Disa njerëz mund të befasohen me këtë pyetje. Ata do të thonë se nuk ka shtëpi në të cilën nuk bëhet dialog çdo ditë dhe për çështje të ndryshme. Atëherë, pse të kërkojmë fillimin e diçkaje kur ajo tashmë ekziston?
Nuk ka dyshim se shumë familje dialogojnë për çështje të ndryshme dhe në një mënyrë të shkëlqyeshme, mirëpo përqindja e tyre është shumë e vogël.
Për shkak se njerëzit janë të natyrave, opinioneve, nevojave, shijeve dhe aspiratave të ndryshme, dallimet do të shfaqen në ndërveprimet e tyre në shumë çështje të jetës. Kjo gjithashtu bën të pashmangshëm konfliktin dhe ndeshjen e ideve. Për këtë arsye dialogu është i domosdoshëm.
“Megjithatë shpesh shohim se njerëzit nuk dialogojnë, ata në fakt polemizojnë, debatojnë dhe shtyhen me fjalë me njëri-tjetrin.”
Polemika dhe dialogu kanë në thelb kuptimin e njëjtë që do të thotë të rrahet një ide dhe të sillemi përqark saj. Dikush thotë diçka dhe e shpreh mendimin për një çështje, pastaj shoku i tij i përgjigjet dhe e shpreh mendimin e kundërt. Personi i parë e mbron mendimin e tij dhe vë në pah gabimin te mendimi i tjetrit, e kështu me radhë.
Kur të polemizojmë, ne jemi të interesuar të mbahemi për mendimet tona dhe t’i bindim të tjerët t’i pranojnë ato. Për të arritur këtë, jemi të gatshëm të bërtasim ose t’i bojkotojmë kundërshtarët tanë; disa madje janë të gatshëm të na ofendojnë duke cituar dëshmi të pavërteta. Ata paraqesin si fakte informata dhe detaje të pavërteta dhe të paverifikuara. Ne nganjëherë do të dukemi se jemi duke i dëgjuar, mirëpo në brendësi ne mohojmë çdo pjesë të asaj që thuhet nga kundërshtarët tanë.
Me pak fjalë, polemika është një lloj i betejës së fjalëve. Për këtë arsye Allahu na ka urdhëruar që atë ta bëjmë vetëm në mënyrën më të mirë dhe me metodën më të mirë, kështu që të jetë e dobishme dhe të mos kthehet në një mjet të nxitjes së armiqësisë dhe grindjes. Për këtë Allahu ka thënë:
“Diskutoni me ithtarët e Librit vetëm me mënyrën më të mirë….” El- Ankebut: 46
Ai gjithashtu e mësoi të Dërguarin a.s. “…. dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!” En-Nahl, 125
Polemika është gjëja e natyrshme që i kthehemi kur nuk kemi mjaft dituri, fisnikëri të karakterit dhe durim. Ata që i posedojnë këto cilësi në masë të arsyeshme e lënë anash polemikën dhe e përdorin dialogun.
Dialogu përfshin të menduarit për një ide që e shpreh dikush dhe refuzimi i saj nëse është e pakënaqshme. Ai gjithashtu përfshin negocimin e ideve. Nëpërmjet tij ne i njohim dallimet e mendimit që ekzistojnë. Në të gjithmonë i gjejmë dy elemente të rëndësishme:
Së pari, në dialog ka më pak interes të bindet pala tjetër me men- dimin ose idenë e dikujt, sepse qëllimi është të arrihet një vetëdijesim korrekt për një çështje nëpërmjet dialogut. Unë hedh dritë mbi një vend të errët që ju ndoshta nuk e shihni dhe ju e bëni të njëjtën për mua. Unë mësoj prej juve dhe ju mësoni prej meje. Ti më propozon diçka dhe unë e bëj të njëjtën për ty. Unë jam mjaft i lirë të pranoj ose refuzoj atë që ti e ofron dhe edhe ti je i lirë të pranosh ose refuzosh atë që unë e ofroj. Kështu nuk ka nevojë fare që ne ta lëndojmë njëri-tjetrin.
Së dyti, palët në një dialog i posedojnë dy gjëra themelore. Në njërën anë ata kanë ca dituri për çështjen për të cilën dialogojnë dhe qëllimin për të cilin dialogojnë. Në anën tjetër, ata posedojnë edukatë të mirë dhe qasje të mirëkuptimit të ndërsjellë. Nëpërmjet diturisë për çështjen dhe me anë të mirësjelljes së tyre, ata mund të kontribuojnë në bërjen e dialogut të frytshëm, të sofistikuar dhe në të njëjtën kohë interesant. E di se sigurimi i një atmosfere që garanton këto cilësi në një familje mund të jetë i vështirë. Arsyeja është se secili prind mendon se është përgjegjës për sigurinë e fëmijëve dhe udhëzimin e tyre. Ata e kanë parasysh pushtetin që mund ta ushtrojnë ndaj fëmijëve sa herë që është e domosdoshme. Kjo e bën dialogun e një prindi me fëmijën, të ndryshëm nga ai me kolegun, shokun ose kundërshtarin. Megjithatë, pasi të mësojmë parimet themelore që duhet të formojnë bazën për një dialog të mirë dhe të frytshëm, duhet të bëjmë çmos që dialogun ta inkuadrojnë në familjet tona.
Mbani mend!
- Ajo që ndodh në shumicën e familjeve nuk është dialogimi por polemika dhe beteja e fjalëve, asgjë më tepër.
- Kur të polemizojmë, brenga jonë për t’i bindur partnerët tanë është aq e lartë, saqë nuk na pengon nëse e ngrehim zërin, e bojkotojmë palën tjetër ose madje i sulmojmë ata.
- Dialogu është një debat që mbahet me edukatën më të mirë. Ai karakterizohet me kureshtjen tonë për të shpjeguar pikëpamjet tona personale më tepër se interesimin tonë për të ndryshuar pikëpamjen e palës tjetër.
- Kur të mësojmë mirë se cili duhet të jetë qëllimi i një dialogu, atëherë dialogu ynë do të jetë më i dobishëm dhe larg një përpjekjeje të dështuar.
- Vetë dialogu është vend provimi i sjelljeve tona me palët që marrin pjesë në të. Ai zbulon nivelin e bukurisë së sjelljeve tona.
- Prindërit duhet të harrojnë se gjatë dialogut me fëmijët e tyre posedojnë autoritet që mund ta ushtrojnë ndaj tyre.Autor: Prof. Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Ndërveprimet në familje”
Përgatiti: Prinderimi.com