Shtoja humorin dialogut të familjes për të krijuar atmosferë të hareshme
Një dialog nuk mund të jetë i suksesshëm dhe nuk do të kemi një shpirt të gjallë të pjesëmarrësve pa krijuar një atmosferë plot hare, humor të mirë dhe shaka të padëmshme. Në një familje të caktuar, prindërit shpikën një mënyrë shumë të mençur të futjes së humorit në dialogun e saj. Fëmijët i hapnin takimet, sipas radhës që e kishin caktuar, me tregime të shkurta qesharake që i bënin të gjithë të kënaqeshin. Rezultati ishte i mahnitshëm. Anëtarët e vegjël të familjes vazhdimisht prisnin me padurim takimet familjare dhe pyesnin kur do të ishte takimi i radhës. Nëse mbahej ndonjë takim pa këto shaka paraprake, zymtësia ishte e dukshme në fytyrat e tyre.
Në një familje tjetër, dy prindërit janë pajtuar me gjyshen që t’u përcjell mesazhe të dobishme fëmijëve nëpërmjet anekdotave shumë interesante. Pastaj, ajo i pyet pas tregimit: “Kush prej jush do të më tregoj një mësim që e ka marrë nga tregimi?” Është interesant se shpesh ai i cili më së shumti kishte nevojë për mesazhin në mesin e fëmijëve merrte detyrën të shpjegonte mësimet e tij, sikur të thoshte: “E mora mesazhin.”
Në një familje tjetër, njëri prej fëmijëve i cili ishte i bekuar me një ndjenjë të humorit dhe i cili dinte shumë tregime qesharake gjithmonë priste momentin e duhur. Njëherë ai ndjeu se zërat ishin ngritur dhe dialogu po shndërrohej në një fjalosje. Ai bërtiti që të gjithë të qetësoheshin, duke u shtirë se ishte serioz. Pastaj filloi një tregim qesharak me të cilin bëri çdonjërin të qeshte. Ata e kuptuan më pas se gjërat duhej të ishin më të thjeshta dhe të mos lejohej të degjeneroheshin deri në zemërim dhe grindje.
Edhe në buzëqeshje, të cilën i Dërguari a.s. e rekomandoi si një akt bamirësie, ekziston përfitimi i bamirësisë së dyfishtë. Ajo është bamirësi për veten, sepse e liron shpirtin nga zemërimi, pastaj për të tjerët, meqë ajo gëzon zemrat e tyre kur t’u buzëqeshim.
4. Në dialogun e qetë, duhet të bëhet përpjekje të mos lëndohen ndjenjat e ndonjë anëtari të familjes, duke bërë kritika të ashpra, biseda lënduese, ose ndonjë sjellje tjetër. Dialogu nuk synohet të jetë vend për qortim, ndëshkim, hakmarrje ose përbuzje të njerëzve. Përkundrazi, ai është vend për ndërtim të lidhjeve dhe thellim të ndjenjave fisnike që anëtarët e familjes i ndajnë përderisa përpiqen t’i kristalizojnë disa ide të përbashkëta. Mund të thuhet se shumica e njerëzve përjetojnë një tërheqje natyrore të brendshme për t’i vënë të tjerët në një pozitë të palakmueshme. Kemi rastin kur një dy vjeçar vihet në një pozitë të palakmueshme kur të rriturit e pyesin në prani të të dy prindërve të tij: “Kë e do më shumë, babanë apo nënën?”
Një përgjigje tipike është që fëmija të shikojë në fytyrën e babait, pastaj të nënës, sikur të dojë t’i japë afat vetes për të dalë nga vështirësia. Kryesisht, fëmija do ta nxjerrë veten nga kjo situatë e palakmueshme, duke e injoruar pyetjen, duke heshtur ose nganjë herë duke thënë diçka si: “E dua mamin dhe babin dhe gjyshen…”
Mirëpo, kur fëmijët arrijnë fazën e adoleshencës, sfidat e tyre bëhen më komplekse dhe prindërit duhet të bëjnë pyetje, për shembull: “Më trego, a ka ndodhur ajo, ose jo?”, “Pse jo?” e kështu me radhë.
Në një dialog të shtruar mbretëron edukata e mirë. Në të, edhe kur të bëhen pyetje, zgjidhja e mënyrës si të përgjigjen është e hapur për fëmijët. Për shembull, babai e pyet nënën: “Pse fqinjët po ndihen të parehatshëm kur janë me ju?”
Ajo përgjigjet: “Gjërat janë normale; ndonëse kemi vënë re se atyre nuk u pëlqen shoqërimi me fqinjët e tyre.”
