Përgjatë përgjigjeve të pyetjeve të fëmijëve prindërit duhet t’i kenë parasysh disa parime dhe vlera që duhet kujdesur për to, siç do i cekim disa në vijim:
1) Parimi i respektit. Prindërit të cilët i dëgjojnë me vëmendje pyetjet e fëmijës e bëjnë atë të ndihet se prindërit e tij po i qajnë hallet e tij, po e respektojnë dhe e vlerësojnë atë. Ky bashkëpunim i prindërve me fëmijën e bën atë të ruaj balancën shpirtërore dhe prehjen e qetësinë, si rrjedhojë shumë shpejt bie në sy zëri i tij i vetëbesimit, qartësia në shtrimin e pyetjeve dhe përcjellja logjike përgjatë bisedës.
2) Parimi i besimit dhe besnikërisë. Prindërit e gjurmojnë precizitetin në përgjigjet e dhëna fëmijëve të tyre duke i zgjedhur shprehjet e duhura gjuhësore, të njohura dhe të zakonshme për ta; gjithnjë duke i thjeshtëzuar këto njohuri nën korniza të diturive të sakta. Vërtetësia e përgjigjes në, fund të fundit, do të thotë arritja e qëndrueshmërisë, besimit dhe sigurisë shpirtërore.
3) Parimi i trajtimit të shtytësve të veçantë te fëmijët. Këta shtytës lindin si pasojë e kontekstit të ndodhive në të cilat jeton fëmija. Të marrim shembull, fëmija i cili ndihet i shqetësuar dhe I irrituar si pasojë e foshnjës së re në familje, do të pyesë: prej nga vijnë fëmijët? Atëherë, edhe nëse do të pranojë një përgjigje shkencore nuk do të pushojnë shqetësimet e tij. Ai ka nevojë që t’i trajtohet zanafilla e problemit të tij të vërtetë që e shtyu të shtronte atë pyetje, pra ai ka nevojë për kujdes të posaçëm dhe t’i kushtohet vëmendje e mjaftueshme.
Gjëja më e vlefshme që arrijnë prindërit t’u japin fëmijëve të tyre është ndihmesa për ndriçimin e mendjeve të tyre. Jo vetëm përmes tregimeve, rrëfimeve dhe urtësive, por më tepër përmes ushtrimit të tyre që të mendojnë, të japin propozime e sugjerime. T’i mësojnë që të mos mjaftohen me gjërat sipërfaqësore, t’i nxisin që të meditojnë çfarë fshihet pas gjërave sipërfaqësore që u duken atyre. Gjithashtu, bashkëveprimi duhet të jetë pozitiv, biseda ndërtuese, dialogu i qetë dhe shkëmbim të mendimeve nga të dy palët. Shtuar kësaj prindërit duhet t’i iniciojnë pyetjet që u ngacmojnë mendjet fëmijëve.
Përveç kësaj përgjigjet ndaj pyetjeve mund të kërkohen nga një masë më e gjerë; p.sh.: prindërit të kërkojnë nga fëmija i tyre duke i sugjeruar atij që ta parashtrojë pyetjen e tij në mbledhjet familjare, e më pas t’i lihet hapësira secilit anëtar të familjes që të përgjigje, sidomos kur pyetja të jetë e thjeshtë jo e ndejshme, që nuk ka nevojë shumë për thellësi. Mirëpo, është shumë e rëndësishme që fëmija të mos tronditet nga përqeshjet e anëtarëve të mëdhenj të familjes me pyetjen e tij qesharake në sytë e tyre. E nëse ngjan kjo atëherë prindërit duhet t’i dalin zot atij, t’ia mbajnë krahun atij duke e lavdëruar dhe duke i dhënë kurajë. Pastaj duke e sqaruar nevojën e të gjithëve që të parashtrojmë pyetje, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni.” (Kuran, 17:85). Në përgjigjet grupore arrijmë përmbushjen e shumë dobive të cilat si pikënisje e tyre janë pyetjet e fëmijës.
Autor: Hamed Rakef
Përgatiti: Prinderimi.com