A është mjedisi gjithçka?
E shtrova këtë pyetje për të nxitur mendimet e lexuesve të mi lidhur me këtë çështje. Nuk e teproj nëse them se mjedisi është vërtet gjithçka. Natyrisht, fëmijët rriten në mjedise të ndryshme duke filluar nga shtëpia, shkolla, rruga deri te lagjja. Mirëpo atë që unë e nënkuptoj këtu është mjedisi shtëpiak. Ai ka ndikim më të madh në jetët e fëmijëve.
Mjedisi familjar përbëhet nga disa faktorë, në mesin e të cilëve është personaliteti i anëtarëve, vlerat që i gëzojnë, llojet e marrëdhënieve që i ushqejnë, stilin e jetës përbrenda familjes, gjendjen e shtëpisë së tyre dhe specifikat e saj. Është e vërtetë se ne shpesh e injorojmë mjedisin, ndonëse ai meriton konsideratë të veçantë dhe vëmendje unike.
Nuk ka ndonjë tregues më të mirë të ndikimit të mjedisit në personalitetet e fëmijëve sesa rezultatet e hulumtimit që tregojnë se 99% e atyre që rriten në mjedise islame përfundojnë muslimanë, e njëjta vlen për mjediset e krishtere, çifute dhe budiste. Në këtë temë janë bërë shumë studime që e konfirmojnë nevojën për të siguruar një mjedis të mirë familjar. Në mesin e tyre është një studim i kryer mbi efektin që ka rritja e një fëmije në një familje vetëm nga nëna. Rezultatet tregojnë se kjo ka ndikim negativ në karakterin e fëmijës sepse i humbë baraspeshën fëmijës. Kjo shprehet tek ai në formë të sjelljes së zgjatur fëmijërore deri në adoleshencë. Gjithashtu ai fëmijë ka prirje të varet te të tjerët dhe sillet në mënyrë servile. Megjithatë, nganjëherë ndodh e kundërta, që do të thotë se një produkt i një mjedisi të tillë shfaq kryeneçësi dhe sjellje shpërfillëse. Janë vënë re dallime edhe midis rezultateve për djemtë dhe për vajzat.
Një studim tjetër ka treguar se fëmijët që janë rritur nga të dy prindërit kanë treguar aftësi më të mirë për të lexuar, shkruar dhe për t’i kryer operacionet matematikore. Kjo tregon se vetëm njëri prind nuk mund të sigurojë një mjedis për familjen ideale Bashkëpunimi midis dy prindërve në mbikëqyrjen direkte edukimit të fëmijëve të tyre është i domosdoshëm në krijimin e mjedisit të kërkuar.
Ky është një mesazh paralajmërues për të gjitha nënat dhe baballarët, të cilët janë tepër të zënë. Ata kanë kohë për gjithçka përveç kushtimit të vëmendjes së nevojshme për fëmijët e tyre. Në një studim tjetër, i cili ka dhënë një rezultat të papritur, një grup i psikologëve amerikanë kryen një krahasim midis një lloji të vajzave të lindura dhe të rritura në burg nga nënat e burgosura dhe një lloji të vajzave të lindura dhe të rritura në kushte luksoze. Rezultati ishte se grupi i fundit, i cili e kishte kujdesin e shërbëtorëve të paguar, pasi prindërit e tyre ishin të zënë, nuk shfaqte ndonjë përparësi ndaj atyre që ishin rritur në burg, për shkak të afërsisë me nënat e tyre, përkundër kushteve të burgut.
Një studim gjithashtu është kryer nga Universiteti El-Emir Naif për t’i hulumtuar realitetet shoqërore të familjes së një fëmije që e ka shkelur ligjin, i cili gjithmonë i është kthyer shkeljes së njëjtë përsën. Është zbuluar se atyre fëmijëve u mungojnë marrëdhëniet e mira me familjarët. Midis tyre dhe vëllezërve e motrave të tyre kishte një lidhje të shkëputur ose të karakterizuar me armiqësi. Ndërsa, sa u përket prindërve të tyre, ata ishin të dy të këqij dhe larg nga prindërit ideal, pasi ata u kushtonin pak vëmendje dhe nuk u jepnin asnjë mbikëqyrje prej një kujdestari, ose ishin të vrazhdë dhe të ashpër, ose i trajtonin disa fëmijë të tyre me preferencë.
