetë sa herë të duash për arsyet që të bëjnë të mos pëlqesh punët që të kërkoj t’i veprosh. Të jesh i sigurt se do të lëshoj pe nëse e shoh se kërkesa jote është e drejtë.”
Le të jetë e qartë për kujdestarin se adoleshenti shpesh ndihet i pasigurt dhe jo mjaft i baraspeshuar. Ai/ajo shpesh nuk i ka nën kontroll dëshirat dhe disponimin e tyre dhe beson se të tjerët po e detyrojnë me forcë të kryejë gjëra. Nëse mendojmë për atë që thamë më lartë do të kemi më tepër mëshirë për ta dhe do t’i trajtojmë me dhembshuri. Kjo do të jetë më e frytshme sesa zbatimi i traditave të rrepta shoqërore mbi ta.
Prinderimi.com
Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Adoleshentët”
(Vështrime mbi adoleshentët, si t’i kuptojmë, si t’u qasemi dhe si të ndërveprojmë me ta)