GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 17 / 16 SHTATOR 2011, PRISHTINË
LIGJI Nr. 04/L-032 PËR ARSIMIN PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E KOSOVËS
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR ARSIMIN PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E KOSOVËS
Neni 1
Qëllimi
1. Qëllimi i këtij ligji është që të rregullojë edukimin, arsimin dhe aftësimin parauniversitar nga niveli 0 deri në 4 i ISCED-it duke përfshirë arsimin dhe aftësimin e fëmijëve dhe të rriturve që marrin kualifikime në këto nivele.
2. Qëllimet e arsimimit dhe aftësimit parauniversitar janë:
2.1. zhvillimi i personalitetit, talentit dhe aftësisë mendore e fizike të nxënësit deri në potencialin e tij të plotë;
2.2. avancimi i krijimit të njohurive themelore shkencore, shkathtësive të komunikimit, vrojtimit dhe shkathtësive analitike,kreativitetit,mëvetësisë dhe aftësive të ndërlidhura të mësimnxënies;
2.3. zhvillimi i respektit te nxënësi për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, si dhe për parimet e përcaktuara me Kartën e Kombeve të Bashkuara,me konventat përkatëse dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës;
2.4. zhvillimi i respektit te nxënësit për prindërit dhe mësimdhënësit, për identitetin kulturor, gjuhën dhe vlerat e komunitetit të tij, për vlerat e Republikës së Kosovës, për shtetin nga i cili mund të ketë prejardhjen dhe për respektimin e diversitetit;
2.5. përgatitja e nxënësit për jetesë të përgjegjshme në frymën e mirëkuptimit, të paqes, tolerancës, barazisë gjinore dhe në miqësi me pjesëtarët e të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës, e më gjerë;
2.6. të zhvillojë te nxënësi respektin për mjedisin.
3. Asnjë dispozitë e këtij ligji nuk do të interpretohet si zvogëlim apo kufizim i çfarëdo të drejte të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, të paraparë me ligjin në fuqi.
Neni 2
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Akreditim – procesi përmes të cilit Autoriteti Shtetëror i Kualifikimeve (ASHK), në bazë të ligjit në fuqi, përcakton, monitoron dhe auditon institucionet (organet vlerësuese), të cilat i vlerësojnë kandidatët dhe lëshojnë certifikata e diploma, si dhe çdo organ tjetër që kryen funksione në emër të ASHK-së.
1.2. I rritur – personi që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare, por qëllimi i këtij ligji përfshin çdo fëmijë që ka arritur moshën në të cilën zakonisht përfundohet arsimi i detyruar dhe und të hyjë në tregun e punës, si dhe të marrë pjesë në programe arsimore të përcaktuara për të rritur.
1.3. Arsimimi dhe aftësimi i të rriturve – mësimin dhe aftësimin publik dhe privat që ofrohet për të rriturit dhe për fëmijët e moshës mbi pesëmbëdhjetë (15) vjeç që i plotësojnë kushtet për të vijuar programet mësimore të përcaktuara për të rritur.
1.4. Miratim – procesi, përmes të cilit ASHK i njeh kualifikimet.
1.5. Vlerësim – i referohet proceseve (përfshirë provimet dhe testet) që përdoren për të grumbulluar, analizuar dhe vlerësuar dëshmitë e arritjes individuale në mësim.
1.6. Zona e mbulimit – zona e vendbanimit e përcaktuar nga komuna për një institucion të caktuar arsimor.
1.7. Fëmijë – çdo person nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare.
1.8. Komunitet – një grup kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor apo fetar që tradicionalisht është i pranishëm në Republikën e Kosovës sipas legjislacionit ne fuqi.
1.9. Mosha e shkollimit të obligueshëm – mosha e përcaktuar sipas këtij ligji.
1.10. Kurrikulumi bazë – pjesa e përgjithshme të kurrikulumit të paraparë nga Ministria për të gjitha shkollat.
1.11. Ndëshkim fizik – çdo formë e goditjes apo e kontaktit tjetër fizik të qëllimshëm nga ana e mësimdhënësit ose ndonjë anëtari tjetër të personelit me një nxënës, me përjashtim të rasteve të ndërhyrjes së detyrueshme, kur një nxënësi rrezikon sigurinë e nxënësve të tjerë ose të personelit.
1.12. Drejtor – drejtuesi më i lartë i një institucioni arsimor ose aftësues.
1.13. Braktisje e shkollës – ndërprerja e parakohshme e shkollimit të detyruar.
1.14. Institucion arsimor dhe aftësues – çdo institucion shkollor ose aftësues që realizon shërbime arsimore të niveleve 0, 1, 2, 3, 4 sipas ISCED.
1.15. Shërbim arsimor – çdo veprimtari që është drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë e lidhur me mësimdhënien, si dhe çdo mbështetje materiale apo ndonjë formë tjetër.