Studimet kanë treguar se kur një mjedis familjar i mungon butësia dhe qetësia, ai i shtyn adoleshentët të kërkojnë forcë dhe kompensim në lidhjet me bashkëmoshatarë të të cilët gjejnë sigurinë, të kuptuarit dhe mbështetjen që u mungon në shtëpi. Kjo i çon ata në lajthitje. Në familjet serioze ose të edukuara, të gjithë ose shumica e fëmijëve mbarojnë arsimin universitar. Ndërkohë në familjet që nuk e vlerësojnë diturinë shumë, shumica e fëmijëve e braktisin shkollën herët.
Prindërit në familjet e tilla gjithmonë thonë se fëmijët e tyre e urrejnë mësimin, nuk e pëlqejnë leximin, ata kanë prirje më tepër ndaj zanateve etj. Ata nuk e dinë se të rriturit janë ata që mbjellin te të rinjtë dashuri dhe ambicie për gjëra të mëdha. Kështu, kur më të rriturit nuk e vlerësojnë mbarimin e shkollimit, pritjet janë të mëdha që fëmijëve t’u mungojë interesimi për të ndjekur rrugën e diturisë.
Përbërësit e një familje ideale
1. Dy prind të mirë
Prindërit janë dy njerëz, të cilët e kanë filluar një familje. Ata janë shtyllat e saj, kripa, uji dhe ajri. Në marrëdhëniet e tyre me njëri- tjetrin dhe me fëmijët e tyre, ata krijojnë atmosferë humane, mendore dhe shpirtërore në shtëpi.
Mund të themi qartë se rritja e fëmijëve është e lehtë, shpërblyese dhe e suksesshme kur prindërit janë vetë të mirë. Duhet të sigurohemi që dallimi midis asaj që e thomë dhe asaj që e veprojnë duhet të jetë sa më i vogël. Megjithatë, nëse u kërkojmë fëmijëve t’u shmangen të këqijave që vetë zhytemi në to, atëherë edukimi i tyre do të jetë i vështirë, i pafrytshëm dhe zhgënjyes.
Fëmijët në një situatë të tillë do të justifikojnë veprimet e tyre duke i thënë vetes: “Shiko pasqyrën (prindërit) dhe ne nuk po bëjmë asgjë më tepër sesa atë që prindërit tanë po e bëjnë, edhe pse ata janë të rritur dhe i dinë pasojat më mirë.” Në të vërtetë, një njeri i mençur ka thënë: “Produkti i edukimit tonë do të jetë ashtu siç jemi ne.”
Mund të mashtrohemi nëse mendojmë se mund t’i shmangemi shikimit të fëmijëve dhe nëse mendojmë se ata nuk janë në dijeni për atë që e bëjmë. Kjo është larg realitetit. Në të vërtetë ne nuk mund të fshehim asgjë nga ta, sepse nëse sot nuk e dinë, nesër sigurisht do ta dinë.
Disa studime kanë treguar se shembulli më i fortë në jetën e një familje është prindi i të njëjtës gjini. Kjo do të thotë se djerntë ndikohen nga baballarët e tyre dhe vajzat nga nënat e tyre. Kjo është e natyrshme dhe e kuptueshme, sepse djemtë dëshirojnë të bëhen si baballarët dhe mësuesit dhe sikur ata që i konsiderojnë të suk sesshëm dhe të mëdhenj. Për këtë arsye ka rëndësi që kur një burrë ti propozojë martesë një vajze të ketë parasysh se ajo është personi me të cilën do të krijohet mjedisi për edukimin e fëmijëve të tij dhe ajo do të jetë ndikimi i parë mbi bijat e tij. Ngjashëm një grua duhet të kujtojë kur të pranojë propozimin e një burri, se ai do të jetë ndikimi i parë në bijtë e saj. Studimet gjithashtu kanë treguar se fëmijëve që u mungojnë shembujt që do t’i imitojnë në jetë, vuajnë më tepër se ata që kanë shembuj që i admirojnë dhe imitojnë.
