Detyra e prindërve është paraqitja e përgjigjeve të vërteta të sakta ndaj pyetjeve të fëmijëve. Shtuar kësaj, ata duhet të bëjnë gati terrenin e dialogut dhe bisedës rreth paqartësive të fëmijëve të tyre në tematikat e besimit, gjithashtu të ndihmuarit e tyre që t’i vënë në dukje mendimet e tyre rreth fesë. Kjo për shkak që të përçojnë tek ata sigurinë, prehjen dhe të kuptuarit e drejtë të fesë, me ç’rast e ruajnë balancën e tyre fetare larg lënies pas dore në njërën anë dhe teprimit të shtrëngimit të fesë në anën tjetër. Nuk do të thotë që prindërit t’i kenë të gjitha përgjigjet e sakta për pyetjet fetare të fëmijëve të tyre, mirëpo atyre u përket t’ua sqarojnë shtyllat e besimit, derisa të rritet e bëhet djalosh/vajzë me besim të fortë në Allahun e Madhëruar.”
Sa bukur do të ishte sikur prindërit ta angazhonin fëmijën më të madh të tyre që t’i regjistrojë pyetjet e fëmijëve të vegjël. Zakonisht do ta marrë këtë detyrë me gëzim, sidomos nëse inkurajohet dhe e ndjen rëndësinë e saj. Gjithashtu, edhe prindërit do të gjenin kënaqësi në këtë aktivitet. Pra, nga njëra anë do të mbjellim në personalitetin e fëmijës së madh rëndësinë e pyetjeve në përgjithësi dhe peshës së tyre dhe kështu ata do të pyesin pa ngurrim, dhe do të gdhendim në ta kujdesin ndaj pyetjeve të fëmijëve të tyre në të ardhmen, atëherë kur vetë të bëhen prindër. Ndërsa në anën tjetër neve na mblidhen pyetje të cilat na hyjnë në ndihmë për kërkimin e përgjigjeve ndaj tyre dhe na ndihmojnë për pyetjet e mundshme që mund t’i bëjnë vëllezërit apo motrat pas tyre, e kështu duhet përgatitur për to. Sa do të gëzohet fëmija kur shpejtojmë ti përgjigjemi në ndonjë pyetje prej pyetjeve të tij të kaluara! Pra, kujdesi për një përgjigje bindëse të mirë për pyetjet e tij do të ketë ndikim të madh, me lejen e Allahut, tek ai dhe në lidhjen tonë me të. Kësisoj do të bëhen prindërit burimi kryesor i njohurive për fëmijën, burim i sigurt për vitet e ardhshme në vend që t’i marrë njohuritë nga burime të dyshimta, sidomos përgjatë moshës së adoleshencës.
Vlen të ceket një pikë ndaj së cilës është e udhës që prindërit të tregojnë kujdes, e ajo është domosdoshmëria e dallimit të pyetjeve të fëmijëve.
Së pari, pyetjet këmbëngulëse të cilat i vërejmë që fëmija po i përsërit shpesh ato, aq sa mund t’ua parashtrojë më shumë se një personi prej anëtarëve të familjes, ku prej saj mund të lindin edhe pyetje të tjera.
Së dyti, pyetjet e atypëratyshme, ku sikur t’ia ndërrojmë temën fëmijës përgjatë bisedës do ta harrojë atë pyetje. Prandaj, në llojin e pyetjeve të para nuk është nga mençuria të lihen pas dore, kësisoj përpiqemi në përgjigjen ndaj tyre, duke e kërkuar përgjigjen e saj apo gjurmimin e ndonjë personi i cili e zotëron atë përgjigje më mirë. Ndërsa lloji i pyetjeve të atypëratyshme, nuk ka problem edhe sikur të shmangen, sidomos kur kanë të bëjnë me çështje që fëmija nuk i kap dot.
Autor: Hamed Rakef
Përgatiti: Prinderimi.com