1.16. Cikli i parë dhe i dytë, lidhur me kualifikimin e kërkuar për mësimdhënës – një program të miratuar në nivelin 5 të ISCED-it që shpie në shkallën Baçelor (180 gjer 240 kredi në kuadër të Sistemit Evropian për Bartjen dhe Grumbullimin e Kredive – ECTS) apo Master (300 ECTS).
1.17. Këshilli drejtues – organi përgjegjës për qeverisjen e institucionit arsimor apo aftësues, me funksione të parapara me këtë ligj.
1.18. Komisioni i granteve – Komisioni me këtë emërtim, i themeluar sipas ligjit në fuqi.
1.19. Arsimimi gjithëpërfshirës – përcaktuar në bazë të dispozitave të Konventës së OKB-së për të Drejta të Fëmijës (1989), të Deklaratës së Salamankës të UNESCO-s (1994) dhe Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (2007).
1.20. Inspektor i arsimit – personi zyrtar i Ministrisë që merret me inspektim, mbikëqyrje dhe monitorim të cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet e arsimit, të mbuluara përmes këtij ligji.
1.21. ISCED – Standardet Ndërkombëtare të Klasifikimit të Arsimit, të miratuara nga UNESCO, në Konferencën e përgjithshme, në seancën e 29-të, të mbajtur në nëntor të vitit 1997, dhe të ndryshuara më vonë.
1.22. Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) – agjencia me këtë emërtim, e themeluar në bazë të legjislacionit në fuqi .
1.23. Agjencia e Kosovës për Kurrikulum,Standarde dhe Vlerësim (AKKSV) – agjencia me këtë emërtim, e themeluar sipas dispozitave të këtij ligji.
1.24. Korniza e Kurrikulumit e Kosovës (KKK) – korniza e kurrikulumit për arsimin parauniversitar, e miratuar nga Ministria.
1.25. Ministria – Ministria e Arsimit, e Shkencës, dhe e Teknologjisë si autoritet qeveritar, përgjegjësitë e së cilës përfshijnë arsimin, shkencën dhe teknologjinë.
1.26. Drejtor Komunal i Arsimit (DKA) – zyrtari në komunë me këtë titull, ose personi që aktualisht kryen këtë funksion.
1.27. Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) – autoriteti me këtë emërtim, i themeluar sipas ligjit në fuqi, përgjegjës për hartimin e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve dhe rregullimin e sistemit kombëtar të kualifikimeve.
1.28. Korniza Kombëtare e Kualifikimeve – mekanizmi shtetëror për klasifikimin e kualifikimeve në kuadër të sistemit shtetëror të kualifikimeve në bazë të një numri kriteresh që përcaktojnë nivelet e Kornizës Kombëtare të Kualifikimit dhe llojet e rezultateve të mësimnxënies që janë në përputhje me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve,të hartuar nga AKK-ja në përputhje me ligjin në fuqi.
1.29. Gjuhë e komuniteteve – gjuhët që fliten në Republikën e Kosovës, përveç dy gjuhëve zyrtare.
1.30. Prind – kujdestari ligjor i fëmijës, në bazë të ligjit në fuqi.
1.31. Shërbim pedagogjik në shkollë – shërbimi arsimor dhe aftësues që ofrohet nga këshilltari, pedagogu, psikologu me qëllim të përmirësimit dhe avancimit të punës në shkollë.
1.32. Institucion arsimor apo aftësues i financuar me fonde publike – institucioni arsimor apo aftësues – financuar prej fondeve publike.
1.33. Nxënës – çdo person të regjistruar në çfarëdo programi të arsimit parauniversitar në institucionet arsimore dhe aftësuese.
1.34. Kualifikim – njohje zyrtare e të arriturave të shkollimit apo të aftësimit ose suksesi i kënaqshëm në test apo në provim.
1.35. Shkollë – çdo institucion arsimor që ofron shërbime arsimore në nivelet 0, 1, 2 dhe 3 të ISCED-it, përfshirë çdo institucion aftësimi që ofron shërbime arsimore në nivelin 3 të ISCEDsë.
1.36. Kurrikulum me bazë shkolle – ajo pjesë e kurrikulumit që përcaktohet nga vetë shkollat apo institucionet arsimore dhe të aftësimit.
1.37. Vit shkollor – periudha kohore që fillon me 1 shtator të një viti dhe që përfundon më 31 gusht të vitit pasues, e caktuar nga Ministria, siç është përcaktuar në Kornizën e Kurrikulumit të Kosovës, ndaras për shkollat dhe institucionet e aftësimit.
1.38. Standardet – tregues të matshëm të suksesit të përkufizuar, në formë të kritereve cilësore apo sasiore, të cilat pritet të arrihen nga kandidatët në mënyrë që ata t’i fitojnë kualifikimet.