Përfundimi i një hulumtimi për fëmijët ka konstatuar se fëmijët kanë 3 herë më shumë gjasë të pinë duhan nëse nëna ose babai është prirës i duhanit, 70% deri 80% e fëmijëve bëhen obez në moshën e pubertetit kur njëri prej prindërve të tyre është obez.
Në fakt, sjelljet tona të përditshme përcaktojnë karakteret e ardhshme të fëmijëve tanë. Nga lloji i mjedisit që e krijojmë në shtëpi, ne i tregojmë fëmijës kush është, definojmë ambiciet e tij për të ardhmen dhe ëndrrat e tij. Ne madje e caktojmë kufirin e atyre ëndrrave, duke i treguar sesa mund të shkojë më së largu dhe cili është minimumi i pritur prej tij.
Kur një vajzë e kupton se babai i saj e respekton nënën e saj dhe sillet me edukatë të mirë me të, ajo e konsideron kusht themelor që bashkëshorti i saj ti posedojë cilësitë e njëjta. Ajo ka gjasë që të kërkojë një person të tillë. Megjithatë, nëse babai i saj është shembull për ndjenja të ftohta, karakter shpërfillës dhe arrogant, pritjet e saj do të jenë më të ulëta kur të takojë kërkuesin e dorës së saj. Nëse askush nuk e kërkon, ajo ndoshta do të kërkojë ndihmën e shoqeve ose internetit për të kërkuar dikë që do t’ia mbushte boshllëkun emocional. Në këto mënyra ajo me vetëdije do ta çojë veten në rrugën e devijimit.
Ne nuk dëshirojmë ti imponojmë vlerat, moralin dhe edukatën në fëmijët tanë. Pse? Sepse vlerat nuk duhet të imponohen dhe këtë e kuptojmë nga ajeti Kur’anor.
“S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra!” El Bekare, 256
“Valle, ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!” Junus, 99
A dëshirojmë vërtet t’i mbjellim vlerat tona te fëmijët? Atëherë një mënyrë është që t’ua bëjmë joshëse pranimin e vlerave dhe t’i bëjmë t’i shohin ato në veprat, sinqeritetin, vendosmërinë dhe qëllimet tona të shëndosha.
Një djalë i ri tregon për një rast kur kishte dalë me babanë e tij kur ishte i vogël. Ishim me veturë duke pritur hapjen e semaforit. Drita e gjelbër u ndez në kohën kur një plak po kalonte rrugën nëpër zebra dhe kishte arritur të kalonte vetëm gjysmën e rrugës. Të gjitha veturat u nisën me shpejtësi përveç e babait tim. Ai doli shpejt nga vetura për t’i ndihmuar plakut. Ai mori rolin e policit të trafikut. U bëri me dorë veturave që të ndalonin dhe i ndihmoi plakut ta kalonte rrugën. Mësimin që e mora nga babai im për iniciativë dhe zemërgjerësi, kurrë nuk do ta mësoja as nga një libër treqind faqesh.
Udhëtimi i edukimit të një fëmije duhet të fillojë me një vendosmëri të palëkundur nga ana jonë që ta edukojmë veten. Ne duhet të përfitojmë një edukatë të mirë me qëllim që të mund t’i edukojmë fëmijët tanë. Sigurisht se pa këtë, do të kemi një humbje të madhe. Komb i varfër nuk është ai që nuk ka para, por ai fëmijët e të cilit kthehen djathtas e majtas, por nuk mund të gjejnë përveç disa shembujve të zbehtë.
Familja e varfër nuk është ajo që banon në një shtëpi të thjeshtë, por ajo që fëmijët e së cilës nuk mund të gjejnë ndonjë shembull te të rriturit të cilin do ta pasonin. Ky është standardi etik dhe i civilizuar për të përcaktuar se kush është i pasur dhe kush është j varfer.