Çështja mbaron këtu, edhe pse babai e di se një keqkuptim midis bashkëshortes së tij dhe fqinjëve është shkak që ata të mbajnë distancë.
Këmbëngulja për tepër shumë detaje gjatë një dialogu është njëri prej shkaqeve të vështirësive për shumë njerëz. Të jesh shpirtmadh dhe t’i mbyllësh sytë ndaj disa detajeve të ndjeshme në disa çështje është cilësi fisnike që e mësojmë nga i Dërguari a.s., siç rrëfehet në ajetin Kur’anor:
“Kur i Dërguari i tregoi një sekret njërës prej grave të tij, ajo e bapi këtë fjalë. Allahu ia zbuloi këtë të Dërguarit, i cili një pjesë të këtij zbulimi ia tha (gruas që ia përhapi sekretin), kurse pjesën tjetër jo.” Et-Tahrim, 3
I Dërguari a.s. i kishte treguar diçka Hafsës r.a. dhe i kishte thënë që ta mbante sekret, mirëpo ajo kishte dështuar ta mbante fshehur dhe i kishte treguar Aishes ra. Kështu i Dërguari a.s. e qortoi atë për zbulimin e një pjese të sekretit dhe për moszbulimin e pjesës tjetër. Për këtë arsye Hasan el-Basriu ka thënë: “Asnjë njeri i ndershëm nuk këmbëngul për detaje në të gjitha gjërat.”
Në një dialog të shtruar, çdo pjesëmarrës duhet t’i shmanget llojit të kritikës që i lëndon ndjenjat ose nxit emocione të urryera. Në të vërtetë disa kritika synojnë thelbin e çështjeve dhe sjellin dëm të madh. Një gjë e rëndomtë te shumë familje është të bëhet vlerësim negativ i anëtarëve të tyre, të rinj dhe të vjetër. Gjatë një takimi familjar, bashkëbisedimi mund të çojë te një gënjeshtër që njeri prej fëmijëve e ka thënë në të kaluarën, ndërkaq njëri prej tyre mund të komentojë: “Gënjeshtra është bërë shprehi te ti.”
Nëna ndërhyn, duke i kujtuar se sa shpesh kishte gënjyer në të kaluarën. Babai pastaj ia vë kapakun, duke mbajtur një ligjëratë për të këqijat e gënjeshtrës. Pikërisht kjo është sjellja e të rriturve me fëmijët që i bën ata ta urrejnë takimin me të vjetrit në familje dhe i shtyn ata të dalin në rrugë dhe të bien në duart e shokëve të këqij.
“Të vjetrit dhe të rinjtë njësoj nuk e pëlqejnë kritikën që u drejtohet vetes së tyre, përderisa mund të tolerojnë ato që u drejtohen veprave të tyre, duke e konsideruar më të butë. Është më e lehtë për ta të përballojnë një fjalë të dikujt, si për shembull: “Kjo është gënjeshtër”, në përgjigje të asaj që kanë thënë, sesa kur personi i njëjtë t’u thotë: “Ti je gënjeshtar.”
Në një dialog të mirë, vëmendja largohet plotësisht nga një incident në të cilin një fëmijë ka gënjyer. Për të trajtuar atë, prindërit mbajnë një takim vetëm me të dhe e këshillojnë pa e tepruar. Në një familje, një vajzë 23 vjeçare refuzon propozimin e martesës së një djali të ri dhe çështja përmendet në njërin prej takimeve, pastaj një vajzë tjetër i thotë: “Ky është një rast për ty, më mirë ta shfrytë zosh.”
Një vajzë e tretë pajtohet me të dhe madje shton: “A mos dëshiron të mbetesh vajzë e pamartuar sikur filania e filania?” Nëna, në vend që ta përmirësojë të bijën që foli, thotë: “Babai dhe unë jemi shtyrë në moshë dhe dëshirojmë të shohim në një martesë të lumtur para se të na vijë vdekja.”
Pa dyshim se ky diskutim është shumë i dëmshëm për vajzën, sepse në të bartet vetëm mesazhi i fajësimit nga anëtarët e familjes së saj, me pak konsideratë për opinionin e saj. Në një familje të respektuar dhe në një formë të avancuar të dialogut, çështja do të diskutohej mjaft ndryshe. Do të merreshin parasysh cilësitë e propozimit për martesë, përshtatshmërisë së tij me bijën e tyre, mirëpo vendimi final do t’i lihej asaj. Ajo madje do të zgjidhte kohën që i pëlqen për diskutim.
Autor: Prof. Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Ndërveprimet në familje”
Përgatiti: Prinderimi.com