1.39. Mësimdhënës – personi i kualifikuar sipas dispozitave të këtij ligji me përgatitje akademike dhe profesionale, i punësuar për ofrimin e shërbimeve arsimore për nxënësit.
1.40. Institucion i aftësimit ose Qendër e aftësimit – çfarëdo institucioni arsimor publik ose privat përmes të cilit ofrohen shërbimet arsimore për nivelet 3 apo 4 të ISCED-it.
Neni 3
Parimet e përgjithshme të arsimit parauniversitar
1. Asnjë personi nuk guxon t’i mohohet e drejta për arsimim.
2. Arsimi parauniversitar është përgjegjësi e përbashkët e prindërve, institucioneve arsimore dhe aftësuese, komunave dhe qeverisë, sipas funksioneve dhe detyrave përkatëse të përcaktuara në këtë ligj.
3. Është obligim i përgjithshëm i Ministrisë, komunave, institucioneve arsimore dhe të gjitha organeve të tjera, të përfshira në ofrimin e arsimit parauniversitar, siç është rregulluar përmes këtij ligji dhe ligjeve të tjera në fuqi, që të planifikojnë dhe ofrojnë shërbime efikase, efektive, fleksibile, gjithëpërfshirëse dhe profesionale, të dizajnuara për t’u ofruar të gjithë fëmijëve të drejtat e barabarta për shkollim, në pajtim me aftësitë dhe nevojat e tyre specifike, si dhe për të avancuar zhvillimin e tyre arsimor e social.
4. Gjatë planifikimit, menaxhimit dhe zbatimit të sistemit të arsimit parauniversitar, Ministria, komunat, si dhe institucionet arsimore dhe ato aftësuese do të marrin parasysh normat e miratuara ndërkombëtare për arsimin për të gjithë, të drejtat e fëmijëve, mbrojtjen e grupeve të ndjeshme në shoqëri dhe për avancimin e barazisë gjinore.
5. Gjatë zbatimit të funksioneve dhe përgjegjësive të tyre në kuadër të këtij ligji dhe ligjeve të tjera në fuqi, Ministria, komunat dhe institucionet arsimore apo ato aftësuese do të:
5.1. respektojnë dhe avancojnë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, siç parashihet me Kushtetutë dhe me ligjet në fuqi;
5.2. kultivojnë njohuritë për kulturën, historinë, dhe gjuhën e të gjitha komuniteteve.
6. Qasja dhe përparimi nëpër të gjitha nivelet e arsimit dhe aftësimit parauniversitar do të mundësohet në pajtim me dispozitat e këtij ligji pa diskriminim në baza ekzistuese ose të supozuara, siç është ai: gjinor, racor, i orientimit seksual, i paaftësitë fizike, intelektuale ose i çfarëdo paaftësie tjetër, i gjendjes martesore, i ngjyrës, i fesë, i opinioneve politike apo të tjera, i përkatësisë kombëtare, etnike ose shoqërore, i shoqërimit me ndonjë komunitet, i pronës, i lindjes ose i ndonjë gjendje tjetër të nxënësit apo familjes së tij.
7. Institucionet publike arsimore duhet të përmbahen nga mësimdhënia fetare ose veprimtaritë tjera, të cilat propagandojnë një fe të caktuar.
8. Ministria, komuna, institucionet arsimore dhe aftësuese dhe komuniteti duhet ta bëjnë institucionin tërheqës dhe të sigurt për nxënësin, mësimdhënësin dhe prindërit, përmes përgjegjësive të tyre përkatëse për kurrikulum, standardet e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së ndërtesave shkollore, shëndetësisë dhe sigurisë, ruajtjes së ambientit si dhe adresimit të çështjeve disiplinore dhe sjelljeve.
Neni 4
Mbrojtja e grupeve të cenueshme
1. Të gjithë personat e punësuar në institucione arsimore, të themeluara sipas këtij ligji, do të ndërmarrin të gjithë hapat e arsyeshëm që të sigurojnë se nxënësit dhe punonjësit nuk lëndohen apo u ekspozohen fjalëve dhe veprimeve fyese.
2. Ndalohet ndëshkimi fizik apo çfarëdo forme tjetër e ndëshkimit nënçmues në të gjitha institucionet arsimore dhe aftësuese, qofshin ato publike ose private.
3. Ndalohen aktivitetet promovuese jashtë Kornizës së Kurrikulumit të Kosovës në përfitim ose në dëm të çfarëdo partie politike, gjinie, përkatësie racore a etnike, feje ose pozite sociale nëpër institucionet arsimore dhe aftësuese. Kur çështjet relevante paraqiten para nxënësve gjatë procesit mësimor, nxënësve duhet t’u ofrohet prezantim i balancuar i pikëpamjeve të kundërta.