2. Një atmosferë gazmore, të rehatshme dhe paqësore
Allahu i Lartësuar e ka pajisur fëmijën me një personalitet plot shpresë, gaz, qetësi, vetëbesim, kuriozitet, mirësi dhe paaftësi. Megjithatë, shkëlqimi i shpirtit të fëmijës zbehet shpejt pas çdo vështirësie që ballafaqon në jetë. Nga tensionet, fjalosjet, midis prindërve dhe lajmet e këqija që i marrin aty-këtu, shqetësimi fillon të zë vend në personalitetin e tij. Kemi për detyrë të sigurojmë një mjedis për fëmijën që do t’i ndihmojë të ruajë aq sa ka mundësi nga cilësitë e mrekullueshme me të cilat e ka bekuar Allahu. Kjo kërkon përpjekje të madhe. Nga përpjekjet që duhet t’i bëjmë janë:
Gjatë ndërveprimit me të ta konsiderojmë të ndershëm, të besueshëm, të mirë dhe të ruajmë mirëqenien e tij.
– Të sigurojmë një shtëpi në të cilën ka shumë qetësi, paqe dhe siguri.
– T’i japim dashuri, mëshirë, vlerësim, respekt dhe butësi.
– Të krijojmë një atmosferë të humorit, argëtimit dhe optimizmit.
– Të minimizojmë bezdisjen për ata që janë në shtëpi dhe ata që nuk janë.
– Të përpiqemi të kuptojmë aftësinë e fëmijës dhe të mos e mbingarkojmë me detyra të shkollës ditë e natë.
– Duhet të bëhet përpjekje t’i ngjallet interesimi për punën e tij, kështu që ai të zhvillojë një pasion për të.
– Të kujdesemi për dallimet individuale midis fëmijëve, të mbahet drejtësia dhe të shmangen krahasimet negative
– Respekti dhe të kuptuarit e përbashkët të shkaqeve të gabimeve te fëmijët. Kërkimi i faljes për gabime, pa marrë parasysh a i ka bërë ato anëtari më i madh në familje apo fëmija.
– Mbyllja e syve ndaj disa rrëshqitjeve të nganjëhershme, pasi njerëzit nganjëherë veprojnë mirë dhe nganjëherë gabojnë.
3. Mjedisi i krijon ndjenjat
Kur të bisedojmë për mjedisin e mirë, nuk mund të mos e përmendim vendin dhe shtëpinë që i mbledh anëtarët e familjes. E vërteta është se efekti i vendbanimit të individit është shumë i madh. Ne jemi ata që së pari i dizajnojmë vendbanimet tona, pastaj ato i dizajnojnë emocionet tona. Shumë studime dhe përvoja kanë treguar se kur njerëzit jetojnë në shtëpi të mëdha, të bukura, të qeta, të organizuara dhe me kondicionim, ato gjenerojnë ndjenja të kënaqësisë, besimit, forcës dhe anëtarët e shtëpisë shkëmbejnë emocione të mëshirës dhe butësisë. Mirëpo, kur një shtëpi karakterizohet me ngushtësi, nxehtësi, kaos dhe papastërti, ata shkëmbejnë ndjenja të shqetësimit, gjenerohen ide melankolike dhe shtëpia shpejt bëhet e neveritshme.
Sipas mendimit tim, nëna duhet të përpiqet ta bëjë shtëpinë e saj një kopsht të haresë, nëpërmjet pastërtisë, organizimit dhe koordi- nimit. Pa marrë parasysh kushtet e familjes, gruaja ende mund të arrijë shumë në këtë aspekt. Sot aq shumë ka përparuar arti i organizimit të shtëpisë, saqë ai mbështetet në shumë studime dhe të dhëna shkencore.
Thirrja ime për prindërit e sidomos për nënat është t’i kushtojnë vëmendje shtëpisë, kështu që ajo të bëhet një vend i harmonisë, rehatisë dhe lumturisë. Natyrisht se kjo duhet të bëhet brenda standardeve të mesatares dhe baraspeshës. Tema e mjedisit familjar natyrisht se meriton diskutime më të gjata se kjo. Temës në fjalë do t’i qasemi përsëri.
Autor: Prof. Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Edukimi i fëmijëve”
Prinderimi.com